TË FLASIM E TË SHKRUAJM PASTËR GJUHËN AMËTARE SHQIPE!

08 shkurt 2021 | 12:56

Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës

Gjuha standarde është ndër arritjet e mëdha të shkencave albanalogjike, që lidhet drejtpërdrejtë me një nga tiparet kryesore të identitetit tonë kombëtarë. Po kalojnë 49 vite nga Kongresi i Drejtëshkrimit. Gjuha është ndër tiparet kryesore të një kombi. Për lëvrimin e gjuhës shqipe kanë punuar shumë gjuhëtarë që nga autorët e vjetër e Rilindasit e deri më sot. Të gjithë gjuhëtarët e shkrimtarët janë udhëhequr e udhëhiqen nga vetëdia kombëtare, nga dashuria për atdheun e popullin, nga përkushtimi i madh për të studjuar, pasuruar e ruajtur të pastër gjuhën shqipe si dhe, përgjithësisht, për ta vlerësuar gjuhën standarde si një kusht kryesor të unitetit kombëtarë, ashtu siç e kanë popujt më të përparuar të botës.

   Gjuha shqipe formon një degë të veçantë të gjuhëve indoeuropiane. Karakteri indoeuropian i shqipes është përcaktuar e vërtetuar që nga mesi i shekullit XIX në saj të studimeve të gjuhësisë krahasuese.

   Ju jemi mirënjohës mjaft studiusve të huaj, që janë marrë e kanë studjuar dhe kanë përcaktuar se gjuha shqipe është grup i veçantë në gjuhët indoeuropiane dhe pasardhëse e gjuhës ilire.

   Filozofi i njohur, Gotfrid Vilhelm Lajbnic, ishte i pari që u muarr me lidhjen e shqipes me gjuhët e tjera dhe arriti në përfundimin, se “shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë.

  Hans Erik Tunman (1746-1778), historian suedez në vitin 1874 arriti në përfundimin, se shqiptarët janë vazhduesit autokton të popullsisë së lashtë ilire, të cilët as u romanizuan e as u asimiluan nga dyndjet e mëvonëshme.

   Johan Georg Fon Han (1811-1869, austriak gjatë studimeve të tij, nga burimet antike krijoi bindën se ilirët, epirotët dhe maqedonasit nuk ishin grek, por ishin më të vjetër se ata dhe e kishin prejardhjen nga pellazgët e lashtë. Njëkohësisht arrin në përfundimin, se gjuha shqipe ishte vazhdueze e drejtpërdrejtë e ilirishtes, kurse vetë ilirishtja rridhte nga pellazgjishtja.

  Franc Bop (1791-1867), gjuhëtar i shquar gjerman dhe themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese hostorike indoeuropiane, në veprën e tij më 1854, ka vërtetuar, se shqipja bën pjesë në familjen e gjuhëve indoeuropiane dhe nuk rrjedh nga ndonjë gjuhë tjetër simotër në kontinent, si edhegreqishtja.

  Dhimitër Kamarda, filolog arbëresh të Italisë ka dale në përfundim se gjuha e popullit shqiptar ishte ndër më të vjetrat e të gjithë popujve të Europës.

   Gustav Majer (1850-1900), professor austriak, albanalog i shquar në studimet e tij arriti në përfundimin, se gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja dhe përbënte një degë më vete në familjen e gjuhëve indoeuropiane.

  Eduard Shnajder, një studiues francez, që shërbeu në qeverinë osmane në Shkodër në librin e tij “Pellazgët dhe pasardhësit e tyre” më 1894, nxjerr ei konkluzion, se gjuha shqipe paraqitet si “tingëllimi më i pastër e më besnik i gjuhës pellazge”.

   Holger Pedersen (1867-1953), professor i shquar danez, nga studimet e tij shkencor arriti në përfundimin, se gjuha shqipe rridhte nga pararendësit e saj indoeuropiane e ilire.

  Kristian Sandfeld Jensen (1873-1942), nxënës i Pedersenit, nga studimet e tij, arriti ta përcaktojë shqipen si një nga gjuhët më të vjetra të Ballkanit dhe burimi i një vargu tiparesh të pastra gramatilore e sintaktsore të Ballkanit… Ai pranoi mundësinë e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja.

   Norbert Jokli (1877-1042), gjuhëtar austriak me origjinë gjermane-çifut, në studimet e tij mbësheti tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët dhe të gjuhës shqipe nga ilirishtja.

    Zefa Skiroi (1865-1927), filolog i shquar i arbëreshëve të Italisë, në studimet e tij hartoi e botoi librin e tij Gjuha Shqipe në vitin 1932.

    Jeronim De Rada (1814-1903), arbëresh i Italisë si dhe disa arbëresh të tjerë në studimet, kanë pohuar origjinën e shqipes si një gjuhë indoeuropiane me prejardhje nga pellazgjushtja permes ilirishtes.

   Vaso Pasha, gjuhëtar në studimin e tij të njohur “E Vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, botuar më 1879, argumentoi, se perënditë e lashta greke ishin huazuar nga stërgjyshërit pellazgë të shqiptarëve dhe tregoi se emrat e tyre nuk rridhnin nga grequshtja por nga shqipja. Ky pohim është mbështetur edhe nga studjues të mëvonshëm shqiptarë Konstandin Qekrezi e Kristo Dako. Mjaft shkrimtarë të hershëm shqiptarë ishin shumë krenarë për lashtësinë e gjuhës së stërgjyshërve të tyre.

