TË GJITHA RRUGËT E USHTRISË SË KOSOVËS TË ÇOJNË NË PREKAZIN E ADEM LEGJENDARIT
Jakup Krasniqi
Në vigjiljen e 27 vjetorit te sulmit serb mbi familjen Jashari:
(Në përkujtim të 27 vjetorit të ngjarjes së 30 dhjetorit 1991, ngjarje kjo që i dha udhën e mbarësisë Lirisë, Pavarësisë e Ushtrisë sonë – Sigurisë së kombit tonë për dje, sot e nesër.)
Në historinë e Kosovës të shekullit XX, nuk ka personalitet tjetër, që Lavdia për lirinë, pavarësinë dhe ushtrinë tonë i shkon më mirë se Adem Legjendarit, pasi ai kurrë nuk e kërkoi lavdin, por e meritoi atë me flijimin më të pazakontë e të panjohur jo vetëm në historinë tonë shumëshekullore.
Veç traditës se njohur shekullore të kombit tonë për Liri e Pavarësi dhe përvojës së kryengritëse së Lëvizjes Kombëtare Klandestine për Çlirim të pas Luftës së Dytë Botërore, formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka paraprirë dhe ia ka krijuar bazamentin themeltar, rezistenca e armatosur e 30 dhjetorit të vitit 1991 e organizuar nga Adem Jashari.
Parahistoria e UÇK-së pa fije dyshimi që është shumë më e hershme sesa Formacioni i Armatosur i Adem Jasharit i cili dha krah e zë një kthese të re çlirimtare. Në vitin 1991 në Kosovë ishin bërë shumë arrestime dhe ishin zënë shumë armë e burgosur njerëz. Adem e Hamëz Jashari ishin në dijeni të këtyre arrestimeve e burgosjeve që po i bënte armiku në anë të ndryshme të Kosovës. Vendet ku bëheshin këto arrestime e sidomos njerëzit që u arrestuan e patën bindur Komandanti e ardhshëm të UÇK-së, se një ditë forcat armike do t’i shkonin edhe do t’i trokisnin edhe atij në familjen e tij në Prekazin e Poshtëm të Drenicës. Kjo situatë e kishte bërë Komandantin që ta mbante të informuar dhe të përgatitur Formacioni e tij. Ata të gjitha përgatitjet po i bënin për të luftuar kundër armikut në çdo kohë që ai do t’ia mësynte familjes së tij dhe Prekazit të Poshtëm.
Dita e pritshme erdhi në mëngjesin e 30 dhjetorit 1991, kur forca të mëdha policore e rrethuan në familjen e Shaban Jasharit në Prekazin e Poshtëm. Aksioni i hershëm i policisë armike, Formacionin e Armatosur të Adem Jasharit nuk i gjeti të papërgatitur. Që nga orët e hershme të mëngjesit të asaj dite dimërore e deri në orët e vona të mbrëmjes u zhvilluan luftime në mes forcave policore serbe dhe Formacionit të Armatosur të Adem Jasharit.
As sot pas 27 viteve, rezistenca e armatosur e 30 dhjetorit 1991 nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse një fillim i mbarë i cili hapi hullinë e drejtimit të kombit tonë në rrugën e Lirisë e të Pavarësisë që i kemi sot. Shumë kush atë rezistencë e interpretuan si mbrojtje e “pragut të shtëpisë”, por në fakt, pushkët e Adem Legjendarit, po bëheshin mbi të gjitha për mbrojtjen e çlirimin e Kosovës.
Formacioni i Armatosur i Adem Jasharit që në nismën e tij ishte formuar e përgatitur seriozisht për çlirimin e Kosovës nga pushtimi i gjatë dhe i egër serb. Ndërsa pushka e Adem Jasharit dhe e çetës së tij ishte kushtrimi i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte kushtrimi i popullit të Kosovës, për ta paralajmëruar atë se koha e luftës çlirimtare kishte ardhur. Prandaj për ketë luftë duhej të bëheshin përgatitje serioze.
Kështu nisi rrugën e saj Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ushtria e Adem Legjendarit e cila Kosovës ia solli lirinë, pavarësinë dhe në 27 vjetorin e saj ia solli Ligjësimin e Ushtrisë së Kosovës në Institucionin më të lartë ligjvënës e përfaqësues të Kosovës!
Të gjithë qytetarët e Kosovë, i madh apo i vogël qoftë, zyrtarë shtetëror apo kryezyrtarë qofshin ata veçanërisht, përkuljen, nderimin e falënderimin për çdo ndryshim pozitiv e veçmas për çdo gjë që ka të bëjë për sigurinë e atdheut e të kombit, duhet të bëhen në Memorialin e Prekazit Legjendar. Asnjë veprim idhnak e inatqor i këtij apo atij personi, i madh apo i vogël qoftë s’mund ta zbehë Lavdinë e veçantë të Jasharëve Legjendar!
Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari!
Lavdi Jasharëve Legjendar!
Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve të Kombit!
Lavdia qoftë e përjetshme për të gjithë brezat atdhetar të flijuar për liri dhe atdhe!