Të hënën fillon puna në gjykata dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), duke respektuar rekomandimet e IKShP-së, nën masat e mbrojtjes nga pandemia COVID-19, ka mbajtur takimin e 233-të me radhë, nën udhëheqjen e kryesuesit Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
Takimi ka filluar me diskutimin rreth gjendjes aktuale me situatën Covid-19 në sistemin gjyqësor, planet e Këshillit lidhur me fillimin e punës në gjyqësor si dhe prioritetet që do të përcaktohen për trajtimin e rasteve gjyqësore.
Pas shumë diskutimeve dhe duke u bazuar në heqjen e kufizimeve të lëvizjes nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) dhe me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim që nga 1 qershori 2020 të fillojë puna në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës, por pa praninë e mediave dhe të publikut, duke zbatuar rekomandimet e IKShP-së për masat kundër virusit Covid-19. Vendimi i plotë do të publikohet sapo të jetë gati.
Anëtarët e KGjK-së aprovuan draft-propozimin për planin emergjent për menaxhimin e krizës të përgatitur nga Komisioni për Administrimin e Gjykatave dhe Komisioni për Çështje Normative, qëllimi i të cilit është sigurimi i mbarëvajtjes së punës në sistemin gjyqësor të Kosovës duke iu përshtatur rrethanave emergjente. Gjithashtu, ky plan mund të shërbejë si dokument bazë për menaxhimin e krizave në të ardhmen, duke përfshirë situatat e tjera emergjente shëndetësore, katastrofat natyrore apo rrethanat e kërcënimeve të sigurisë.
Gjatë këtij takimi këshilli aprovoi njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK për pensionimin e tre gjyqtarëve, dy (2) nga Gjykata e Apelit në Prishtinë dhe një (1) në Gjykatën Themelore në Prizren-dega në Dragash.
Anëtarët e KGjK-së shqyrtuan propozimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për caktimin e ushtruesit të detyrës së administratorit të gjykatës dhe dhanë pëlqimin që drejtori i SKGjK-së të nxjerrë vendim për caktimin e u. d. i Administratorit.
Po ashtu, gjatë këtij takimi drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi, raportoi për punën e SKGjK-së për vitin 2019 dhe periudhën janar-maj 2020.
Në fund u aprovua propozimi që gjykatat në Kosovë të mbajnë evidencë dhe të lëshojnë certifikata për personat të cilët janë shpallur fajtorë me aktgjykim të formës së prerë. Ndërsa, pa praninë e mediave u shqyrtua kërkesa për themelimin e një paneli hetimor.
KGjK ua dha mundësinë të gjitha mediave dhe Organizatave Jo Qeveritare (OJQ) të interesuara që përmes video konferencës (platformës online) ta përcjellin këtë mbledhje.