     Gjuha shqipe është përcaktuar si një nga pjestaret më të vjetra të familjes indoeuropiane edhe nga filologë të tjerë të njohur si Antuan Meje, që ka botuar në vitin 1918 studimin “Gjuhët në Europën e re”. Jozef Suajer nga studimet e tij botoi librin “Shqipëria, lindja e një mbretërie”, arriti në përfundimin se raca shqiptare e ka prejardhjen nga emigrantët e hershëm ariandhe gjatë kohës historike ëdhtë përfaqësuar nga trako-ilirët dhe epirotët ose pellazgët, të cilët më pare paten populluar gjithë gadishullin e Ballkanit, që nga Danubi e deri në detin Egje. Ka vënë në dukje se shkrimtarët e vjetër i cilësonin epirotët si johelenë dhe se banorët e Maqedonisë, Ilirisë dhe Epirit flisnin gjuhë të njejtë dhe kishin zakone të ngjajshme.

  Gjuhëtari shqiptarë Leonidha Ndrenikastudioi në bibliotekën e Vatikanit dhe në institucionet e tjera në Itali dhe më 1936 botoi në Shkodër librin “Pellazgët dhe gjuha e tyre”.Në libër hartoi një fjalor krahasues, në të cilin vërtetohen prania e fjalëve pellazge-shqipe në greqishten dhe latinishten.  

   Janë edhe mjaft gjuhëtarë të huaj te gjysmës së dytë të shekullit XX-të, që kanë dhënë e vazhdojnë të japin kontributin e tyre për studimin e historisë së gjuhës shqipe, duke u marrë me gramatikën historike, me prejardhjen dhe me problem aktuale të gjuhës shqipe.

    Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit janë: Dhimitër Kamarda, arbëresh i Italisë, Konstandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqerem çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti etj.”

  Duke përshkruar një historik të përmbledhur të lëvruesve të gjuhës shqipe, siç e kanë vlerësuar shumë studjues, autorët e vjetër kanë një vend nderi që formuan me guxim traditën e shkrimit të gjuhës shqipe dhe krijuan vlerat letrare fillestare, duke kapërcyer shumë vështirësi e pengesa. Katër autorët e vjetër, Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani na kanë lënë një trashëgimi gjuhësore e letrare dhe kulturore të paçmuar, duke hedhur themelet e gjuhësisë tonë amëtare, krahas krijimit e konsolidimit të kulturave shkrimore kombëtare të popujve europianë.

Eqrem çabej në “Hyrjen studimore të botimit kritik” të “Mesharit” të Gjon Buzukut arriti në përfundimin: ”Kemi të bëjmë pikësëpari me një gjuhë letrare, prodhim edhe i një zhvillimi të mëparshmë të shkrimit edhe i përpunimit nga ana e këtij shkrimtari, i përpjekjeve individuale për të ngritur të folët popullore në një shkallë më të lartë të përdorimit. Dhe se ky libër është një vazhdim e njëkohësisht një fillim”.

   Dokumenti më i vjetë, që i ka mbijetuar kohës është Formula e Pagëzimit, shkruar nga Pal Engjëlli, ipeshkëvi i Durrësit në vititin 1462.

    Ipeshkëvi i Tivarit, Gulielm Adam shkruan në vitin 1332 një vepër latinisht për mbretin e Francës Filipi i VI-të dhe shënon edhe këtë frazë:”Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, kanë alfabetin latin në të tërë librat e tyre”.

   Kemi veprën e Marin Barletit “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut” në vitin 1508.

   Libri i pare i shkruar shqip vlerësohet “Meshari” i Gjon Buzukut në vitin 1555.

   Autori më i rëndësishëm tek arbëreshët e italisë ishte Lek Matrënga i cili në vitin 1592 botoi vjershën e parë në gjuhën shqipe “Këngë e përshpirtëshme”.

   Botimet e autorëve të vjetër për formimin e gjuhës letrare përbëjnë themelin e gjuhës letrare, që është e  domosdoshme të njihen veprat e tyre nga brezi i ri dhe  siç është propozuar nga disa autor, të përfshihen në antologjitë e letërsisë shqipe për shkollat.

   Nga mesi i shekullit XIX-të e deri në vitin 1912 nisi Rilindja Kombëtare shqiptare dhe letërsia që u krijua në ato vite, u quajtë letërsi e Rilindjas Kombëtare. Kjo letërsi kishte karakter patriotik e frymë popullore.Tematika kryesore e kësaj letërsie ishte dashuria për atdheun e popullin, evokimi i të kaluarës së lavdishme historike dhe lufta për çlirim kombëtarë e shoqërorë kundër pushtuesve osmanllinj. Kjo letërsi pati një karakter iluminist dhe më vonë kaloi drejt realizmit. Në veprat më të mira u shprehën idealet kombëtare, malli e dashuria për atdheun, krenaria për të kaluarën e lavdishme dhe ëndërra për ta parë Shqipërinë të lirë e të pavarur dhe të lulëzuar.

    Figura më e shquar e kësaj periudhe është Naim Frashëri, autori i poemës “Bagëti e Bujqësi”, “Historia e Skënderbeut” dhe e shumë poezive të tjera patriotike, lirike e filozofike. Po citoj poezin për gjuhën shqipe të Naim Frashërit:

     Gjuha jonë sa e mire,

      Sa ëmbël, sa e gjerë,

      Sa e lehtë, sa e d’lirë,

      Sa e bukur, sa e vlerë.

  Personalitete të tjera të shquara janë Zef Skiroi, Jeronim de Rada, A.Z. çajupi, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjeda, Asdreni etj.  

  Letërsia e Rilindjes Kombëtare hodhi edhe bazat e gjuhës letrare kombëtare. Rilindësit ia nisën të lëvronin gjuhën e letërsisë shqipe pothuajse nga e para, duke u nisur nga gjuha e folme e kohës dhe jo nga tradita e krijuar më parë nga autorët e vjetër nga mosnjohja e tyre. Vetëm Konstandin Kristoforidhi ka njohur veprat e dy autorët e vjetër, Budin e Bogdanit dhe i ka vjelur për hartimin e Fjalorit të gjuhës shqipe.

