Të hënën Kuvendi diskuton për 100 ditët e punëve të Kurtit
Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Pas përfundimit të kësaj mbledhje, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me dije se është vendosur që Kuvendi të mbajë seancë më 2 gusht.
“Në 14:00 vazhdojmë me pikat e papërfunduara. Seanca do të vazhdojë me datën 2 gusht. Ne nga pozicioni i pozitës presim miratimin e rishikimit të buxhetit për të ofruar mundësinë e pakos ekonomike. Në seancë do të vazhdohet me votime të katër marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Më tutje, Kusari-Lila ka thënë se do të diskutojnë edhe për sfidat që e kanë karakterizuar qeverinë në 100-ditëshin e punës.
“Kërkesa e deputetëve është e përfshirë në agjendën e ditës së hënë ndaras raporti 100 ditësh është publiku dhe është aty. Natyrisht në secilën kërkesë qëndron edhe qeveria e gatshme të diskutojë për sfidat që e kanë karakterizuar 100-ditëshin e ‘Qeverisë Kurti 2’”, ka thënë Kusari-Lila.