Të huajt në Gjermani, të pazëvendësueshëm
Nga Mimoza Kelmendi
Dekada më parë ekonomia gjermane lulëzonte, por vendi kërkonte forca punëtore. Republika Federale kishte nënshkruar që në vitin 1955 marrëveshje punësimi me Italinë, më pas me Spanjën, Greqinë, Turqinë, Portugalinë dhe, në vitin 1968, me Jugosllavinë. Të ashtuquajturën marrëveshje për punësim Gjermania e nënshkroi me Turqinë më 30 tetor 1961.
Ndërsa më 12 tetor 1968 Gjermania nënshkroi Marrëveshjen për Tërheqjen e Fuqisë Punëtore me ish-Jugosllavinë socialiste, marrëveshja për “gastarbeiter”. Në mesin e të cilëve edhe shumë shqiptarë nga Kosova. Fillimisht ata e konsideronin veten si “punëtorë emigrantë të përkohshëm” dhe donin vetëm të fitonin për ca kohë para jashtë atdheut dhe të ktheheshin.
Por më vonë e kuptuan se “e përkohshmja” ishte bërë e “përhershme”. Pra shumë prej tyre erdhën për një vit, por qëndruan një jetë. Me kalimin e kohës ata e kuptuan se do të ishte më mirë të jetonin në Gjermani, madje edhe duke sjellë më vonë gratë dhe fëmijët e tyre. Gjenerata e dytë dhe e tretë sot (pra fëmijët dhe nipat e mbesat e tyre) përpiqen ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, edhe pse brezi më i ri flet ndërkohë më mirë gjermanisht se sa shqip.
Nëse brezi i parë i punëtorëve emigrantë e vlerësonte me prioritet identitetin shqiptar, brezi i dytë dhe për më tepër ai i treti e shikojnë identitetin shqiptar të barasvlefshëm me identitetin gjerman. “Punëtorët e përkohshëm”, kështu ishte përcaktimi zyrtar, punonin ditën shumë, ndërsa në darkë dilnin në klubet e tyre të sapoformuara.
Nga këndvështrimi i sotëm mund të thuhet se ata jetonin që atëherë në një shoqëri paralele. Natyrisht se vetë shqiptarët tregojnë se nuk janë patjetër të asimiluar, por janë shumë mirë të integruar. Sepse në këta 50 vjet kanë ndryshuar jo vetëm emigrantët, por edhe shoqëria gjermane. Madje shkrimtari Max Frisch pati deklaruar në atë kohë: “Në kërkuam fuqi punëtore, por erdhën njerëz”.
Ndërkohë në Gjermani jeton brezi i dytë dhe i tretë (madje edhe i katërt) i shqiptarëve të ardhur si “gastarbeiter”. Numri i tyre llogaritet mbi 300 000 veta. Por pas vitit 1991, me fillimin e Luftës në Jugosllavinë e Millosheviqit, mijëra shqiptarë nga Kosova u vendosën në Gjermani. Sot flitet që numri i gjithë shqiptarëve ka arritur mbi 600 000. Shumë syresh kanë edhe pasaportën gjermane. Ndërsa emigrimi nga Shqipëria ishte dikur një vendim shumë i rëndësishëm për jetën, sepse në kohën e komunizmit largimi qe rrugë pa kthim.
Sipas një studimi të kryer nga Zyra Shqiptare e Statistikave (INSTAT), Gjermania ishte në vitet 1990-1995, pas Italisë, destinacioni më i preferuar i emigrantëve shqiptarë nga Shqipëria. Zyra Federale Gjermane e Statistikave ka regjistruar në vitin 1990, 3 298 emigrantë shqiptarë. Ndërmjet viteve 1992 dhe 2010 në Gjermani kanë ardhur mesatarisht rreth 10 000 – 12 000 emigrantët shqiptarë në vit. Në vitin 2011 ishin rreth 10.300.
Aktualisht në Gjermani po vijnë gjithnjë e më shumë shqiptarë për të studiuar dhe punuar. Sipas të dhënave të EUROSTAT-it me mbi një milion emigrantë në vendet e BE-së, Shqipëria zë vendin e tretë në klasifikimin e emigrantëve sipas vendit të origjinës. Një rol të madh luan edhe imazhi negativ i Shqipërisë apo Kosovës jashtë që i tremb shumë veta të kthehen përsëri në vendin e tyre.
Shumë shpesh janë prindërit që i këshillojnë fëmijët të mos kthehen, sepse janë të zhgënjyer vetë me situatën e tyre. Madje tani vendit po i kthejnë shpinën aq shumë veta si kurrë më parë. Dhe nuk është çudi, që edhe njerëz me kualifikim të lartë largohen tashmë nga Shqipëria apo Kosova, për ta nisur jetën nga e para jashtë vendit. Fjala është për mjekë, infermierë, inxhinierë, ekspertë të ekonomisë, informaticientë, teknikë e tjerë. Por a mundet tashmë Gjermania pa të huaj?
Fakt është që ndërkohë Gjermania është bërë strehë për migrantët. Më shumë akoma. Ata janë bërë të pazëvendësueshëm, siç vërtetojnë shumë fakte. Me të drejtë shtrojnë pyetjen ekspertë të ndryshëm të demografisë: Ç’do të ndodhte sikur të gjithë migrantët pa pasaporta gjermane (pra rreth 8 për qind) të largoheshin papritur nga Gjermania? “Nuk do të kishte asnjë pjesë të jetës, që nuk do të ishte e prekur”, përgjigjet gazetari Pitt von Bebenburg, autor i librit “Gjermania pa të huaj”.
“Një gjë e tillë do të ndikonte në mënyrën më dramatike mbi zonat me përqendrim të lartë popullsie”. Shembull në metropolin e Hessenit, Frankfurt mbi Main, i cili do të humbiste 25 për qind të banorëve të vet.
Mbi 4 milionë të huaj ushtrojnë në Gjermani një profesion. Ata punojnë në të gjitha fushat e punës dhe të ekonomisë. Por Gastronomia ka shkallën më të lartë të të huajve, me 20 për qind. Po qe se të huajt do të largoheshin nga vendi, shumë gjermanë duhet të heqin dorë nga gjëra të ndryshme, sepse dyneri turk ia ka zënë prej vitesh vendin currywurst-it gjerman, (salsiçes me erëza djegëse), si vakti i vogël më i pëlqyer. 122 000 tonë mish dyneri hahet në vit aktualisht në Gjermani ose mbi 2 milionë porcione në ditë.
Por merita e migrantëve për Gjermaninë shkon përtej shifrave të tregut të punës dhe qebapëve apo dynerëve. Migrantët kanë dhënë një kontribut të madh. Ata kanë punuar në sektorin industrial dhe kanë kontribuar shumë në hovin e ekonomisë gjermane. Migrantët japin këtu, edhe për shkak të kompetencave të tyre ndërkulturore, një kontribut shumë të vlefshëm. Falë migrantëve, multikulturaliteti duket se po kthehet në normalitet për një numër gjithnjë në rritje gjermanësh, ndër të tjera 1,8 milion raste lidhjesh martesore mes gjermanëve dhe të huajve.
Që Gjermania ka nevojë për emigrantë është tashmë e padiskutueshme edhe për faktin se gjermanët kanë pak fëmijë dhe kështu sistemi social dhe i pensioneve po bëhet financiarisht i papërballueshëm, por edhe sepse mungojnë specialistë.