Të heqësh Kosovën e Shqipërinë nga harta e botës –Çfarë guximi
(Befasi helmuese për mua ka qenë informacioni i gazetës për hartën e botës të vendosur në Universitetin e Prishtinës, që i ka humbë Kosova dhe Shqipëria).
Shumë guxim – ju lumtë.
Përderisa nuk ka aspak përgjegjësi, le të guxojnë kundërshqiptarët. Përderisa nuk ka aspak ligj siq e kanë shtetet e botës, le të guxojnë tradhtarët të dalin hapur përpara shqiptarëve.
Po a mendoni se do të guxonte një serb të publikonte në mjediset e Universitetit të Beogradit një hartë ku të mungonte Serbia? Çfarë do të kishte ndodhur me publikuesin ose publikuesit? Çfarë do të kishte ndodhur me universitetin? Mendoj se gjithkush e ka shumë të qartë.
Po në Prishtinë si guxohet të publikohet harta e botës pa Kosovën e Shqipërinë, duke i shtrirë hapësirat serbe mbi të gjitha trojet shqiptare? Çfarë do të thotë kjo? Çfarë nënkupton? Çfarë duan të thonë armiqtë e shqiptarëve dhe tradhtarët e atdheut e të kombit me veprime të tilla?
Lexova se profesorë dhe studentë të Universitetit të Prishtinë e kanë konsideruar skandal, vendosjen e hartës me shtetet e botës në murin e korridorit hyrës të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Por a është skandal apo një provë për të treguar se ndjenja kombëtare shqiptare tentohet të vihet në agoni, tentohet të ekspozohet si e vdekur.
Po a mendojnë vërtetë armiqtë dhe tradhtarët e atdheut se mund të jetë kështu? Kanë kaq guxim sa të bëjnë tentativa të tilla agresive, të mohimit të shqiptarëve e trojeve të tyre, sot në shekullin e modernizimit?
Kundërkombëtarizmi nuk është me brirë e as nuk ulërinë. Ai shfaqet kështu. Me një hartë mohuese. Me një faqe mohuese në librin e historisë së nxënësve në shkolla. Me shkatërrimin e një mjedisi kulturor shqiptar. Me zhdukjen e një objekti arkeologjik. Me djegien e një hapësire karakteristike etj.
Ky është guxim. Por çfarë vjen më pas? Çfarë synimesh kanë ata që ndërmarrin nisma të tilla?
Nuk është rastësi që një dukuri e tillë banale dhe shumë e guximshme kundërshqiptare ekspozohet si krijim modern në mjediset e Universitetit të Prishtinës. Kjo është një provë e rrezikshme.
Ky është tregues se të dashuruarit pas Serbisë dhe të përbetuarit për Serbinë kanë marrë energji dhe kanë mohuar përfundimisht qenien shqiptar. Të tillë a duhet të ketë në universitetet tona? A duhet të ndihet krenar Universiteti i Prishtinës që bëhet promovues i mohimit të shqiptarëve në Ballkan? Po ku e kemi vendin ne sipas nismëtarëve të këtij akti diversionist serb në qendrën më të madhe kulturore e arsimore të shtetit të Kosovës?
Tashmë askush nuk çuditet nëse do të shohim, se një ditë do të promovohet edhe një kishë e re serbe. Nuk do të çuditemi kur të hapet një shkollë e re serbe.
Guximi kundërshqiptar qenka shfrenuar.
Shqiptarizmi qenka bërë vështrues indiferent.
Ama po ua mbajti shkoni në Serbi bëni kështu si në Universitetin e Prishtinës.
Se ua nxjerrin lëkurën e trupit nga qafa. Shkoni, shkoni dhe provoni, njerëz të prishur, që veç njeriun nuk e kanë fis, që nuk meritojnë të hanë bukën e tokës shqiptare.
Dhe më e çuditshmja është se Rektorati i Universitetit të Prishtinës, paska thënë se: ”… harta në Fakultetin e Filologjisë, ishte paraqitur si një skicë bardh e zi me kontura të thjeshta dhe se ishte pjesë e një projekti më të gjerë vizual dhe si e tillë nuk përfaqësonte versionin përfundimtar të saj. Ajo ishte menduar për të shërbyer si element i ‘Këndit Ndërkombëtar’ të Fakultetit, një hapësirë në zhvillim, që ka për qëllim promovimin e shkëmbimeve akademike ndërkombëtare për studentët e Universitetit të Prishtinës”. Dhe se ”… gabimin teknik në hartë e kanë identifikuar dhe e kanë korrigjuar”.
Po mirë more zotëri Rektorat, po përse punuesit e hartës nuk harruan Serbinë, pse nuk harruan Greqinë? Por duke qenë shqiptarë harruan pikërisht atë që i ka lindur dhe i ushqen – atdheun e tyre?
Zotëri Rektorat. Është befasi të jesh A-ja e zhvillimit arsimor në Kosovë dhe për çudi të ikën Kosova nga harta e botës.
Zotëri Rektorat duhet me i thirr mendjes.
Unë po të isha në vend të zotëri Rektorit do të kisha dhënë kushtrim kombëtar, për të qartësuar njëherë e mirë gjithçka mbi aktin diversionist serb dhe veprimtarinë e tradhtarëve në shërbim të Serbisë.
Prof. Dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension.