Të falemnderit që më dhe shpresë për të jetuar përsëri!

04 nëntor 2021 | 08:13

Intervistë për gazetën “Epoka e re” me autoren e librave “best seller”, Antigona Behrami

E nderuar zonja Antigona, suksesin tuaj, si autore e tre librave, s’e ka prekur e as shënuar asnjë grua më parë në Kosovë. Për një kohë të shkurtër keni botuar tre libra të cila, po për një kohë të shkurtër, janë bërë “best seller”. Çfarë trajtoni në këto libra?

Në të tre librat e mi kam bërë përpjekje të paraqes gjithë të vërtetën që ndryshoi jetën time, për të vetmen arsye, që të mund të jap një shkëndije drite edhe për ata të cilët mendojnë se nuk ka zgjidhje, për ata që mund të gjenden në një situatë si dikur që isha unë.

Libri juaj i parë, “Përdore fuqinë që ke brenda”, për dallim prej dy të tjerëve, është më shumë libër biografik. Hasim në të, më shumë se në dy të tjerët, ballafaqimin tuaj me shumë ngjarje të jetës, me shumë vështirësi. Pse duhet ta shkruanit këtë libër, t’ua zbuloni sekretet e suksesit të tjerëve dhe çfarë s’na keni treguar ende? 

Sikur ta kisha një libër të tillë në duart e mia kur unë isha në atë gjendje, e di se do ta kaloja shumë më lehtë atë gjendje që ma kishte humbur kuptimin për të jetuar. Pikërisht për këtë arsye, për ata njerëz që mund të përballen me vështirësitë me të cilat u përballa unë, erdhi libri “Përdore fuqinë që ke brenda”. Nuk e kisha fare të lehtë ta shkruaja por, kur e shkrova dhe e botova, ai më ndihmoi shumë në aspektin fizik, social dhe psikik. Nëpërmjet tij doja të përcillja mesazhe tek ata njerëz që e lexojnë, që më dëgjojnë gjatë ligjëratave, edhe tek ata njerëz që vazhdimisht më kërkojnë këshilla për jetën e të cilëve, sa herë që u flas, u tregoj se ndryshimin mund ta bëjnë duke lexuar librin tim “Përdore fuqinë që ke brenda”.

Vazhdimisht merrni komente nga lexuesit e librave tuaj. Çfarë ju thonë ata pas leximit të tyre? A ka ndryshuar gjë në jetën e tyre pas leximit të tyre?

E vërteta është se nuk ka asnjë ditë të vetme që nuk më shkruajnë lexues nga të gjitha vendet e botës kudo që ka shqiptarë, të cilët me falënderojnë për shkak se, nëpërmjet librave të mi, kam ndryshuar gjendjen e tyre mendore, shpirtërore dhe emocionale. Mesazhet më të shumta që më dërgojnë janë kësisoj: të falemnderit që më dhe shpresë për të jetuar përsëri!

Njerëzit kanë ide për të nisur një punë, por nuk kanë mundësi ta realizojnë, ndër të tjera, për shkaqe ekonomike. Çfarë duhet të bëjnë që ta realizojnë ëndrrën e tyre?

Shumë njerëz në botë arritjet më të mëdha që kanë bërë i kanë filluar pasi kanë pasur një mendim për realizim të tij dhe një dëshirë të zjarrtë, e jo se kanë pasur mundësi të mira ekonomike. Ekziston një ligj për të cilin flas në librat e mi, se nëse mendimi është i saktë, besimi i palëkundur, ideja e tyre do të lulëzojë dhe do të bëhet reale, sepse për punët e tjera do të kujdeset Zoti. Kur nuk është zjarri i ndezur në shpirt për arritje, ka justifikime të tilla pa fund, siç e zutë ngoje ju njërin shkaktar – gjendjen ekonomike.

Në të tre librat i nxitni lexuesit për ndryshim të stilit të jetës nëpërmjet meditimit dhe veprimeve praktike. Sa u ndihmon meditimi njerëzve për t’i ndryshuar zakonet e vjetra e të këqija?

Meditimi është një dhuratë hyjnore që ndihmon njeriun të lidhet me fuqinë e lartë. Jo vetëm që ndihmon për ndryshimin e zakoneve, por në çdo aspekt të jetës. Meditimi është shërues universal. Meditimi neutralizon shprehitë negative që na marrin energjinë dhe aktivizon çdo qelizë të nevojshme për t’u shëruar. Nëse flasim për fuqinë e meditimit, do të duhej të shkruanim mijëra rreshta. Thjesht, meditimi ndryshon jetën.

Krahas shkrimit të librave, mbani edhe ligjërata dhe punëtori për atë njerëz që ju paraqesin sfidat gjatë jetës së tyre. Në librat tuaj të fundit, “Ditari transformues” dhe “Libri transformues”, atyre, si duket, u keni dhënë shumë shembuj për tejkalimin e problemeve nëpërmjet shumë sfidave. Çfarë janë ato sfida?