  Gjuha shqipe vlerësohet si gjuha më e lashtë në grupin e gjuhëve indoeuropiane dhe nga disa studjues edhe si gjuhë mëmësore e të gjitha gjuhëve indoeuropiane. Gjuha shqipe , si pasardhëse e ilirishtes, mbijetoi dhe u mbrojt nga pasardhësit e ilirëve, populli shqiptarë të të gjitha trevave ndër shekuj nga pushtuesit romak e bizantin, sllav e osmanllinj dhe lufta e tyre për t’i asimiluar shqiptarët dhe për t’u mohuar e ndaluar mësimin dhe shërbimet fetare në gjuhën shqipe.

    Trashëgojmë punimet e studimet e albanalogëve të mëdhenj shqiptarë, që kanë bërë gjatë shekullit të kaluar dhe fillimet e këtij shekulli si akademikët Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Idriz Ajeti, Mahir Domi, Selman Riza, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Kol Ashta, Jani Thomaj, Stefan Prifti, Emil Lafe, Jorgji Gjinari, Anila Omari, Martin Camaj, Kostaq Cipo,  Ethem Likaj, Fatmir Agalliu, Karl Gurakuqi, Jak Marlekaj, Kol Kamsi, Mustafa Kruja, Kujtim Kapllani, Mimoza Karagjozi-Kore, Mina Gero, Ndre Mjeda, Namik Resuli, Osman Myderizi, Petro Furiki, Arshi Pipa, Qemal Murati, Rami Memushaj, Justin Rrota, Nokë Sinishtaj, Sofika Morcka, Teuta Toska, Viktor Volaj.(Radhitja sipas wikipedia)

     Gjuhëtarët më në zë hodhën themelet e historisë e të etimologjisë, të morfologjisë e siantaksës, të leksikologjisë, të dialektologjisë e të fjalorëve të gjuhës shqipe, të cilat janë një pasuri e madhe kombëtare. Si rezultar i procesit të evoluimit të gjuhës shqipe dhe të studimeve të realizuara nga disa gjuhëtarë shqiptarë e të huaj dhe më pas nga Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Katedrave të gjuhës shqipe të Universitetit të Tiranës e të Instituteve të Larta Pedagogjike të Shkodrës, të Elbasanit e të Gjirokastrës. Paralelisht me aktivitetin shkecorë në fushën e gjuhësisë kanë punuar e kontribuar edhe gjuhëtarët e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, të Arbëreshëve të Italisë, studjues shqiptarë nga Universiteti i Shkupit dhe nga Mali i Zi. Nga të gjitha ato punime e studime shkencore u arrit të organizohet e realizohet Kongresi i Drejtëshkrimit, i cili qe mbarëkombëtarë.

     Kongresi i Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe vlerësohet si një veprimtari shkencore mbarëkombëtare. Kanë marrë pjesë 87 delegatë nga Shqipëria dhe nga shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe nga Arbëreshët e Italisë. Në Kongres janë pasqyruar arritjet dhe prirjet e zhvillimit të gjuhës, si dhe janë përcaktuar mbi baza shkencore parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit për gjuhën letrare të njësuar, apo siÇ quhet gjuha standarde. Kongresi është mbledhur pas Konsultës Gjuhësore të Prishtinës të vitit 1968. Referatin kryesor me temë “ Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme kryesore të drejtshkrimit” e mbajti profesor Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të gjuhës e  letërsisë shqipe.

      Në këtë Kongres kanë marrë pjesë e kanë referuarprofesor e studius nga Kosova e viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, nga arbëreshët e Italisë dhe studiusë nga vende të ndryshme të Europës. Formimi i gjuhës letrare të njësuar (gjuha standarde), është vlerësuar si një variant më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, që ka kaluar një proces të gjatë, i cili ka filluar në shekujt XVI-XVIII dhe ka vazhduar përpunimi i saj  në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare, si dhe gjatë shekullit XX, ku u arrit deri në atë Kongres. Në fund të punimeve të Kongresit u hartua një Projektrezolutë, e cila u miratua njëzëri nga delegatë e Kongresit të Drejtëshkrimit. Miratimi i Rezolutës për gjuhën letrare të njësuar ka rëndësi për sigurimin e unitetit kombëtar shqiptarë. Punimet e Kongresit të Drejtëshkrimit dhe Rezoluta u udhëhoqën nga motoja e Simpoziumit i vitit 1968 të  Kosovës“Një gjuhë një komb”, të propozuar nga akademiku i Kosovës, i ndjeri Ali Hadri.

       Vendosja e gjuhës standarde qe një proces i konsiderueshëm, ku afirmoi si bazë kryesore të saj si më të kristalizuar dialektin toskërisht. Pas ndërrimit të sistemit janë shprehur mendime e opinione të kundërta me vendimet e Kongresit të Drejtëshkrimit si këtej Drinit edhe përtej Drinit nga studiusë e politikanë dhe, për rrjedhojë, nuk zbatohet gjuha standarde as nga një pjesë e politikanëve dhe as nëpër institucionet zyrtare. Kam qenë e pranishme në punimet e Kongresit dhe nuk kam dëgjuar mendime e opinione të tjera.  Me siguri diskutime mund të jenë bë në rrethe të ngushta të gjuhëtarëve.

    Gjuha e njësuar e standarde shpreh nivelin kulturor të një populli e vendi. Ajo nuk mohon dy dialektet e nëndialektet dhe të folmet krahinore të zonave, sepse ato janë e mbeten thesar e burimi kryesor i pasurimit dhe përsosjes së mëtejshme të saj. Deri në vitin 1981 Instituti i Gjuhës e Letërsisë të Akademis së Shkencave ka organizuar e realizuar me gjuhëtarët më të mirë në bashkëpunim me Institutin Albanalogjik të Akademis së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe studjues shqiptarë nga Maqedonia ekspedita gjuhësore të dialektologjisë e të leksikologjisë në të gjitha trevat shqiptare  këtej e përtej Drinit. Ato studime e punime kanë qenë depozituar në Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë të Akademis së SHkencave dhe parashikohej, që të studjoheshin dhe të organizohej një veprimtari shkencore për të diskutuar rreth prurjeve të reja dhe mundësitë e përfshirjes në gjuhën Standarde. Çështë bërë me ato studime dhe ku e si kanë përfunduar pas ndërrimit të sistemit, nuk jam e informuar?!

   Është me shumë rëndësi  nisma e Shoqatë së Gjuhësisë Shqiptare dhe Institututit Albanalogjik të Prishtinës me organizimin e takimit shkenor për njohjen e veprimtarisë të Institutit Albanalogjik dhe për paraqitjen e revistës “Gjuha shqipe”, ku janë mbledhur në Tiranë gjuhëtarët këtej e përtej Drinit .

    Profesor Emil Lafe si përfaqësues i Shoqatës së Gjuhësisë shqiptare për botimin e revistës “Gjuha Shqipe” është shprehur:”Botimi i të dyjave revistave (në Shqipëri e Kosovë”) ka qenë domosdoshmëri. Ai është shprehur se “realizimit të domosdoshmërisë ia kanë hapur rrugën njerëzit me vizion dhe me zemër të madhe. I tillë ishte profesori ynë i paharruar Eqerem çabej”.

    Profesor Emil Lafe kujton se në Mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së shkencave në shkurt 1979 çabej mbajti një fjalim programor kushtuar gjuhësisë shqiptare në fushën e gjuhës shqipe e veçanërisht të gjuhës standade, duke e vënë theksin te pastrimi dhe pasurimi i mëtejshëm i gjuhës:”Jemi të mendimit, u shpreh çabej, se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe…Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi të dalë një botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e të pastrimit të gjuhës.”

    Në përgjigje të këtij propozimi, vazhdon prof. Lafe, të mbështetur edhe nga Akademia e Shkencave, duke e vlerësuar kujdesin ndaj gjuhës si përparësi të politikës kulturore të shtetit, Këshilli i Ministrave mori atëherë një vendim të posaçëm për “Krijimin pranë Këshillit të Ministrave të Komisionit të përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”. Një pikë e veçantë e Vendimit përcaktonte :”Për të trajtuar çeshtje të pastrimit të gjuhës shqipe të krijohet revista “Gjuha jonë”, organ i Akademisë së Shkncave”.  Sipas prof. Emil Lafes përqafimi dhe zbatimi vullnetar i një standardi gjuhësor të përbashkët ka qenë Rruga e parë e Kombit ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, para se të ndërtohej rruga e sotme”. Ndërsa gjuhëtarja e njohur shqiptare e Kosovës Shefkije Islamaj shprehet se:”Gjuha shqipe e standardizuar duhet të mbrohet dhe për këtë të shpallet një ligj”.

    Sipas traditës e propozimeve të profesorëve të nderuar, mendoj që dy Shtetet shqiptare krijojnë një Komitet të përbashkët vendimor pranë dy Akademive të Shkencave të Shqipërisë e Kosovës për organizimin e drejtimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe.  

    Kam ndjekur dhe ndjek me interes botimet dhe shkrimet e intervistat e prof. Eleni Kocaqi, e cila me punën e kontributin e saj, është shndërruar në një institucion më vehte studimor e botues dhe konsulence.

       Dihet se gjuha është si një organizëm i gjallë që evolon e pasurohet dhe zhvillohet, duke pasqyruar zhvillimet e reja politike, ekonomike, teknologjike e shoqërore, si dhe duke ruajtur vlerat kryesore.  Pas viteve ’90-të kanë hyrë dhe janë bërë pjesë përbërëse të leksikut të gjuhës shqipe disa termatë reja ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me zhvillimin e teknologjive të kohës dhe që janë të domosdoshme të përdoren për derisa nuk kemi emërtime në gjuhën shqipe, apo mundësi për t’i shqipëruar.  Me të drejtë janë korrigjuar e po korrigjohen disa shpjegime të fjalëve e të emërtimeve të karakterit ideologjik në fjalorin e Gjuhës Shqipe dhe në tekstet shkollore.

  Siç janë shprehur e shprehen mjaft gjuhëtarë të shquar në shkrimet e tyre e në emisionet televizive si profesorët Emin Lafe, Ethem Likaj, Xheval Lloshi e disa të tjerë, se gjuha shqipe ka probleme, që janë urgjencë kombëtare: Qeveritë e dy shteteve shqiptare mendoj,se e kanë si mision kujdesin për gjuhën shqipe:Ruajtjen, pasurimin e pastrimin e gjuhës shqipe nga huazimet e huaja ta vlerësojmë si ideal kombëtarë e princip kryesor të çdo institucioni dhe çdo shqiptari, duke e folur e shkruar pastër!

  I.-Nga 36 shkronja që ka gjuha shqipe, sipas Kongresit mbarëkombëtar të Manastirit (14-22 nëntor 1908), Kongresit të standartizimit të alfabetit përdoren vetëm 34 shkronja. Nuk përdoret ç-ja dhe ë-ja, dmth, dy shkronjat diakritike të shqipes, sepse nuk i kanë kompjuterat. Për pasojë shkruhen pashaporta e karta identiteti pa këto dy shkronja,duke i zëvendësuar ç-ën me c dhe ë-n me e. Pse pakësohet alfabeti i gjuhës shqip me dy shkronja, kur ato janë të domosdoshme? Emertimi i qytetit Korça shkruhet Korca;Viçish, shkruhet Vicisht, Ziçisht shkruhet Zicisht, çamëria, shkruhet Camëria e te tjera, që krijojnë problem në emërtime e gjetje dokumentesh, si dhe në deformimin e ndryshimin e toponimive të vendeve, fshatrave e qyteteve shqiptare, që janë të lashta dhe përmbajnë histori. Me ç’të drejtë hiqen e nuk përdoren këto dy shkronja të gjuhës shqipe?

