Të hyrat nga policat e sigurimeve arrijnë mbi dy milionë euro

20 gusht 2018 | 12:11

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Blerim Pushkolli, ka thënë se të hyrat nga premitë e sigurimit kufitar për periudhën janar – qershor të këtij viti janë në vlerë prej 2,421,556 eurosh (pa TVSh).

Në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur edhe për anëtarësimin e BKS-së në Këshillin e Byrove.

Ai ka theksuar se BKS-ja ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Byrove në vitin 2011. Pushkolli ka thënë se mosanëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është barrierë kryesore që kërkon qasje serioze për ta bërë të mundur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove

 

“Epoka e re”: Z. Pushkolli, meqenëse Austria ka refuzuar mbulimin me  kartonin e gjelbër, a mund të kërkojë asistim gjetkë?
Pushkolli: Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) nuk do të ndalet në këtë drejtim derisa ta zgjidhë këtë çështje, edhe përkundër refuzimit në këtë rast të Austrisë. Gjithashtu, nuk do të mungojë vazhdimësia, as nuk ka munguar asnjëherë, pasi kur Këshilli i Byrove kishte kërkuar që Kosova t’i plotësonte disa parakushte para se t’i fillojë procedurat e aplikimit të saj në Këshillin e Byrove në Bruksel, që atëherë ishte vepruar në procedim të çështjes në mënyrë institucionale, duke plotësuar kushtet si vijojnë: Aprovimin e Ligjit për Sigurim të Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, Themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Qendrës Informative të Sigurimeve, si dhe Fondin Garantues, në shumë prej katër milionë eurosh. Bazuar në këtë, kushtet e kërkuara nga Këshilli i Byrove, BKS-ja i ka plotësuar dhe ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Byrove në vitin 2011. Pos të tjerash, mosanëtarësimi në OKB është barrierë kryesore, e cila kërkon qasje serioze për të bërë të mundur më pas anëtarësimin e Kosovës për në Këshillin e Byrove. Sa i përket refuzimit të austriakëve, vlen të theksohet se Shoqata e Austrisë në përgjithësi mbështet përfshirjen e Kosovës për anëtarësim në sistemin e Kartonit të Gjelbër mirëpo, për të marrë përsipër mbulueshmërinë territoriale të Kosovës, e ka konsideruar si rrezik financiar për anëtarët e vet.

“Epoka e re”: Pos pranimit në OKB, mund të jetë shkak edhe numri i lartë i automjeteve të pasiguruara?
Pushkolli: Po, numri i lartë i automjeteve të pasiguruara paraqitet si imazh jo i mirë, e veçmas nga kjo shkelje e ligjit shkaktohen dëme shumë të mëdha, respektivisht edhe humbje të tjera që ndërlidhen. Automjeti i paregjistruar, siguruar, konsiston se nuk ka kontroll teknik, paraqet rrezik të lartë për sigurinë në trafik, po ashtu nga kjo rezulton se buxheti i Kosovës humbet financiarisht nga mosinkasimi i tatimeve dhe taksave të regjistrimit nga sigurimi i këtyre automjeteve, njëkohësisht kompanitë e sigurimit janë të penalizuara dyfish pasi, pos mungesës të të hyrave nga sigurimi, obligohen t’i kompensojnë palët e treta, viktima në aksidente të cilat shkaktohen nga këto automjete. Gjithashtu, edhe disa vendime të dala nga MPB-ja, komuna dhe institucione të ndryshme ndikojnë në mënyrë direkte apo indirekte në rritjen e numrit të automjeteve të pasiguruara, pasi po bëjnë ndërlidhjen e inkasimeve të ndryshme tatimore, shërbimeve publike, duke i lidhur me regjistrimin e automjeteve, p. sh., pagesën e gjobave të trafikut, pagesën e tatimit në pronë dhe të shërbimeve komunale në disa komuna, zgjatjen e afatit për regjistrimin e veturave etj. Kjo e fundit mund të ketë efekt në formë kampanje për disa muaj, por jo në afat të pacaktuar. Pastaj këto vendime po ndikojnë te qytetarët dhe po zvarritet procedura e regjistrimit të automjetit. Institucionet publike do të duhen të gjejnë medoemos mekanizma të tjerë për inkasim të të hyrave ndaj institucioneve të tyre. Është shumë i nevojshëm koordinimi ndërinstitucional lidhur me këto çështje. Zgjidhje të këtij problemi mund të ketë duke aplikuar praktika nga vendet e ndryshme që kanë efekt të lartë: konfiskimi i menjëhershëm i automjetit nëse gjendet i pasiguruar në vend publik, si dhe largimi nga puna kur policët gjenden në trafik me automjetet e pasiguruara.