Kam përfunduar trajnime të ndryshme nga mentorë të ndryshëm, edhe nga ndërkombëtarë. Duke parë rezultatet në jetën time, kam vendosur t’i ndaj edhe me të tjerët nëpërmjet librave. ‘Ditari transformues’ dhe ‘Libri transformues’ përbëjnë setin e librave për t’i ndihmuar njerëzit t’i ndryshojnë paradigmat e vjetra, me atë planin që më ndihmoi mua për bindjet që i kemi të krijuara nga e kaluara. Pjesën më të madhe të shënimeve në këta dy libra i kam quajtur sfida sepse të ndryshosh një sjellje, një dukuri të jetës sate, s’është e lehtë. Do kohë dhe mund. Por, me vullnet dhe këmbëngulje dhe me përsëritje të vazhdueshme mund tëaarrijmë synimin tonë. Me një fjalë, ‘Ditari transformues’ dhe ‘Libri transformues’ i ndihmojnë njerëzit për t’u liruar nga kufizimet dhe ua japin mundësinë për një jetë përplot mirësi.

Nëse dikush dëshiron të bëhet i pasur, si të bëhet?

Njeriu gjatë gjithë jetës përpiqet të pasurohet. Edhe kur pasurohet ndien mungesë të pasurisë. E keni vënë re se ata që kanë shumë pasuri edhe më shumë bëjnë përpjekje ta shtojnë? Ndodh kjo për arsye se nuk ndihen të plotësuar, sepse nuk e kanë mësuar të vërteten se jashtë nuk gjendet pasuria. E  vërteta është shtrembëruar e nuk na është mësuar se, së pari, duhet të pasurohesh në mendje e shpirt, pastaj pasuria kurrë nuk mungon.

Nëse dikush ka drojë se vuan nga një sëmundje, si të shërohet?

Së pari sëmuret mendja pastaj ndodh që trupi të sinjalizojë. Një fjalë që shumë herë e kam dëgjuar nga stërgjyshi im më ka ndihmuar shumë: “Mendja jote të vret, mendja të bën mbret”. Kjo lidhet me mendimin, i cili ka fuqi të madhe. Ja, p. sh., në  rast të prishjes së ekuilibrit – sëmundjes, është truri ynë, fryma jonë njerëzore, ajo që duhet t’i angazhojë gjenet në procesin e riparimit të organizmit. Ilaçi më i fortë në këtë drejtim është meditimi. Meditimi ndryshon mendimin dhe bindjen për të cilën keni dyshime dhe frikë. Meditimi neutralizon shprehitë negative që na marrin energjinë dhe aktivizon çdo qelizë të nevojshme për t’u shëruar. Truri luan rolin e çipit të kompjuterit duke i përpunuar të dhënat dhe dërguar informacione. Përmes meditimit përgatit qelizat e organizmit për të filluar ndryshimet. Dy herë në ditë meditim nga 20 minuta (në mëngjes dhe mbrëmje) me besim, dashuri e falënderime ndaj Krijuesit shërimi do të jetë i sigurt. Kur ndryshoni mendimin, ndryshon gjithë gjendja shpirtërore.

Ta zëmë, kemi bërë plan hapjen e një biznesi. Kemi dëshirë dhe vullnet ta realizojmë, por gjatë rrugës hasim në pengesa, së pari nga njerëzit, të cilët nëpërmjet kritikave dhe këshillave, na zbehin vullnetin për realizim të idesë. Si t’u përgjigjemi atyre?

Gjithmonë ekzistojnë njerëz të tillë. Këta njerëz nuk kanë arritur asgjë në jetë dhe kanë ëndrra që i mbajnë të fshehura brenda vetes por, nga frika, nga bindjet dhe kufizimet që u janë dhënë gjatë rritjes, ata jetojnë në zonën e rehatisë, jetojnë e vdesin  pa provuar ëndrrat e tyre, e bashkë me ta vdesin edhe ëndrrat e tyre. Jo kot thuhet se “planet dhe ëndrrat më të mëdha janë të fshehura në varreza”. E dini pse? Për shkak të frikës së dështimit. Me njerëz të tillë mos bisedoni fare, vetëm nëse i keni familjarë. Vazhdoni punoni në heshtje për ëndrrat dhe qëllimet dhe mbyllni veshët e mos ndaloni derisa të provoni se ju mund ta arrini qëllimin tuaj.

Çfarë u sugjeroni atyre njerëzve që s’kanë guxim të ndryshojnë gjë në të mirë të tyre edhe pse kanë ide të mira?

Atyre ua rikujtoj se janë të veçantë dhe nuk janë rastësisht në këtë jetë. Ata njerëz që më kanë kërkuar ndihmë, me të cilët komunikoj vazhdimisht, të cilët ishin, si thonë, në fund të pusit, sot janë në majë. Atyre u them: dilni nga zona e rehatisë e shpalosjani botës veçantinë tuaj. /Epoka e re/

Librat e autores Antigona Behrami mund t’i porositni duke i shkruar autores në rrjetin social “Facebook”, në llogarinë e saj personale: https://www.facebook.com/salloni.medina

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asambleisti në Kauntin e Weschesterit në SHBA, Vedat Gashi, është…