   Po ndjek me interes dhënien e lëndëve mësimore në Televizionin Shqiptarë gjatë muajve të COVID-19, ku të gjithë mësuesit e mësueset shpjegojnë qartë e bukur, me metoda pedagogjike konceptet e mësimit sipas lëndëve. Janë për t’u përgëzuar të gjithë për punën, që po bëjnë në këto kushte pandemie. Më ka tërhequr shpjegimi e shqiptimi i qartë i 36 tingujve të gjuhës shqipe nga mësuesja e klasës së pare znj. Anila Londo. Bravo mësuese Anila! Gjatë vitit të kaluar për arsye pandemie, ka munguar dhe vazhdon të mungojë ushtrimi i nxënësve të klasës së parë për artikulimin e tingujve të gjuhës shqipe sa më qartë e drejtë, që mund ta realizojnë prindërit. Edhe disa diskutantë në Parlament, apo nëpër ekranet televizive nuk i shqiptojnë tingujt e gjuhës shqipe plotësisht, aqsa nuk kuptohen. Ka edhe prirje të të folurit e shpej, që jo të gjithë kuptohen. Flasin shpejtë në emisionet e tyre Rudina Magjistari e Alketa Veisiu që shkëlqeu si prezantuese e Festivalit të Sanremos vitin e kaluar, Eni Vasili, Rudina Xhunga, Mirela Milorisi dhe disa drejtues emisionesh televizive, por flasin shumë qartë e kuptueshëm për publikun. Po bëjnë një punë të veçantë në kushte pandemie aktorët e këngëtarët, humoristët, instrumentistët, koreografët e valltarët etj., pothuajse e gjithë sfera e kulturës dhe artit shqiptar, me gjuhën e artit për të argëtuar publikun shqiptarë dhe për të krijuar optimizëm e besim, se kjo zymtirë e pandemisë do të ketë një fund sa më të mirë në sajë të masave të dy shteteve shqiptare. Por duhen mbështetur.

 II.-Është e padrejtë të përdoren fjalë të huaja, kur ne kemi fjalët e bukura shqipe. Të gjithë shprehen okay, ciao, acomodim, implefentim e shumë fjalë e emërtime të huaja pa fund. Futja e fjalëve të huaja historikisht është bërë nga elitat politike. Gjatë periudhës së pushtimit romak e bizantin dhe sllav si dhe gjatë sundimit 500 vjeçare të pushtimit osman, elitat politike shqiptare filluan të përdorin mjaft fjalë dhe emërtime të gjuhëve të pushtuesve, për të treguar se kanë një farë kulture dhe, me keqardhje, ato huazime të panevojshme vazhdojnë të përdoren edhe tani, megjithse kemi fjalët e shprehjet e bukura shqipe. Pushtuesit përdorën edhe fenë e institucionet fetare, siç bëri edhe sundimi osman, që islamizoi shumicën e popullsisë shqiptare, duke i kthyer nga katolik e ortodoks në mysliman. Një pjesë prej tyre ndërruan edhe kombësinë nga shqiptarë në turq, siç janë regjistruar një pjesë e shqiptarëve në Maqedoni, apo në Bosnje-Hercegovinë nga prejardhje iliro-shqiptare e popullsisë, u kthyen në mysliman dhe sipas shpikjes së periudhës së Titos, u emërtuan edhe kombësi myslimane, kur dihet, se feja ka karakter kollaboracionist, ndërkombëtarë dhe nuk ka lidhje me emërtimin e kombësive.

    Edhe pushtuesit e tjerë si sllavët u përpoqën për të sllavizuar shqiptarët, nëpërmjet imponimit të mësimit të gjuhës së tyre dhe të futjes të fesë. Pothuajse e gjithë Golloborda e Dibrës është e populluar me shqiptarë që nga lashtësia e herëshme. Por pas ndërrimit të sistemit, një pjesë u kthyen në bullgarë e një pjesë në maqedonas, duke marrë pashaportat e këtyre shteteve. Kjo ka të bëjë edhe me ndërhyrjet e politikat e shteteve përkatëse, si dhe me qëndrimet e vendimet e Parlamentit shqiptar që, nga dy minoritete të njohura zyrtarisht para viteve ’90-të, grekë në Dropull dhe maqedon pranë Liqenit të Prespës, ka njohur 9 minoritete, kur shumica prej tyre përbëjnë grupe të vogla popullsie. Me siguri, me vendosjen e sirianëve në Shqipëri, nëse nuk do të kalojnë në vende të tjera të Europës dhe me vazhdimin e largimit të shqiptarëve nga Shqipëria, rrezikohet që të mos ketë më emërtim Shqipëri. Edhe pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist, filluan të përdoren këngë, fjalë e shprehje serbo-kroate e më pas rusisht, që kishte të bënte me futjen e gjuhës ruse në të gjithë sistemin arsimorë nga klasa e pestë e deri në vitet e fundit të shkollës së lartë. Deri në vitet 1976 75-80 % në shkolla mësohej si gjuhë e huaj rusishtja. Pas vitit 1978 ndryshoi raporti dhe mori prioritet anglishtja, frengjishtja, gjermanishtja e italishtja, spanjishtja dhe me grupe të vogla greqishtja e turqishtja. Mësimi i gjuhëve kryesore filloi të jepej edhe në ciklet e tjera të shkollave 8-vjeçare e të mesme, si dhe u hapën edhe klasë për mësimin e tyre nga kontigjente nxënësish të të gjitha rretheve në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. U ngritën edhe katedrat përkatëse për këto gjuhë. Ndërsa në Institutin e Lartë “Eqerem çabej” të Gjirokastës, si dhe në Fakultetin Histori-Filologji u hapën degët për mësimin e greqishtes si dhe u krijuan katedrat përkatëse.