“Epoka e re”: Me një numër kaq të lartë të automjeteve të pasiguruara, siç thoni ju, rrezikojmë mos të jemi pjesë e kartonit të gjelbër apo lëvizjes së lirë të automjeteve edhe pas anëtarësimit në Këshillin e Byrove?
Pushkolli: Nga Këshilli i Byrove do të vlerësohet numri i ulët i automjeteve sepse është parakusht teknik, i cili duhet të jetë i përmbushur edhe pas pranimit në Këshillin e Byrove. Nisur nga kjo, duhet pasur parasysh se veturat e paregjistruara nuk duhet të shikohen vetëm si kërkesë nga Këshilli i Byrove, por për arsye se pronarët/drejtuesit e automjeteve të pasiguruar janë shkaktarë të shumë aksidenteve që përfundojnë jo vetëm me dëme të mëdha materiale, por edhe me fatalitet. Numri i të vdekurve, në këtë rast nga aksidentet e shkaktuara prej të pasiguruarve që nga themelimi i Fondit të Kompensimit, ka arritur në 195.

“Epoka e re”: Nisma e Komisionit për Buxhet dhe Financa për të kërkuar nga Austria mbulim për kartonin e gjelbër është komentuar si interferim politik. Kemi të bëjmë me çështje politike apo çështje byrosh?
Pushkolli: Në radhë të parë rolin kryesor ndaj çdo kontakti duhet ta ketë BKS-ja, si e vetmja me autorizime publike në këtë lëmë, të cilat janë të instaluara me Ligjin 04/L-018 si dhe në harmoni me Rregulloren e Brendshme të Këshillit të Byrove. Nisur nga kjo dhe dokumentet e ndryshme të Këshillit të Byrove decidivisht ceket se Byrotë Nacionale duhet të jenë të pavarura. Pra, Byroja është përfaqësuese kombëtare në Këshillin e Byrove dhe është përgjegjëse për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit të gjelbër, dhe se diskutimet teknike lidhur me këto çështje të sigurimeve do të duhej të bëheshin vetëm nga përfaqësuesit të cilët janë të përcaktuar me ligj dhe bashkërisht me ekspertët e këtij lëmi për industrinë e sigurimit, ndonëse mungesa e njohurive nga institucionet e tjera jo vetëm se nuk preferohet, por mund të paraqesë ndonjë dështim në procedimin e çështjeve siç kërkohet përkatësisht nga Këshilli i Byrove. Nga institucionet tona shtetërore kemi nevojë vetëm për mbështetje politike jashtë vendit, e jo të bartet kjo çështje si interferim politik.

“Epoka e re”: Sa është shuma që kanë paguar bashkatdhetarëve për policat e sigurimeve gjatë këtij sezoni?
Pushkolli: Të hyrat nga primet e sigurimit kufitar për periudhën janar – qershor 2018 janë në vlerë prej 2,421,556 eurosh (pa TVSh). Pagesa e dëmeve të paguara nga BKS-ja për periudhën janar – qershor 2018 kap vlerën 2,691,563 euro. Shpenzimet për këtë periudhë kanë qenë rreth 916,621 euro. Gjithsej, në total dëme dhe shpenzime të tjera vlera ka qenë 3,608,184 euro. Sa për sqarim, aplikimi i policës kufitare është bërë për arsye se kompanitë e huaja të sigurimit në EU dhe jashtë saj e përjashtojnë Kosovën nga mbulesa e tyre e sigurimit, duke pasur parasysh se Republika e Kosovës nuk është anëtare e Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër dhe duke u bazuar në Nenin 17 të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

“Epoka e re”: Dëmet nga automjetet e pasiguruar që paguhen nga Fondi i Kompensimit kapin shifrën mbi 27 milionë euro. Si grumbullohen këto mjete në Fondin e Kompensimit?
Pushkolli: Për periudhën 2010-2017 dëmet të cilat janë paguar nga Fondi i Kompensimit kapin shumën 27.8 milionë euro. Kompanitë e sigurimit të cilat ushtrojnë veprimtari në sigurimin e detyrueshëm në territorin e Republikës së Kosovës janë të detyruara të kontribuojnë financiarisht në këtë fond konform Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, respektivisht Kreu IV, Neni 32, Paragrafi 2. Gjithashtu, përveç ndikimit negativ financiar në sektorin privat, respektivisht industrinë e sigurimeve, në masë të njëjtë kjo ndikon edhe buxhetin e shtetit për shkak të mosinkasimit të tatimeve dhe taksave të ndryshme gjatë regjistrimit të automjeteve.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teherani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Rusisë dhe Kinës…