Të gjithë e dinin që unë me serbë nuk punoj
Bisedë me Hysen Tërpezën (2)
Aty, kur e morët abetaren, çka u bë pastaj?
– E mora abetaren e i mësoja germat me rend.
Nuk na treguat hiç për punën e dasmës. Kur u martuat, a u martuat në Shqipëri, a ku? A u gëzua nana shumë?
– Nusen e mora prej Sllatine. Me mësit e kam nxjerrë. Ai mësiti ka qenë prej Zllatarit. Ishte plak.
Sa vjeç keni qenë atëherë?
– Tamam njëzet vjeç kam qenë. Kishim fukarallëk shumë. Kur jam martuar, me çka kanë mundur na kanë ndihmuar mëhalla e katundi! Me tesha të huaja kam hyrë dhëndër. Ishim fukarenj të lodhtë. As çejz, thuaja hiç. Me do tesha të vjetra. Kur kam hyrë dhëndër me tirq me arna kam qenë. S’kanë shkuar tre-katër vjet dhe unë nisa të merresha me duhan e u bëra zotni. Puna të qet në dritë. Asgjë nuk kemi pasur. Pastaj e martova Ahmetin, mbas tre vjetësh. Bile, kur u martua, i kemi çuar nja pesë a gjashtë veta. Baci Selim e ka pru një zog pule për ata njerëz.
Mbasi e rregulluat punën me italianë, si kalonit?
– Pata një konflikt me italianë. Ka qenë një shqiptar i Kaçanikut. Ai i kish marrë dy djem të Pozharanit, pse ishin ankuar dy djem të shkive. Kur erdhi ai në komunë mua nuk më bëri hesap hiç. Po i thotë sekretarit: Ju jeni të poshtër! I kish marrë do djem të rinj. Unë i marr tash e jau jap 100 druna. I thashë çka po flet bre zotni? S’ka burra, tha, në Kosovë. Unë i thashë ka burra që i ka koçet sa qeky. Ti në kohën e Jugosllavisë ke ikur prej Kosove në Shqipëri. E tash prej Shkupit ke ardhur këtu. Ti punë nuk ke këtu. Unë komandoj këtu. E kam pasur alltinë në shokë. Një bombë këndej. E kapa bombën në dorë. Ai ka dalë përjashta. Ka dalë edhe një tjetër italian. E qita për dritare bombën në udhë. U bë një hallakamë aty. Ai ka dalë duke bërtitur aty nëpër kafe. Thotë një njeri i trentë ishte aty në komunë. Ikën krejt. Janë çuar Pozharani! E kanë marrë Musli Pirën e Shabanin e Halitit, plak, e kanë ardhur. Mbasi janë italianët, nuk duhet të nervozohen, se e kallin krejt katundin. Po më thonë mua, deri të merremi vesh, ti ta lësh komunën dhjetë ditë. U thashë unë shkoj prej komune kur t’i dalin copat në xhade. Nuk e lëshoj komunën i gjallë. Janë mbledhur krejt, po i qita përjashta, i përzura krejt. Ka qenë një Zabrini i Shkodrës aty. Kish qenë burrë i mirë. Më ka dashur shumë. Shkova në Prishtinë. Ai më donte mua shumë, po italianët nuk i donte hiç. Ai ish prefekt dhe ai e kishte punën në dorë. Po, dy-tri herë kanë dashur të më përzënë këta të Pozharanit. Erdhën katundi krejt. Një Mustafa i Shabanit tha: Ti këtu, ne këtu, jo! Ti këtu, ne në mal krejt!