  III.-Shumica e emërtimeve të dyqaneve dhe të bizneseve si kafe e restorante dhe hotele kanë emërtime të huaja, aqsa të krijohet përshtypja, se je në një vend të huaj e jo në Shqipëri. Emërtimet e huaja në Shqipëri, s’kanë të bëjnë me integrimin europian. Si territor kemi qenë e jemi e do të vazhdojmë të jemi në Europë, si dhe do të integrohemi në Europë me të gjitha traditat historiko-kulturore të popullit shqiptarë, me identitetin tone si shqiptarë, si populli më i lashtë në Europë, që na bën të jemi krenarë. Emërtimet e rrugëve e të objekteve vihen nga funksionet që kryejnë, si dhe nga ngjarjet e rëndësia historike  dhe i personaliteteve, që kanë lënë gjurmë në jetën e vendit. Kur shkoj në Kosovë më vjen mire, sepse lexoj emërtime shqip “Barnatore”, “Thertore”, “Shetitore” si dhe emërtime të tjera shqiptare, Restorant Tirana, Restorant Vlora e të tjerë. Dhe ndihem mirë, sepse jam në atdheun tim.

     Ndërsa në Tiranë u emërtua “Pedonale” rruga këmbësore nga Teatri Kombëtarë e deri afër Parlamentit dhe sipas këtij shembulli jo të mire, të gjitha qytetet e Shqipërisë shetitoret i quajnë pedonale. Pra Tirana ndikon për mire, por edhe për keq në Shqipëri.

  IV.-Përdorimi i fjalëve dhe emërtimeve të shkurtuara, që e dëmtojnë gjuhën shqipe. Shpesh si përgjigje të mesazheve shënohet: FLM, INFO e të tjera si këto. Apo emërtimet: PS, PD, PDS, LSI, PR, PBK, PPP, KLSH, VKM, SPK, GJK, ……. si dhe emërtime të institucioneve shtetërore etj, që me kalimin e kohës, kur mund të mos jetë ndonjera nga këto parti apo institucion shtetëror, do të ketë vështirësi studiuesi për t’u orjentuar.

  V.-Të flasim e shkruajmë mirë gjuhën standarte shqipe në shkollë nga mësuesit e nxënësit, në ekranet televizive, në zyrat shtetërore të të gjitha niveleve, në Kuvendin e Shqipërisë, në forumet partiake, në organet e drejtësisë e ato noteriale, në mediat e shkruara dhe botimet shkollore, letrare e artistike etj., sepse ndikojnë drejtpërdrejtë tek shqiptarët. Befasohesh, kur merr mesazhe dhe emaile nga persona me arsim të lartë, që kanë mbaruar edhe për gjuhë-letërsi-shqipe dhe shkruajnë me gabime. Ndikon tek populli jo për mirë, kur në Kuvendin e Shqipërisë në zyrat e shtetit apo edhe në shkolla flitet me dialekt dhe përdoren fjalë të huaja, për t’u paraqitur si kuadro me kulturë. Përdorimi i gjuhës standarte, s’përjashton dialektet, që përdoren në komunikimin familjarë e shoqëror, apo për identifikimin e personazheve në letërsi e filma, në teatro apo spektakle humoristike etj.

     Sipas principit të kohës e hapsirës, janë realizuar edhe filmat artistik para viteve ’90-të. Nuk mund të përdorej gjuha letrare në dialogjet e personazheve, ku përshkruheshinsubjekte e episode të shekullit XIV-të. Tek filmi “Nëntori i Dytë” Isa Buletini i drejtohet Ismail Qemalit me të folmen e Kosovës, si dhe anëtarët e qeverisë: Dom Nikoll Kaçori, Luigj Gurakuqi, gjeneral Mehmet pashë Dëralla, Myfit bej Libohova, Abdi bej Toptani, dr. Petro Poga, Mithat bej Frashëri, Pandeli Cale, Lef Nosi kanë biseduar me të folmen sipas krahinave nga kishin ardhur.

    Por të mos kalohet në ekstrem për gjuhën e njësuar. Skenari dhe filmi “Skënderbeu“ prodhim i vitit 1953 është konceptuar e realizuar me vizionin e  historianëve të shquar si të Aleks Budës, Kristo Frashërit, Stefanaq Pollos etj, që , në ato vite, ishin marrë e kishin studjuar atë periudhë dhe epokën zulmëmadhe të Skënderbeut. Dixhitalizimi i filmit “Skënderbeu” me ngjyra është bërë mire. Mendoj se më me efekt te spektatori kishte kur ishte pa ngjyra. Por dublimi sipas gjuhës standarde, megjithë të folurit e rrjedhshëm e të diksionit kumbues të artistit të shquar Rikard Ljara, nuk ka atë efekt që kishte gjuha e aktorëve tek filmi, sepse tek filmi Skënderbeu përshkruhen ngjarje të mesit të shekullit të XIV-të, kur fliteshin e kishin filluar të shkruheshin me alfabet latin e grek të dy dialektet, gegërishtja e toskërishttja. Ende s’kishin filluar përpjekjet për gjuhën e njësuar letrare.

     VI. Është e domosdoshme dhe urgjente të forcohet dhënia e gjuhës shqipe në shkollat e ciklit 9-vjeçarë.

Sami Frashëri ka thënë:

   Nëse do të mbjellësh për një vit,

   mbill misër e grurë.

   Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë,

   mbill arsim e kulturë.

    Por kjo kërkon, që tekstet e albanalogjisë, duke filluar nga abetarja, gjuha e leximi, historia e popullit shqiptarë të jenë unike dhe të mos ketë tekste alternative për këto lëndë. Mund të përdoren tekste ndihmëse, për të zgjeruar njohuritë e nxënësve. Hartimi i teksteve të abetares duhet t’i përmbahet gjuhës shqipe, si gjuhë e veçantë në grupin e gjuhëve indoeuropiane dhe të mos lejohen të përdoren abetare të hartuara sipas modelit tëgjuhëve neolatine, që e vështirësojnë mësimin e alfabetit të gjuhës shqipe nga nxënësit. Në vitin 1937 profesor Kol Xhumari e ka pas eksperimentuar një model të tillë abetarje dhe, meqë nuk pati sukses, iu rikthye modelit të tekstit të abetares, që e hartoi dhe u përdor r shumë vite deri më 1991, që përveç politizimeve, ka qenë abetare e mirë. Kujdes kërkohet të bëhet edhe në hartimin e teksteve të lëndëve të tjera, që të redaktohen e korrigjohen nga specialistë të gjuhës shqipe, sepse një pjesë e botimeve të deritanishme rezultojnë me gabime, që ndikojnë negativisht tek nxënësit.

 VII.Prindërit të bëjnë zgjedhjet e duhura për vënien e emrave të fëmijve, të nipave e mbesave, që të jenë emra ilir e shqiptar. Ne shqiptarët kemi trashëguar shumë emra e mbiemra turq. Para viteve ’90-tëprofesor Selim Islami pati botuar një fjalorth me emra ilir, të mbledhur nga gërmimet arkeologjike. Me siguri, janë bërë botime me emra shqiptarë, që prindërit duhet të njihen dhe zyrat e gjendjeve civile duhet t’i kenë dhe mund t’u bëjnë sugjerimet e duhura prindërve.

   Emrat ilir e shqiptar të vihen në tekstet shkollore, sepse ka një prirje për vënien e emrave të huaj. Jam befasuar nga studimi i abetareve, që përdoren në shkolla, kur në njërën prej tyre nuk kishte asnjë emër shqiptar apo ilir. Kur tregimi apo emërtimi e fjalia është shqip edhe emri i personazhit duhet të jetë shqiptar. Abetaret hartohen e botohen dhe përdoren për fëmijët shqiptar e jo për fëmijët e Europës. Kur hartuesit e teksteve udhëhiqen nga ndjenja kombëtare, e dijnë sesa vlerë kanë vendosja e emrave ilir e shqiptar.

 VIII.Ta edukojmë veten, që të flasim, bashkëbisedojmë dhe diskutojmë me kulturë, se “fjala bën kala dhe fjala bën hata”, thotë populli! Diskutimet me kulture e argument, dëgjohen me vemendje e kënaqësi dhe dëgjuesit nxjerrin mësime.

   Ndikim të madh në popull për gjuhën kanë politikanët dhe mediat e shkruara e televizive. Politika është art i drejtimit të shtetit. Politikanët e aftë e njohin protokollin dhe zotërojnë aftësinë e oratorisë. Politikanët përdorin fjalën e fjalimet dhe diskutime e debate, për të transmetuar ide e projekte dhe strategji kombëtare, si dhe për sektor e zona të caktuara. Politikanët vizionarë udhëhiqen nga projekte e strategji konstruktive. Ndërsa politikanët pa vizione apo me prirje të dyshimta, udhëhiqen nga destruktiviteti, siç ndodhi pas viteve ’90-të, që shkatërruan  gjithçka dhe e çuan vendin në zero, duke shpërdoruar e nëpërkëmbur mundin e djersën e 2-3 brezave të shqiptarëve, që sollën si pasojë largimin e shqiptarëve për të punuar jashtë si krah të lirë pune dhe Shqipërinë në treg shitje të shtrenjtë, duke shprazur magazinat e materialeve të skaduara të Europës.

    Gjuha banale e fyese me akuza e kundërakuza, deri edhe me zënie me grushta është tregues i papërgjegjshmërisë së politikanit, që ndikon negativisht tek populli. Gjuha banale e zënia me grushta deri edhe me armë, shpreh urrejtje e ndjenja të hakmarrjes, si tregues të primitivizmit.

      Janë stigmatizuar disa shprehje nga partite politike, për të etiketuar kundërshtarët politik, si “Të inkriminuar”, “hajdut”, “kriminel”, “tradhëtar”, Bashkëpunëtor I Serbisë Apo Greqisë” etj. Populli thotë: ” Shqipëri gjithmonë hajduti ka akuzuar të ndershmin, tradhëtari ka akuzuar patriotin, vrasësi ka akuzuar viktimë etj.”

     Gjuhën banale e fyese dhe akuzat e kundërakuzat e politikanëve i pasqyrojnë cdo ditë në kryeaartikujt e titujt bombastik të gazetave, që të ngjallin mërzi e pesimizëm dhe trishtohesh. E fillon ditën me ankth e ndjenja frike për të ardhmen. Si dhe pse flitet me një gjuhë aq të ashpër e të papërgjegjëshme?! Shprehje të tilla tregojnë sa mungesë kulture, aq edhe mungesë argumenti. Deklarmet e tilla publike, me siguri, duhet te ndiqen nga organet gjyqësore. Nuk janë hetuar e ndjekur për afro 30 vjetë shkatërimi i qindra fabrikave e uzinave, kombinateve e ndërmarrjeve ekonomike, institucioneve arsimore e kulturore, shëndetësore, Institute të bujqësisë e sera, ndërmarrje bujqësore e Ferma me pemtore  e të tjera dhe në fund, më 1997 shkatërimi i Shtetit dhe Ushtrisë, sipas parrullës së PD, për ta  shndërruar Shqipërinë në zero. Drejtuesit e asaj periudhe mund të vlerësohen ose si persona dritshkurtër, ose të dyshimtë, sepse shkatërruan djersën e mundin e afro 3 brezave dhe hoqën mundësinë e punësimit të shqiptarëve në Shqipëri. Me siguri, do t’i përshkruajnë e dokumentojnë historianët, për të nxjerrë mësime në raste të ndërrimit të sistemeve politiko-shoqërore.  

