Të hënën mësohet e ardhmja e Hysajt
E ardhmja e Elseid Hysaj te Napoli është në dyshim. Shkodrani i krahut të djathtë nuk po merr minuta nga Carlo Ancelotti dhe Mario Xhufredi, agjenti i lojtarit, ka “shpërthyer” duke paralajmëruar largimin e 24-vjeçarit.
“Në verë, Hysaj mund të shkonte te Chelsea i Sarrit. Ancelotti i tha se e vlerësonte, por faktet tregojnë se në periudhën e fundit nuk është më i rëndësishëm për klubin. Nëse është bërë një rezervë, atëherë jemi gati të largohemi dhe të kërkojmë shitjen që në janar. Nuk vëmë në diskutim zgjedhjet e Ancelottit, por Hysaj nuk e meriton këtë sjellje.
Mund të jetë fazë e përkohshme, por duhet sqaruar kjo situatë. Mund të flitet hapur dhe publikisht. Flasim për një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në Evropë, kjo gjë po e penalizon. Jemi gati të flasim, do të heq Hysajn nga aty nëse na thonë se është bërë rezervë”, u shpreh Xhufredi.
Mediat italiane bëjnë të ditur se agjenti i lojtarit të kombëtares i ka kërkuar Napolit shitjen e tij, por “Il Mattino” raporton se Kristiano Xhuntoli, drejtori sportiv i Napolit, i është përgjigjur negativisht kërkesës.
Ekipi nis stërvitjet të hënën dhe Hysaj do të ketë një takim kokë më kokë me Karlo Ançelotin. Shkodrani do të bisedojë me trajnerin, për të mësuar më shumë nëse ai vazhdon të jetë në planet e Ançelotit, apo opsioni më i mirë për të dy palët është largimi i Hysajt.