U thashë unë jam i malit edhe i këtuhit. Me vota nuk ma keni dhanë detyrën. Detyrën ma ka dhënë hyqymeti. Më rrethuan në tavolinë. Çohu dil ikë prej këtu! Një Sadiku ka qenë. Ka vdekur. I Alidemajve ka qenë. I kisha edhe nja gjashtë policë. Sadiku ka qenë përjashta diçka. Kur ka hyrë në derë, i ka parë kallaballëk nja 10 veta. Ka hyrë e ua ka drejtuar pushkën. Mustafën e kish të vëllanë e babës, mixhë. Hajt, u tha, he nanën… Të gjithë kanë dalë përjashta. Kanë shkuar te togeri. Ai nuk ka ardhur të ma bëjë për hair e djali i tij po. Kallëzuan krejt. E t’i ka rrokur të tanë Hamdiu përpara. A jeni në mend? – u ka thanë. Kur ka ardhur nuk e linit të shkonte në shtëpi. I keni dhënë darkë e drekë. Cakiçi ka vënë rregull. Kur nuk ishte këtu e dini si ka qenë. Ai i ka thanë këtij Pirës, e futa edhe djalin tim, po ai vetëm nja pesë ditë, s’bëri, si një mut. Të futa ty, edhe ti si një bajgë. A është ky djali i Sahit Terëpezës? Kur ishe ti, italianët i gjeje në oborr. Ai po thotë kurrë nuk i lëshoj. Unë do t’i mbaj ata. Kur, s’po di, në aksham erdhi një djalë i tij, Rexhep e ka pasur emrin. Ai ishte 13 vjeç. Më tha se e kishte porositur axha të më thërriste. Shkova. Kur kam hyrë në derë u çua në këmbë e ka thënë byjrum Cakiç. Ulu, të kërkoj falje, se kam bërë një gabim. Qe 6 a 7 muaj nuk kam ardhur të të shoh. Po thotë, edhe nëse do të rrish ku të dish sa, nuk do të guxojë kush të të prekë me dorë. Këta janë të poshtër. Thoshin s’mund e mban ky as tri ditë. Tre vjet e mbajta. Krejt me gjoks e kam mbajtur.
Ne e kemi shumë keq. Edhe sot duket njashtu. Thonë kanë qitur pushkë e kanë luftuar. Unë vetë kam bërë apel për të ndihmuar. Çuditem qysh i dolëm kështu në skaj. Po unë kam qëndruar me forcë. Edhe amerikanët e panë që s’kam frikë. Më panë që unë jam trim. Kam bërë edhe budallallëqe. Diku në ’83-n paska thanë dikush se Hysen Tërpeza u pa në Ambasadën Jugosllave në Tiranë. Ka pas diçka, bre mixhë, se të kishin thënë edhe ty. Unë kisha qenë dhe kisha ndenjur shtatë a tetë ditë në Shqipëri. I kam ra rrezikut. Shtatë vjet janë munduar të ma mbushin mendjen të shkoja.
Kur mbaroi lufta më 1945, fitoi Rusia. Detin e Zi e zuri Rusia. Edhe amerikanët dy herë i kanë dhënë zor të më pajtonin me Serbinë. Tybe istikfa, po më vjen ligësi ta them. Pranoj ta vras veten e me Serbi nuk pranoj. Pak shqiptarë ka pa hile. Kam parë njerëz të mëdhenj që po më vjen vështirë ta them, bre!
Çifti i Muharrem Bajraktarit e Abaz Kupit. Rexhep Krasniqi, si kosovar. Të gjithë të Shqipërisë më…
Siç e dini, Ahmet Zogu pat ikur në Angli. Pasi ish në Egjipt mbreti Faruk, e thirri atje. Xhafer Deva kishte ikur më vonë në Suedi. Po edhe këtë e kanë thirrur në Egjipt. Kam kontaktuar më vonë me këtë.
Mua më akuzuan se i kam luftuar tri shtete: Bullgarinë, Serbinë e Shqipërinë.
Si kaluat më pastaj në Pozharan?
– Mirë. Veç në atë fillim, se më nuk kam pasur probleme. Më kapën italianët. Ndenja në Prizren nja 9 ditë në burg. Fadili më futi. Qysh në të ’41-shin, si ka marrë vesh që kam ardhur në komunë, ka ardhur vetë i treti tek unë në shtëpi: Fadil Hoxha, Kurtesh Agushi me shkollë dhe njëfarë Xheledini i Kumanovës. Pat ardhur edhe Rifat Berisha. Në Gjilan, kur shkova, e gjeta Fadilin te Rifati. Thashë çka u bë kështu? Fadil Hoxhën e çuan mësues në Hogosht, Kurtesh Agushin kryetar komune në Kamenicë. Këta të dy kishin qenë të lidhur me serbë aty menjëherë.
