Të gjitha rrethanat na thonë se Nisma shkon e vetme në zgjedhje
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, aktualisht kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë të dielën se të gjitha rrethanat thonë që Nisma do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se në këto zgjedhje presin që qytetarët ta vlerësojnë punën e Nismës në qeverisje dhe programin e saj zgjedhor socialdemokrat.
“Romakët e vjetër e kishin një shprehje e cila thoshte: ‘Të gjitha rrugët të çojnë në Romë’. Të gjitha rrethanat na thonë që Nisma në zgjedhje të parakohshme shkon e vetme”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se Nisma nuk vendos vija të kuqe për asnjë parti që mund t’i fitojë zgjedhjet.
“Nisma nuk vendos vija të kuqe për asnjë parti që mund t’i fitojë zgjedhjet. Kushtet e vendosura në atë shkrim timin kanë pasur për qëllim mos bërjen e koalicioneve parazgjedhore me asnjë parti tjetër dhe jo vetëm me PDK-në, por shkrimi është parë në një dimension tjetër, që unë nuk e kam menduar. Shkurt, nuk kam qenë e nuk jam për koalicione parazgjedhore të ‘meshavinave’ politike, por kjo varet shumë nga rezultati zgjedhor pas zgjedhjeve”, ka theksuar ai.
Sipas Krasniqit, nëse kemi parasysh deklarimet e partive politike shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e parakohshme nuk kanë alternativë.
Ai ka thënë se ka pak apo hiq gjasa për formimin e një qeverie teknike. “Ka vite që zhvillimet politike në Kosovë kanë në të shumtën dy agjenda. Agjenda e bisedimeve me Serbinë dhe ajo e zgjedhjeve apo ndonjë zhvillim tjetër dhe që të gjithë kanë një qëllim: si të mashtrohen zgjedhësit për të fituar sa më shumë vota, por synimi nuk është për të qeverisur mirë. Nëse i kemi parasysh deklarimet e partive politike, shpërndarja e Kuvendit nuk ka alternativë, ashtu edhe zgjedhjet e parakohshme. Qeveria teknike ka pak apo edhe hiq gjasa”, ka deklaruar ai.
Sipas Krasniqit, opsioni më i mirë do të ishte sikur mandatet qeverisëse të ishin kushtetuese (katërvjeçare), por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë. “Sikur zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme të ishin të lira, të drejta, të ndershme e demokratike, nuk e dëmtojnë vendin, por zgjedhje të tilla ende nuk kemi parë. Zgjedhjet e tilla do të ishin në shërbim të integrimeve euroatlantike”, ka thënë ai.
Në këtë intervistë Krasniqi ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast ka thënë se presion për vazhdimin e këtij procesi duhet t’i bëhet Serbisë.
“Presioni i vendeve perëndimore duhet të drejtohet mbi Beogradin, pasi aty janë pengesat kryesore për dialogun dhe rezultatet pozitive të dialogut të zhvilluar për disa vite në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së. Pas vendimit të GJND-së, se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me të Drejtën ndërkombëtare, presioni ndërkombëtar është dashur ta ketë vetëm një adresë: Serbinë!”, ka theksuar ai.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi si e shihni ecurinë e zhvillimeve në skenën politike, do të ketë shpërndarje të Kuvendit të enjten dhe zgjedhje të parakohshme apo do të krijohet një qeveri teknike?
Krasniqi: Ka vite që zhvillimet politike në Kosovë kanë në të shumtën dy agjenda. Agjenda e bisedimeve me Serbinë dhe ajo e zgjedhjeve apo ndonjë zhvillim tjetër dhe që të gjithë kanë një qëllim: si të mashtrohen zgjedhësit për të fituar sa më shumë vota, por synimi nuk është për të qeverisur mirë. Nëse i kemi parasysh deklarimet e partive politike, shpërndarja e Kuvendit nuk ka alternativë, ashtu edhe zgjedhjet e parakohshme. Qeveria teknike ka pak apo edhe hiq gjasa.
