TË GJITHË ATIJ DUK’ JU BETUAR

26 nëntor 2018 | 21:38

Ismail Syla

Paradokse shqiptare

1.

Pas mbledhjes së dy qeverive, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, sot në Pejë, u bë edhe një fotografi familjare. Aty, mes tjerash u bë edhe shenja e shqiponjës dykrenore. Në këtë gjest diçka simpatike, ka diçka kombëtare, ka diçka populiste, ka diçka naive. Ky gjest më shumë po ka hije tek sportistët, yjet e estradës në skenat ndërkombëtare, por te burrështetasit nuk kisha për të thënë se është shprehje e ndjenjës kombëtare. Fatbardhësisht shqiponja dykrenore nuk është e ndaluar as në Kosovë as në Shqipëri. Më shumë se simboli me gishtërinj, kombëtarizëm dhe atdhetarizëm të vërtetë do të shprehte zbatimi i vendimeve të marra nga mbledhjet ndërmjet dy qeverive. Në fund të fundit kujt po ia tregojmë shenjën e shqiponjës?

Bota përreth nesh na njeh shumë mirë sa jemi ose nuk jemi popull kombëtar.

2.

Këto ditë një moment të euforisë patriotike e zgjoi 100 për qindëshi i taksës ndaj produkteve të Serbisë. Ndëshkimi ndaj produkteve të Serbisë është dashur të ndodh në vetëdijen tonë, pa nevojë të taksave, si vetëdije që nuk importon me kohë mallra ndaj një vendi jomiqësor. Duke bojkotuar mallrat dhe duke ndërprerë importin nga Serbia, së paku ne si Kosovë nuk do të derdhnim miliona e miliona euro në dobi të ekonomisë, të zhvillimit dhe rritjes së produkteve serbe. Tek e fundit vetë shteti i Serbisë tregon “nacionalizmin” e tij, duke i bërë pengesa çdo prodhimi të Kosovës. Mendoj që mbi përqindjen, më e rëndësishme është vetëdija. Thuhet që Kroacia nuk ka taksë të veçantë as vënie sanksionesh ndaj produkteve serbe, por thjesht qytetarët kroatë nuk i blejnë ato produkte. Bojkotimi me vetëdije edhe është efikas edhe nuk krijon shkasin që të qortohesh nga asnjë organizëm i BE-së, CEFTA-s etj.

3.

Kur jemi në prag të shënimit të Ditës së Flamurit, nuk ka si të mos më kujtohet viti 1991, kur organet e dhunshme serbe e përjashtuan arsimin shqip nga objektet shkollore. Që të mos ketë asnjë ditë humbje të mësimit në një lokacion N. të Kosovës, një muaj punova si vullnetar, mësimdhënës i lëndës gjuhë dhe letërsi shqipe në dy oda të fshatit. Meqë ishte vjeshtë dhe ofronin festat e nëntorit, nxënësit e klasës së shtatë dhe tetë i obligova që ta mësojnë përmendësh Himnin Kombëtar. E mësuan me dashuri dhe dëshirë. Që në atë kohë ua bëra të qartë një fenomen gjuhësor, dallimin midis përemrit dëftor në rasën dhanore “atij” dhe ndajfoljes së vendit “atje” tek vargu i tretë i Himnit të Flamurit.

“Rreth flamurit të përbashkuar 

Me një dëshir` e një qëllim, 

Të gjith` atij duk` ju betuar 

Të lidhim besën për shpëtim. 

Pra, qëllimi ishte që nxënësit kurrë të mos e thonin as këndonin gabimisht vargun e tretë, që thotë se të shqiptarët duhet t’i betohen flamurit, pra atij (flamurit), dhe jo të betohen “atje”, (te lluga, fusha, mali, ara, apo ku ta dish). Mjerisht, sot kudo në Kosovë ky varg këndohet keq, gabimisht, madje edhe në incizime serioze, me kor profesional. Kjo është e pafalshme. Ta ngatërrosh flamurin (atë) me një vend, pllajë, lug, breg ku ta di unë me “atje” është pafalshme.

4.

Vitin e kaluar, më 27 nëntor 2017, në Ditën e FSK-së, por edhe në Epopenë e e UÇK-së më 5 mars 2018 në tribunën e mysafirëve, të ftuarve kam parë momentin e mosrespektimit të himnit të Kosovës nga dy persona që qëlluan afër meje. Nuk kishte gjë më të shëmtuar se kur vëren që të gjithë u ngritën në këmbë, ndërsa ata dy ndenjën ulur. 

Një mini-dramë më vete ishte edhe sjellja ndaj flamurit në rreth rrotullimin afër shkollës së mesme të mjekësisë në Prishtinë në vigjilje të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në kohën kur në Kosovës vinin dhjetëra delegacione nga mbarë bota natyrisht që flamuri shtetëror i Kosovës duhej të binte në sy si elementi i parë i mikpritjes. U vendos që aty, së paku gjatë shënimit të përvjetorit jubilar të valojë flamuri i Kosovës, në vend të atij kombëtar. Në fakt aty vendin e përhershëm e ka flamuri i Kosovës. Ndaj heqjes së përkohshme reagoi edhe ambasada e Shqipërisë përmes një zyrtari të saj. Me politesë dhe korrektësi. Duke u thirrur në traditën, dashurinë dhe lashtësinë e flamurit kombëtar. Gjithçka ishte në rregull nga ana emocionale, por në një moment u desh t’i thuhet se aty e ka vendin flamuri i Kosovës, në të kundërtën pse Shqipëria e njohu pavarësinë e Kosovës nga njëra anë, e nuk e pëlqen flamurin e saj, nga ana tjetër! Megjithatë, pas manifestimeve, u hoq flamuri i Kosovës dhe u vu ai kombëtar. Si i tillë, flamuri kombëtar kuq e zi nuk i pengon askujt që e do flamurin e Kosovës. 

Absurdi është tek ata që nuk e duan dhe nuk e durojnë aspak flamurin e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina shpalli gjendje lufte, pas kapjes së tri anijeve të…