Një mbrëmje, një djalë me një biçikletë erdhi para komune. Dera ishte hapur. Hyri një polic e më tha: Po do të vijë një djalë. Kur erdhi ma lëshoi në dorë një letër, të shkruar me dorë, me germa të shtypit. I pata mësuar do germa me atë abetaren. Aty në letër po thonë: Sonte vijnë te ti tre veta, priti mirë. Kur shkova ata kishin ardhur para meje. Kurteshin e njihja edhe përpara. Fadilin sefte e pashë. Xheladin Kurbalia ishte i treti. Mbasandaj atë e kanë prerë në konak, në Muçibabë. Trim ka qenë boll ai.
U ktheva darkë. Fadili thoshte diçka. Po m’i thotë do gjëra komuniste, se do të jetë kështu e kështu, ku flitet shqip do të jetë Shqipëri. Do të jemi të lirë. Më duket dy net kanë ndenjur. Unë veç po dëgjoja e po çuditesha. I thashë se ata të thonë ashtu, por jemi në Jugosllavi, o Fadil. I thashë se nuk e përgjak dorën me gjak shqiptari. Jam i bindur, i thashë, se serbët do të bëjnë çmos për të mos e lëshuar Kosovën. Do ta shohësh që do të na tradhtojnë. Sa për ju, nuk ju prek. Tha që t’u jepja ndonjë copë bukë atyre (partizanëve). Mos i vrit! Nuk i ka ngucur kurrkush. Ashtu ka shkuar lëmsh. Hasan Remniku nuk ka qenë komunist, po nacionalist i madh. Po ai i pat vrarë do kësi të mëdhenj, veç kapetana. Ai i ka vrarë ata që duheshin vrarë. Në Remnik, kur ka hyrë bullgari, kanë futur në dhe të gjallë shqiptarë. Mbasandaj Hasani i nxori këto haqe krejt. Bullgari andej Morave, këndej Italia.
A morën vesh italianët që e ke pritur Fadilin?
– Jo, jo!
Në të ’43-shin Fadili u rrethua në Gjilan, në Livoç të Epërm, që edhe sikur të kishte krahë, nuk do të mund të shpëtonte. Na telefonoi Rifat Berisha: Mulne, se ke qysh ke, ata janë shqiptarë e të shpëtojnë prej italianëve. Kur ta shpëtoj i bie ndër mend që e ka gabim a diçka. Edhe Ramiz Cërrnicës i kanë telefonuar. Ramizi kish qenë afër. E ka rrethuar. Edhe unë i thirra policët në Sllakoc. Kisha njerëz të njohur dhe më kanë dëgjuar çka u kam thënë. U rrethua në 9, në sabah. Ishte data 15 e muajit maj. Puna e kaçakut, për të shpëtuar, duhet të jetë veç natë. Po qe ditë, kaçaku nuk shpëton. Kemi shkuar e i kemi rrethuar me mijëra njerëz, a vullnetarë, a policë, a italianë. Edhe paria!
Fadili, a ishte ilegal në brigadë?
– Po, more, ilegal ishte! Me 34 shokë ka qenë.
A bënte luftë ai Fadili?
– Po, qysh jo! Bënin propagandë ku u zatetshin. Pasi u bë aksham e thirrën Fadilin për të biseduar me mareshalin italian. Donin të humbnin kohë deri të bëhej aksham. Dua t’i pyes shokët, kështu e kështu. Dita ishte e gjatë. Kur u bë aksham, krisi pushka. Një u vra prej shokëve të Fadilit. U vra njëri i Sllakocit duke u bartur ujë vullnetarëve. Prej tanëve nuk u vra kurrkush. Ishte një luginë e madhe, veç shkëmb. Aty, veç me avion po të ishin, se nuk shpëtonin. Unë u thashë, le të ikin, por ju mos i vritni. Në një rast, katër shokë të Fadilit, djem të rinj, bien në pritë të do njerëzve të Sllakocit. Aty ata i çarmatosin dhe dikush thotë se na ka thanë kryetari të mos i vrasim. Nejse, nuk i kishin vrarë, por armët ua kishin marrë. Të nesërmen, kur shkova në komunë, e kuptova krejt. Qenkan mbledhur në Presedel. Atyre u kanë thënë se Hyseni po na mban qe tre vjet me bukë. I kishin çarmatosur e armët i kishin pru, ndërsa ata i kishin lëshuar. Na duheshin pushkët, se lufta shkonte flakë.