“Epoka e re”: Sipas jush, cili do të ishte opsioni më i mirë për të ardhmen e vendit?
Krasniqi: Opsioni më i mirë do të ishte sikur mandatet qeverisëse të ishin kushtetuese (katërvjeçare), por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Opsioni më i mirë do të ishte ndryshimi për qeverisje të mirë. Por, kjo ndodh nëse qytetarët e refuzojnë mashtrimin dhe manipulimin.
“Epoka e re”: Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme a do ta dëmtojë vendin në procesin e integrimeve euroatlantike dhe proceseve të tjera?
Krasniqi: Sikur zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme të ishin të lira, të drejta, të ndershme e demokratike, nuk e dëmtojnë vendin, por zgjedhje të tilla ende nuk kemi parë. Zgjedhjet e tilla do të ishin në shërbim të integrimeve euroatlantike.
“Epoka e re”: ShBA-ja dhe Quint-i po bëjnë thirrje për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të mund të rifillojë ky proces para krijimit të institucioneve të reja nëse do të ketë zgjedhje në vjeshtë?
Krasniqi: Presioni i vendeve perëndimore duhet të drejtohet mbi Beogradin, pasi aty janë pengesat kryesore për dialogun dhe rezultatet pozitive të dialogut të zhvilluar për disa vite në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së. Pas vendimit të GJND-së, se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me të Drejtën ndërkombëtare, presioni ndërkombëtar është dashur ta ketë vetëm një adresë: Serbinë!
“Epoka e re”: Z. Krasniqi të gjitha partitë politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e reja, cilat janë pritjet e Nismës nga këto zgjedhje?
Krasniqi: Partitë gjithnjë e kanë të drejtën të përgatiten për zgjedhje. Zgjedhësit duhet të përgatiten që të votojnë për programet politike e zgjedhore, të cilat programe duhet të lexohen e rilexohen me kujdes. Qytetarët duhet t’i ndëshkojnë të gjitha partitë politike që kanë pasur kryeministrin e tyre në qeveritë e pas pavarësisë dhe kanë qeverisur shumë keq. Në këto zgjedhje ne presim që qytetarët ta vlerësojnë punën e Nismës në qeverisje dhe programin e saj zgjedhor socialdemokrat. Qytetarët duhet ta vlerësojnë ofertën e Nismës Socialdemokrate, gjuhën e saj të komunikimit dhe vendosmërinë e saj për të sjellë ndryshimin. Jam i bindur se ndryshimi në Kosovë vjen me Nismën Socialdemokrate. Natyrisht, ndryshimi nuk vije pa vullnetin e lirë të qytetarëve për ndryshim. Në votën e qytetarëve është çelësi i ndryshimit për qeverisje të mirë.
“Epoka e re”: Nisma do të garojë e vetme apo në koalicion parazgjedhor?
Krasniqi: Romakët e vjetër e kishin një shprehje e cila thoshte: ‘Të gjitha rrugët të çojnë në Romë’. Të gjitha rrethanat na thonë që Nisma në zgjedhje të parakohshme shkon e vetme.
“Epoka e re”: Ju nuk e keni përjashtuar mundësinë e një koalicioni edhe me PDK-në, pse mendoni se do t’ i duhet vendit një koalicion i tillë?
Krasniqi: Nisma nuk vendos vija të kuqe për asnjë parti që mund t’i fitojë zgjedhjet. Kushtet e vendosura në atë shkrim timin kanë pasur për qëllim mos bërjen e koalicioneve parazgjedhor me asnjë parti tjetër dhe jo vetëm me PDK-në, por shkrimi është parë në një dimension tjetër, që unë nuk e kam menduar. Shkurt, nuk kam qenë e nuk jam për koalicione parazgjedhore të “meshavinave” politike, por kjo varet shumë nga rezultati zgjedhor pas zgjedhjeve.
Shqipe HETEMI