   Po hyjmë në vitin e dytë të pandemisë dhe dy Qeverit shqiptare kanë marrë masa dhe po i ndjekin misionet e detyrat e tyre. Në kushte lufte kundër coronavirusit e mutacioneve të reja, që kanë filluar të duke, opozitat duhet t’u ishte afruar Qeverisë për krijimin e një shtabi të përbashkët dhe ta drejtonin bashkarisht këtë luftë kundër këtij armiku të pëtbashkët botëror. Në kohë kufte shqiptarët historikisht kanë falur hasmëritë dhe kanë luftuar në një front kundër pushtuesve. Pandemia është një pushtues mbarë botëror dhe po bëhet një luftë me karakter mbrojtës dhe e veçantë.

    Mjekët e opozitës duhet të kishin shkuar nëpër spitale dhe të vishnin bluzat e bardha e të shërbenin drejtperdrejtë dhe jo të qëndrojnë në emisionet televizive thjesht për të kritikuar dhe ndonjeri edhe për të damkosur institucionet shëndetësore e personelin e shëndetësisë. Opinioni i përgjithshëm është, se po bëhet një punë heroike nga bluzat e bardha të të gjitha spitaleve e mjekët e familjes dhe, veçanërisht, nga katërspitalet Covid 1, 2, 3, 4, që kanë të sëmurë më covid, dmth, janë në vijën e pare të frontit në këtë luftë dhe si të tillë janë më të rrezikuar për t’u infektuar vetë dhe pjestarët e familjeve të tyre, siç ka ndodhur. Personeli i mjekësisë që punon në pavione me të sëmurë covid, siç qe rasti i profesor Arjan Harxhit, që u kurua në Turqi, sepse qe rëndë, shpenzimet duhet t’i përballojë shteti.

   Janë për t’u falenderuar e krijuar kushte dhe inkurajuar e mbështetur mjekët dhe personeli mjeksorë, që punojnë në spitale dhe jashtë spitaleve, për të kuruar të sëmurë nëpër shtëpia pa pushim, natë e ditë. Me të drejtë qeveria u ka dhënë pagesë suplementare me kushtet e Shqipërisë. Me sakrificat, që po bëjnë mjekët, a i lejohet një politikani apo politikanie të shprehet:”Kush futet në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, del i vdekur”. Me ç’të drejtë morale hedh baltë e nxinë punën heroike të një institucioni?! Ky etiketim i spitalit shtetëror, krijon mungesë besimi tek pacientët dhe nxit psikoza vetflijimi tek të sëmurët me covid, siç kanë ndodhur, hedhjet nga dritarja e spitaleve. Akuzat që bëjnë politikanët, nuk e di nëse indjek ndonjë organ, për t’i verifikuar dhe për të bërë sqarimet e nevojshme, apo për t’i ndjekur në rrug ligjore.

   Një episod të mesazheve whatsApp midis motrave, si tregues, ku marrin pjesë edhe familjarët e personelit të shëndetësisë, që punojnë tek spitalet Covid-19:

 Profesore e asociuar, doktoreshe Alma Cani, shefe e Reanimacionit e n/drejtoreshe ne Spitalin “Shefqet Ndroqi”: Sapo lindi një grua me covid tene në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. U detyruam të bëjmë lindjen në sallat tona të operacionit.Gruaja ishte me covid dhe shtatzan në muajin e 8-të. U detyruam ta provokonim lindjen pasi pacientja bëri arrest kardiak dhe e intubuam. Erdhi ekipi i maternitetit “Koço Glozheni” me obsetër për të bërë ndërhyrjen te ne në spital.

  Brikena: Qoftë me jetë ajo dhe fëmija! Forca Alma! çfarë emocioni na krijove!

  Alma: Po bëjmë shumë kujdes për të dy.

  Brikena: Aman se gjynah. Sa i bukur ai fëmija! O perëndi ndihmoji të dyja!!! Alma! Më enjte! Po qaj si fëmij.

  Ilda: Past ardhë me këmbë të mbarë! Ka lindur në datën e lindjes të babait tone. Qoftë më jetë të gjatë e të lumtur! Forca ekipi më imire në botë!

   Brikena: Sa bukur motra e ke thënë!

   Ilda: Forca Kena! Përjetësoje këtë moment heroizmi me poezi!

  Brikena: O jetë e bukur!…Pa fjalë! Ajo foto e fëmijës me duart e lidhura, një endërr!

  Ilda: Sot e nisa ditën, duke kujtuar fjalën e madhërushme të nanëdajës thënë me 21 korrik 1981 rreth ores 11: Ke marrë punë burrash, qëndro si burrat!” fjalë e fjali lapidare, që do ta trashëgojmë brez pas brezi.

  Forca Alma jonë! Je dashuria dhe zemra e oksigjeni I të sëmurëve dhe i yni! Ke zgjedhur këtë punë si mjeke dhe qëndro e lartësohu si gjithmonë!

  Episode të tilla të të sëmurëve i përjetojmë vazhdimisht, ditën e natën ne familjarët e mjekëve, që shërbejnë tek Spitalet Covid-19.

 Tiranë, më 7.2.2021

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alisson Becker është një nga portierët më të mirë në…