Po Mulla Idrizi?
– Ishte në Gjilan. Po edhe ai ishte me shokë të vet. Jam takuar edhe me të në Hogosht. Më ka dashur shumë. Më shumë kam jetuar në Hogosht se në atë komunë. Aty u çonin edhe kazanët për ushqim. Aty ua kanë falë dikush një mëzat, dikush diçka për të therur, dhe duhej të mbaheshin, se lufta kallej në të gjitha anët.
Duke mbledhur ndihma, për t’i mbajt ata, zor ka qenë! Atje mal ka boll. Dru kishin.
A të njoftoi ai që e kanë ditur italianët se i kanë lëshuar këta shokët e Fadilit?
– Këta ua kanë ndalur pushkët e i kanë lëshuar ata të Fadilit. Fadili me shokë është tërhequr. Janë takuar në Presedel pastaj. Mbasi është bërë natë kanë shpëtuar. Në luftë e linin një vend të caktuar, se kur duhej të ikej, ndoshta armiku e zinte atë vend e duhej lanë edhe tjetër pikë. Kështu, ata kishin shkuar në Presedel. I kanë kallëzuar Fadilit që na kanë zënë e na kanë lëshuar shokët e Hysenit, po armët na i kanë ndalur. Unë s’po dija. Mbas nja tri dite unë isha në komunë, pak para dreke, më kishte thirrur Rifat Pira, që i kish zënë nuse vëllait, se i pat vdekur gruaja e vëllait. Unë duhej të shkoja, se ishin keq me Tërpezën këta Shabantë. Një polic më thotë: Hasan Alia po do të hyjë brenda me do djem. Kur hyri Hasani u përshëndetëm. Trim ish boll. Po unë në mal rrallë e kam takuar. Ai ka vdekur. E kam dashur shumë. E ka pasur një behane. Rahmet për femra nuk ka pasur. Ku shkonte, çka gjente, shkinë a magjupe, e zinte. Këtë punë e ka pasur sëmundje, me nder me thanë. Ai për komb ka qenë. Rrinte edhe me komunistë. Për të shpëtuar jetë! Ky Hasani ma qiti një letër. Kishin kaluar tre vjet. U mësova edhe të lexoja nga pak.
Thotë: I dashtuni patriot! Asht interesi i kombit me u takue! Nuk përmend që na i ke ndalur pushkët, as kurrgjë. Ju faleminderit që na shpëtuat! Por sot duhet me u takue.
Aty ishin dy mijë italianë, policë e vullnetarë.
Hasani ma solli letrën aty. S’guxon t’i besosh as sekretarit, as policit, askujt. Në ato rrethana njeriu shkon me kokë. I shkon kryet dikujt!
I thashë, Hasan, mos u ngut! Shkojmë bashkë te Rifat Pira. Hamë drekë aty. Se po shkuam në Presedel, s’mund të kthehemi shpejt. Një natë duhet të rrimë atje. Të nesërmen vijmë në komunë. Hëngrëm bukë e shkuam atje. E bëmë për hair. E pimë nga një kafe. Kaloi dita. U thashë: Të na falni, se i kam do punë. Gjithkah kërcitke. Bëheshin do vrasje. U thashë kam punë me do akte në komunë për t’i përcjell. Sekretar i Pozharanit ish ai Bejta, por as atij s’i besoja. Veç me Hasanin kam punë diçka në Hogosht. Ishte verë. Kallamboqtë ishin rritur, ishin mbushur. Kur shkojmë në Tërpezë hymë në oborr. Nana e njihte edhe përpara Hasanin. Ai kish qenë tek unë. Na luti për bukë nana, por i thashë kemi hëngër. Po ku po shkoni? – po thotë nana. Pse nuk keni marrë policë me vete? Po shkoni vetëm dy veta!?
Hajt, bre nanë, i thashë, e kam me veti Hasan Alinë, e mos u bëj merak! Ngadalë, përpjetë. Ishim me xhemperë. Shkuam në Sllakoc të Muhaxherëve, e morëm Ukë Doberjancën, ishte trim, po plak. Ndenjëm pak, nga një kafe dhe i thashë: Çohu mixha Ukë! Kemi punë në Sllakoc të Jerlive. Shkuam veç ne tre: Hasani, Uka dhe unë.
