Të gjithë në pritje të Thaçit, paratë nga Pakoja Emergjente dalin pas dekretimit të projektligjit
Presidenca ka pranuar sot nga Kuvendi projektligjin e votuar për rishikimin e buxhetit të vitit 2020.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi i cili tha se janë dërguar edhe pesë ligje të tjera për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Krasniqi theksoi se ky projektligj do të hyjë në fuqi sapo të publikohet në Gazetën Zyrtare.
“Sot kemi dërguar projektligjin për buxhetin dhe pesë ligje për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Gjashtë ligje janë dërguar sot në Zyrën e Presidentit të Kosovës. Jemi në pritje të dekretimit nga ana e presidentit. Në momentin që e marrim dekretin nga presidenti, ligji shkon në Gazetë Zyrtare dhe për dallim të Kushtetutës së Kosovës që ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit, ky ligj hynë në fuqi ditën e publikimit. Nëse nesër dekretohet, nesër e dërgojmë në Gazetë Zyrtare dhe hyn në fuqi menjëherë”, ka thënë Krasniqi.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se në momentin që presidenti Thaçi e dekreton ligjin dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare, do të fillojë ekzekutimi i pagesave nga Pakoja Emergjente.
Bajrami ka theksuar se për shkak të situatës emergjente, do të kërkojnë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet në një afat sa më të shkurt.
“Secili Ligji pasi të hyjë në Kuvend ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi. Presidenti i Kosovës ka shtatë ditë ose tetë afat për ratifikim, besoj për shkak të situatës do të kërkojmë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet me një afat më të shkurt. Janë gjëra në këtë moment që nuk varen nga ne, varet nga Zyra e Presidentit se kur ai do ta dekretojë dhe të shpallet në gazetën zyrtare. Në momentin që kjo ndodhë, ne si Ministri dhe Thesari është i gatshëm që të fillojë me ekzekutimin e pagesave”, ka thënë Bajrami.