Të hënën mbahet seanca e parë e Pjetër Shalës në Hagë

15 prill 2021 | 23:44

Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata Speciale ka bërë me dije se Pjetër Shala është transferuar nga Belgjika në Hagë.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se paraqitja e parë e tij do të bëhet më 19 prill 2021, në orën 15:00, transmeton Epoka e re.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ndërsa sot, Gjykata Speciale njoftoi se Shala është transferuar në Hagë.

“Në aktakuzën e konfirmuar z. Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Versioni i redaktuar publik i aktakuzës së konfirmuar mund të lexohet këtu. Paraqitja e parë e zotit Shala do të mbahet në seancë publike”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Seanca do të transmetohet direkt në faqen zyrtare në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një dokument jozyrtar slloven që qarkulloi sot, ngriti të gjithë…