Ishim skaj livadhit pa kositur. Mali ishte andej, krejt terr. Ata janë në majë të Presedelit. I thashë: Hasan, ti shko e thuaj Fadilit le ta marrë veç Kurtesh Agushin. E dija se ai ishte me ta. Xheladini (Kurbalia) shkoi në hyqymet. I thashë: Hasan, qysh të mundesh, merr vesh sa serbë kanë me vete aty!
Sa vjeç ka qenë Hasani atëherë?
– Valla ka qenë më i ri se unë nja një vit a dy vjet.
Hasani po me thotë mua, unë rri me ta shumë herë, por nuk ka serbë me ta.
More, po i them, ata e flasin shqipen, shqip flasin. Serbë ka me ta. Po më shtyn mua të pyes, një shoq e kam me ta dhe ai më kallëzon. Kur shkon, takohet me ta. U tregon se kryetari ka dalë me mua. Është me kryeplakun e katundit. Hasani merr vesh se gjashtë serbë janë me ta. Tash u sigurua. Fadili e merr Kurtesh Agushin edhe një djalë prej Gjakove, Hysen e kish pasur emrin. Paj, kish qenë 20 a 21 vjeç. Fadili i ka thënë shko këqyr mos e ka ndërruar vendin, për mua. Mua po më thotë se janë gjashtë serbë me ta. U avit e më tha: këtu janë në mal. Mali ish i shpeshtë e i madh, ishte mbyllur krejt.
Kur dolën në lëndinë, Fadilin e Kurteshin i njihja. Ai tha, ky tjetri është një shok, e ka emrin Hysen. Thashë e gëzoftë që e paska emrin si unë.
Unë u ula këtu e ai aty. Fadili, Sahiti, mixha Ukë, Kurteshi afër Fadilit. Ai djali i ri andej, Hasani këndej. Ia nisi Fadili po më falënderon që i shpëtuam prej luftës, po më ngrit në qiell. E bëre detyrën, je shqiptari më i mirë. Shpëtuam. Nuk shkon pak ditë e Italia po bie! Po thotë, ti përgatitu, se ke bërë punë patriotike. Ti do të jesh komandant i brigadës në këto anë. Do të formohet një brigadë.
I thashë: Fadil, a mbarove? Unë të kam thënë para tre vjetëve se edhe po të të gjej fjetur, nuk të vras! Të kam thënë që je gabim, se këta, kur të mbarojë lufta, e di çka bëjnë. Unë e vras veten e nuk punoj me komunistë, me serbë nuk punoj. Le të jenë edhe nacionalistë, unë nuk punoj me ta.
Po thotë: Ngadalë, mos u ngut! Boll patriot je, por po ngutesh. Politika e do ngadalë.
I thashë s’ka politikë! Folëm shumë, por kot. Ishte verë, dita e gjatë. Kishte kohë edhe dy orë deri në terr. Prej aty shihej Sllakoci i Muhaxherëve. Na jemi në livadh. Nuk tutemi.
A po e sheh katundin? – i thashë Fadilit. Tash çohemi, shkojmë e lypim bukë aty. I thashë kjo le të jetë nata e fundit që të takoj ty! E çojuni bukë shokëve. Ti rri këtu me Kurteshin. Kthehet Hasani. Ne po hamë darkë te mixha Ukë. E shtunë ka qenë ajo ditë. Nesër është e diel. Do të t’i dorëzoj katër armë që t’i kanë marrë shokët, se unë nuk jam plaçkaxhi. Nuk t’i plaçkiti ty armët. Je shqiptar, bre. Shyptari shyptarit t’ia marrë armën, unë nuk pranoj. S’po flet hiç Fadili, veç çehrja po i luan. Pak pa u çuar, Kurteshit, ish si zaif, i ka rënë plisi, kur po ia shoh përfund flamurin, në plis brenda. I thashë: Kurtesh, çka asht ai ylli brenda? Zotni, ai është shenjë e pesë kontinenteve. I thashë: Ai është shenjë e zezë për ta zhdukur popullin shqiptar edhe botën. Por, populli shqiptar të qitet fare krejt.
