Te Ferrari bëhen gati për debutimin, Hamilton në Maranello për të parë makinën e re
Numërimi mbrapsht pothuajse ka përfunduar. Brenda pak ditësh Lewis Hamilton do të jetë për herë të parë në Maranello, më saktësisht javën e ardhshme. CEO i Ferrarit, Benedetto Vigna, e konfirmoi këtë gjatë një eventi në Milano.
“Te Ferrari ka një emocion të madh, një dëshirë të madhe për të filluar. Ne jemi duke përgatitur gjërat e fundit. Lewis do të jetë në Maranello javën e ardhshme. Ne jemi gati për gjithçka. Ndryshimet janë gjithmonë të mira”, ka thënë Vigna. Piloti britanik, 7 herë kampion bote në Formula 1, pritet që jo vetëm të shohë mjediset e reja të punës por edhe të provojë një makinë të vjetër Ferrari. Ai do të shohë nga afër se si funksionon “kokëkuqja”.
Hamilton do të shohë gjithashtu progresin e bërë me makinën e re Ferrari, që do ta pilotojë këtë vit. Në shkurt do të zhvillohen testet e vetme dimërore dhe ai do të jetë momenti i parë që do të provojë njëvendëshen e re.