![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/06/Kryesisë-së-Kuvendit.png)
Të hënën mbahet seancë e jashtëzakonshme për buxhetin
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë me dije se të hënën do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për aprovimin e ligjit për ndarjet buxhetore.
Ai ka thënë se kjo u bë me kërkesë të mbi 40 deputetëve.
“Me kërkesë të mbi 40 deputetëve nënshkrues, ditën e hënë në ora 11:00 mbahet seanca e jashtëzakonshme për aprovimin e ligjit për ndarjet buxhetore, po ashtu në rend dite është edhe miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që janë ne procedure. Pastaj shkojmë në zgjedhje!”, ka shkruar Gashi në llogarinë “Facebook”.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtuese për pavlefshmërinë e votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, partitë parlamentare, me përjashtim të LV-së, kanë shprehur gatishmërinë për ta miratuar buxhetin për vitin 2021.
Më 30 nëntor, Qeveria e kishte bartur Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, dhe ai i është proceduar Kuvendit, por nuk është votuar ende.