Fadili tha: Allah-allah, nuk është punë të ta mbush mendjen. Ke marrë turr të gabuar, më tha Fadili. Kur u çuam i thashë: Në sabah t’i dorëzoj katër armë.
Këqyre sahatin, të hënën, në orën 12.00, kam me ta qitë fuqinë shyptare, e nuk do të të lëmë vend në këto male. Në qoftë që e sheh një italian në forcën time, mos më thuaj shqiptar. E sheh! Më vjen turp të të them, hajde t’i ndjekim shqiptarët. Unë kisha vullnetarë boll. Ishte hallakamë. Iu prish çehrja. Ai e kishte pasur mendjen të më vriste, po s’ka guxuar.
Hasan Alia, a ishte me ju aty?
– Po. Fadili më tha, as nuk vij të ha bukë, as nuk dua bukë, as nuk i dua armët. Më tha, e paç në qafë Kosovën e Metohijen, se unë do ta liroj.
I thashë: Valla ia ke vënë futën e zezë, mbaje mend, Metohijes e Kosovës e krejt popullit shqiptar.
Udha mbarë!
Mbarë paç!
Armët nuk i dua, asgjë nuk dua. Si shkon, shih çka ka bërë, i poshtri. Këtë s’e kisha menduar kurrë. Menjëherë t’u pi ujë.
Kofën e tradhtisë! (thotë intervistuesi)
Këqyre çka ka bërë. E pati me vete atë Hyesnin. Ata menjëherë e paskan lënë Kosovën. Po dalin punët në mejdan. Një djalë, që ka qenë aty, e kam zatet në Itali. Gjallë ka qenë deri vonë. Ai kish pas ikur. Mbasi nuk mundën të më mashtronin, i ka marrë shokët e kanë dalë në malet e Gjakovës.
Edhe Italia ra. Ajo ra, por po e merr në dorë komandën, po dihet kush. E kanë caktuar komandant një Beqir Malokun. Ai ish 70 vjeç, gjakovar. Ai ka qenë spiun qysh në Luftën Ballkanike, me serbë ka punuar, kolonel kish qenë. Kishte forcë prej 600 vetash. Shqiptarët i kanë bërë tubë. Edhe ai Beqir Maloku e paska pasur një nip 17-18 vjeç duke punuar me komunistë. E merr atë e i thotë: Beqirin e ke mixhë, bre. I thotë atij, edhe këtij Hyesnit, që ish me Fadilin, shkoni te Hysen Tërpeza, se ai na njeh, na ka dhënë bukë tre vjet. Ju shkoni, kallëzoni që ne jemi lidhur me ta. Edhe Fadili është takuar me të. Ti thuaji, na kemi gabuar, jemi të rinj. Atëherë ai i ka shtrënguar 160 italianë me autobusë. Shteti e zë lepurin me qerre. Ata e kishin pasur njëfarë shenje, njëfarë ushtrie pak tjetër. Ai i gjallë nuk dorëzohet dhe e kris pushkën çdo minutë, u ka thënë për mua. Këta i ndalën në Pozharan qerret rreth xhadesë, kishe po shkojmë në Gjilan. Ushtri kanë qenë, e kanë hyrë në komandën italiane. I kishin pas çuar dy policë në komunë. Kur kanë shkuar policia, unë nuk isha ende në komunë. Mua, që besoj Zotin, më hyri një frikë pa më thënë kush kurrgjë. Mora vesh se po i hallakatin këta njerëzit që e shpëtuan Fadilin atje. E kisha një polic me vete. Më shkoi mendja mos po vijnë natën e më rrethojnë me italianë.
Shkoj e i them nanës, unë po shkoj mysafir në Zhiti diku. Jam te Hajriz Hajolla.
