Të gjithë në një front, kundër informalitetit
Takohen me palët e interesit për trajtimin e mallit pa dokumentacion.
Me qëllim të koordinimit të aktiviteteve në fushën e trajtimit të mallit pa dokumentacion, si dhe mungesës në stoqe, sot ekipi i cili menaxhon me këtë projekt ka mbajtur takim me palët e interesit.
Në këtë takim z. Nahit Sharku, Zëvendësues i Drejtorit të Departamentit për Programe dhe Procedura foli për përmirësimin e përmbushjen tatimore në sektorin e tregtisë me shumicë, duke përfshirë të gjithë faktorët që ndikojnë dhe ndikohen nga ky sektor në mënyrë më të fokusuar dhe më të koordinuar.
Po ashtu, palët e interesit u njoftuan edhe për grupet e synuara për trajtim përmes këtij projekti, si ajo e industrisë së tekstilit, tregtia me shumicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, tregtia me shumicë e artikujve shtëpiakë, tregtia tjetër me shumicë e specializuar, tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara, tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara, tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara, dhe të tjera
E nga ana tjetër, znj.Valbona Ymeri, Udhëheqëse e Sektorit të Hetuesisë nga Dogana e Kosovës tha se si çdoherë jemi të gatshëm t’i bashkërendojmë aktivitetet, pasi që dukuria e kontrabandës është edhe prioritet i institucionit të Doganës.
Majori Blerim Rama, Drejtori i Operativës nga Policia Kufitare e Kosovës, përgëzoj ATK për projektin, duke shtuar se nga ana e Policisë si çdoherë do të ofrohet mbështetja dhe asistimi në çdo aksion.
Znj. Nexhmije Krasniqi nga Departamenti Ligjor i OEK, tha se çdo nismë e ATK do të gjejë përkrahjen e organizatës tonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të kemi barazi në të bërit biznes.
Në fund të këtij takimi u tha se ekziston ende një numër i konsiderueshëm i tatimpaguesve, të cilët kanë problemin e mallit pa dokumentacion si rezultat i blerjeve pa fatura, po ashtu shitje të pa deklaruara. Bazuar në të dhënat e përmbushjes gjatë vitit 2021, shihet se dukuria e mallit pa dokumentacion renditet si ndër dukuritë me nivel të lartë të riskut dhe janë identifikuar si aktivitete më me risk.