Të gjitha votat për numrin 1 në listën e LV-së do të numërohen
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook” ka thënë se të gjitha votat për numrin 1 në listën e LV-së do të numërohen.
“Vota për numrin 1 në listën tonë nuk është votë e pavlefshme as për subjektin dhe as për kandidatët tjerë. Vota për numrin 1 është votë për praninë që nuk mund të bëhet mungesë. Çdo votë për numrin 1 është votë për Albin Kurtin. Është votë kundër padrejtësisë që u bë nga institucionet e kapura”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka theksuar se disa pushtetarë, me anë të kontrollit që kanë mbi KQZ-në e institucionet e tjera, e bënë këtë veprim vetëm që të pamundësojnë atë që dihet, që Kurti do të legjitimohet kësaj radhe me një numër shumë të madh e historik votash.
“Ata i tremben legjitimimit dhe mbështetjes për Kurtin sepse e dinë që atë legjitimitet ai do ta përdorë për ta luftuar korrupsionin dhe për ta zhvilluar vendin. Por, Kurti mund ta marrë legjitimitetin edhe kështu, duke votuar numrin 1 në listë prandaj pas numrit 127, numrit të Lëvizjes, vazhdoni me numrin 1!”, ka shkruar Haxhiu.