Këta i paskan përgatitur 160 ushtarë e i kanë lënë kamionët para ushtrisë së rregullt italiane. U kanë thënë, sekretari nuk është këtu, për mua. Kanë shkuar, e kanë rrethuar shtëpinë. Nana është çuar herët. E kemi pasur oborrin të madh. Do gjermanë me këta. Thonë, mos merr në qafë askënd, se të ka rrethuar hyqymeti. Nana serbez, nuk ka ditur gjë. U thotë, çka u bë kjo punë, more bir? Djali jem nuk është kaçak, ai është në komunë. Nana shkon te dhoma ku ka qenë vëllai fjetur e i thotë: Çohu e shko në Zhiti te Hajrizi, e thuaji djalit që po të lypin në komunë. Hala nuk kishte lindur dielli, veç sa kishte nisur të zdritej. Djali është çuar në këmishë e done. Ishte verë. Më kujtohet se Hajrizi pati një dorë nuseje a diçka. Hajrizi ka qenë njëfarë hajvani, veç lëvdohej. Çohu, më tha, se je bërë si fëmija. E dija punën. Po i them: Hajriz, mua po më kërkojnë gjermanët. Ai po më thotë kurrë nuk ke qenë më i fortë. Mersel Bajra, Zenel Lipovica kanë shkuar tek unë në shtëpi. Ku është? Në Zhiti, te Hajrizi. Ata pak përpara erdhën. Edhe ata aty. Hasan Alia, edhe ai erdhi aty. Ata na bënë muhabet. Na zunë. Çka po tutesh? Miqtë e jaranët më të mirë i ke këtu. Qe, malin e kemi afër. Kur ka ardhur Ademi te dera, ka pyetur a asht këtu Hyseni? Po. Thoni po e lypin gjermanët. Erdhi Ademi, unë u bëra merak se çka ka dhe e veta. Vallahi nuk e di, tha ai, veç gjermanët të kishin lypur.
Dola jashtë me Ademin, e ai po më thotë, oborri ka mbetur plot. Aty boll lavde ka pasur, po një nuk u çua të vinte me mua. Trimat më të mëdhenj ishin: Zenel Lipovica, Mersel Bajra. Mos e ço Hajrizin në front, se po ik me alltinë në shokë. I madh sa të duash, kur po e shohin shokët. Muharrem Fejzën e kam njohur mirë. Merseli më tha ti më i fortë nuk ke qenë kurrë. Malin e kemi në derë. Po, i thashë, malin në derë, po unë i kam njerëzit në shtëpi. Nejse, teposhtë, ramë në Zhiti. Po shohim, dolën një grua e një burrë. Një Selmani ka qenë i mëhallës sonë, e ka pasur gruan prej Malisheve. Po e përcjell gruan, po del me të. E ndali roja gjermane. Dola përpara nga lluga, e pyeta çka ka? Policia ka kërkuar andej-këndej, po një njeri kur është i mirë, ai shpëton. Mua mileti më ka dashur. Po me pushkë në dorë na ka shkuar jeta. Nejse, ndenja unë fshehtas nja shtatë a tetë ditë. Kur morëm vesh, më ka dalë pushimi mua. Xhafer Deva më ka pushuar. Janë çuar tërë Tërpeza e Pozharani, nja 30 veta, e kanë shkuar në Prishtinë. I kanë thënë se gazeta po shkruan që ai hala është në punë. Ka qenë një prefekt që më donte. Kanë shkuar brenda, i kanë thanë: Ai u thotë se prej kufirit të Shqipërisë e këndej unë jam president. Hysen Terpeza nuk pushohet nga detyra. Unë po dua të shkoj në Tiranë njëherë. Shkova të nënprefekti e i tregova. Unë po çuditem, tha ai. Kam thënë, kur të pushojnë ty, do t’i pushojnë krejt kryetarët e Kosovës. Ty nuk të lëshoj. Ti je duke luftuar. Dua të të çoj kryetar në komunë të Hogoshtit. I thashë, nuk shkoj. O në Pozharan o tjetërkund nuk shkoj. Ai tha, ngadalë, se unë i kam lënë shumë më shumë kilometra e nga Shqipëria kam ardhur këtu. I thashë se ti je me profesion i kësaj pune. Unë nuk e kam profesionin të jem në detyrë. Unë jam katundar, me armë në dorë. Dola, shkova në komunë e bëra letrën të shkoja në Tiranë. E çova një njeri tek Isak Sllatina, te Musliajt. Ai thotë unë kam lajmëruar Hysen Begun në Tiranë për ty dhe ai do të bëjë diçka. Shko njëherë në Prishtinë e ruaju mos të zënë me armë. Po të zunë me armë, të pushkatojnë menjëherë. E lashë armën diku e veç alltinë në shokë e kam pasur. E gjeta Zijah Kosovën, e njihja. Ai më tha po të takoj me komandantin gjerman. Që ta takoja pranova, por jo në zyrë. Mendoja diku në ndonjë shtëpi private. Unë i gjallë nuk dorëzohem, i thashë. Alltinë në shokë e të dorëzohem, jo!
