Të hënën shorti i Ligës së Kampionëve, në Nyon priten përballje “ferri”
Nuk ka më të fshehta dhe ekuacione. Gjithçka është mësuar dhe ndeshjet që plotësuan listën me 16 ekipe të kualifikuara për në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve.
Tani fati i tyre do të përcaktohet në shortin e ditës së hënë në Nyon të Zvicrës në orën 12:00, ku do të mësohen çiftet e fazës së 1/8-ave. Ka vetëm dy rregulla specifike të përcaktuar nga UEFA për raundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Në çiftet që do t’i vendosin goglat mes të parave të grupeve dhe të dytave: Nuk do të përballen skuadra nga i njëjti grup dhe skuadra që përfaqësojnë të njëjtën federatë. E thënë më thjesht, Roma si e para e Grupit C nuk mund të përballet me Juventusin që është i dyti i Grupit D (sepse përfaqësojnë të dy Italinë), por as me Chelsean, sepse janë të dy përfaqësues të të njëjtit grup.
E njëjta gjë vlen edhe për Chelsean, që në këtë short nuk do të përballet dot me Manchesteret, por as me Tottenhamin dhe Liverpoolin. Kundërshtarët e bluve të Londrës janë 3: PSG, Barcelona ose Beshiktash. Por shorti kurrsesi nuk mund t’i ndalojë duelet e hekurta që mund të luhen në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve. Skuadra si Bayerni, Chelsea, Juventusi dhe Reali i Madridit, që janë favoritët kryesorë për ta fituar Ligën e Kampionëve, ndodhen në vazon e dytë.
Futbolli anglez po kalon një moment shumë të mirë dhe këtë e konfirmon prania e skuadrave në fazën e 1/8-ave. Pesë ekipet që përfaqësojnë Premierë Ligën do të marrin pjesë në raundin e ardhshëm dhe nuk do të përballen me njëra-tjetrën. Kjo do të thotë se mund të bëjnë rrugë të gjatë.