Të hënën testohen pesë kandidatët për postin e drejtorit të SHSKUK-së
Kandidatët të cilët kanë hyrë në rrethin e ngushtë të garës për të parin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, do t’i nënshtrohen fazës së testimit me shkrim më 01 shkurt në orën 12:00 të mesditës të së hënës.
Kështu thuhet në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Sektori i Personelit të SHSKUK-së. Pretenduesit për pozitën e Drejtor i Përgjithshëm të SHSKUK-së në testin me shkrim si fazë e parë vlerësuese nuk do të identifikohen sipas të dhënave të tyre, veç sipas një kodit unik për secilin.
E testi me shkrim sipas këtij njoftimi do ti përmbajë dhjetë pyetje , ku secila prej tyre vlerësohet me 3, 5 pikë, që në total i bie 35 pikë, ndërkaq poenët maksimale për vlerësimin e biografisë janë pesëmbëdhjetë. Kurse intervista me gojë llogaritet me 50 pikë, varësisht prej rezultateve të treguara.
E sipas këtyre kritereve vlerësuese, secili kandidatë ka 100 pikë. Kandidati që arrin të fitojë më shumë poenë do të shpallet fitues. Derisa në këtë njoftim të publikuar në faqen zyrtare të shërbimit spitalor është publikuar lista me kandidatët që në mesin e tyre figuron ende emri i Saudin Maliqit, ish-këshilltari i Ministrit në Detyrë të Shëndetësisë Armend Zemaj, ani se Maliqi është tërhequr nga kjo garë gjatë kësaj të marte, e po në të njëjtën ditë Valbon Krasniqi u fut përsëri në garë. Kujtojmë që për këtë konkurs është formuar edhe Komisioni Vlerësues nga Bordi i SHSKUK-së.