E kanë gjetur një shtëpi te një beg. Njeri të gjallë nuk kam parë aty. Kur kam shkuar, erdhën e më thanë, Zijaja tha: Veç unë vij me ty. Koloneli gjerman do të të pyesë diçka. Koloneli kish qenë aty. Një përkthyes ishte aty. I ditke të gjitha gjuhët. Ma vonë ka vdekur në Itali. Shqiptar ishte. Ai po më thotë të më tregosh çka ke me gjermanët? I thashë kurrgjë s’kam. Unë e di veç Zotin edhe gjermanët.
Kishin marrë pak informata nga shërbimet e italianëve. Unë i thashë se ata nuk e kanë thënë të vërtetën për ato kontaktet me komunistët. Ne e njohim vetëm gjermanin. Unë e kam kuptuar punën për ty. Ti je një njeri i mirë. Ma jep besën që ti nuk do të jesh kundër gjermanëve. Ta jap një automatik, më tha. Ta jap një letër që, kur të kesh nevojë, të duhet. Ushtrinë gjermane e ke në dispozicion. Edhe të shkosh në komunë ku ke qenë, aty. I thashë automatikun e kam timin. Nuk dua forcë. Forcën e kam timen. Në komunë nuk shkoj. Iu prish çehrja. Flisnin ata me Hitlerin, oficerët. Ti je i lirë në emër të Gjermanisë. Shko, më tha. S’do të të ngucë askush. Xhaferi e ka pasur një togë. Veç e mbyste njeriun ashtu pa kurrgjë. Unë e kam takuar shumë herë, por u prisha me të politikisht. Kur ishim në Lidhje të Prizrenit, u prish krejt, na përzuri përjashta. U bë me hile krejt. Shkoi Rexhep Krasniqi, ish-kryetar i Komitetit Shqiptar “Shqipnia e lirë” në Nju-Jork. Kosovën nuk e kanë pranuar në komitet. Shkoi atje Rexhepi, kur erdhi, e kishin lënë kryetar Xhafer Devën. Po shqiptarët e Shqipnisë së vjetër nuk emërohen anëtarë të Lidhjes së Prizrenit. Qysh mund ta pranojnë dikë anëtar nderi e jo një njeri tonin. Anëtar nderi mund të pranohet edhe një i huaj e jo yni.
A u kthyet më në komunë?
– Po, u ktheva. Ruheshim nga pak, se s’kish kurrgjë. Kam fjetur me armë në dorë.
A reagoi kush më?
– Jo, u tutën! Më askush nuk tha asgjë! Shqiptarët, shumica, më donin.
Qe marrë vesh, aty puna qe nga italianët. Kanë shkuar e kanë marrë Ukë Dobërjacin, që ka thënë se edhe ai ka qenë aty, kur kam bërë llaf me Fadilin. U rregullua puna ime dhe u pa që Fadili i ka bërë këto. Thoshin se edhe nga havaja po të vijë dekreti, këtij nuk ka kush çka i bën.
Po, jemi të ligj! Erdhën njëherë bash ata që ma bënin kurthin; Zhitia, Ballanca, Tërpeza, për inat i bënin këto punë. Ata kishin thënë se nuk mund të hyjë ai më në komunë. Por, Kamer Maloku u kishte kallëzuar një përrallë. Kish qenë një lis i madh i rrezuar. Ishin munduar 40 veta ta çonin e nuk mundnin. Njëzet e trusnin teposhtë e njëzet përpjetë, për ata nuk mundnin ta çonin. Thonë Hysenin nuk mund ta heqin, se ka njerëz që e mbajnë. Ka pasur njerëz që më kanë dashur. Një i Prizrenit, kur më kanë liruar gjermanët, ka qerasur krejt njerëzit që ishin në një kafe në Ferizaj. Të gjithë e dinin që unë me serbë nuk punoj. Qe çrregulluar krejt gjendja. Komunizmi gati ishte ta merrte, por gjendja ishte hala e keqe.
Gjermani ra!
(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Vijon nesër) /Epoka e re/