Të gjithë policët e arrestuar lirohen për në shtëpi

10 prill 2022 | 03:47

Avokati Naim Rudari, ka njoftuar se nga 26 pjesëtarët e policisë së Kosovës të cilët u arrestuan në një aksion pompoz dhe spektakolar, asnjë prej tyre nuk gjendet në paraburgim.

Të gjithë janë liruar për në shtëpi dhe për më tepër, “për 12 prej tyre vetë Prokuroria që udhëhoqi hetimet nuk ka parë të arsyeshme të kërkojë nga Gjykata asnjë masë sigurie”.

“Për 14 të tjerët që ka kërkuar masën e paraburgimit Gjykata u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak”.

Avokati është shprehur i indinjuar me situatën derisa, ka shkruar se “është e pa arsyeshme që dje të ndiqen e të arrestohen zyrtarët policorë në uniforma, në vendet e punës duke i regjistruar automjetet në pikëkalim kufitar e sot mos të kërkohet asnjë masë për të njëjtit”.

“Pra nuk ka pasur arsye fare të arrestohen madje në formën e tillë”, shkruan ai.

Edhe bazuar në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjyqtari i procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve.

“Të pandehurve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në bazë të nenit 183 lidhur me nenin 187 par.1 nën paragrafi 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK. Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe të premten e 8 prillit, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë ishin arrestuar 26 zyrtarë policorë, ku dy prej tyre ishin rreshterë policorë.

Ata dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Arrestimi në fjalë ndodhi gjatë operacionit të koduar me emrin “Pika 2”, që kishte filluar në orët e hershme të mëngjesit në Prizren. /Albanianpost.com

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
2 termete brenda minutit janë dëgjuar në Malësi të Gjakovës…