Të jemi të bashkuar në raport me krimet serbe në Kosovë
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë me dije se askujt prej partive politike nuk i takon që të deklarohet se mund apo nuk mund të themelohet tribunali ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë.
Ai ka thënë se spektri politik shqiptar duhet të jetë unik rreth gjenocidit serb në Kosovë dhe themelimit të tribunalit ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi i ka ftuar institucionet e Kosovës që të punojnë në këtë drejtim.
“Është e vërtetë se Kosova ka pak mundësi për të ndikuar në themelimin e kësaj gjykate për dënimin e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë gjatë vitit 1998/99. Por, kjo nuk do të thotë se ka ndonjë alibi, që institucionet e Kosovës mos të punojnë për krijimin e dëshmive se: Serbia në Kosovë ka kryer krime të gjenocidit, se kriminelët jo vetëm që shëtitën të lirë, por drejtuesit e shtetit serb jo vetëm se nuk janë penduar e kërkuar falje për këtë, por ata kërkojnë edhe t’i mohojnë krimet e gjenocidit. Pra, ka shumë arsyeje që faktori politik shqiptar, pozitë-opozitë, për këto çështje duhet të jetë në unison të plotë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka vlerësuar se iniciativat e tilla do të duhej të kishin një përgatitje para se të dilnin në opinion.
“Iniciativa mund të jetë një vrap për merita apo ndonjë arsye tjetër, në këtë rast nuk duhet të merrem me gjëra të tilla. Një gjë dihet, krimet e gjenocidit serb nuk janë dënuar, ato duhet të dënohen. Kjo është ajo që duhet të merremi vesh jo vetëm ne në Kosovë, por edhe drejtësia ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka treguar se nëse nuk arrihet themelimi i një tribunali ndërkombëtar, atëherë institucionet e Kosovës duhet t’i dënojnë krimet serbe.
“Ato duhet ta kryejnë përgjegjësinë e tyre institucionale. Duhet ta ndjekin rrugën e Kuvendit i cili miratoi rezolutën me të cilën, politikisht dënon krimet e gjenocidit serb. Pas këtij akti duhet të miratohet Ligji për dënimin e kryerësve të krimit të gjenocidit në mungesë. Kjo i mbetet sistemit të drejtësisë në Kosovë. E pastaj vijnë veprimet e tjera. Këtë askush nuk mund t’ia mohojë Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, 20 vjet pas luftës Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë. Tani po diskutohet për mundësinë e themelimit të një tribunali ndërkombëtar për krimet e luftës. Si i kemi parë këto iniciativa?
Krasniqi: Opinioni ynë duhet ta dijë se, veç problemeve që nuk janë varur nga ne, ka ekzistuar e vazhdon të ekzistojë një problem brenda politikës e shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Dhe ky/këto probleme ishin e vazhdojnë të jenë: mungesa e debatit dhe e komunikimit në politikën tonë, mosharmonizimi i politikave të interesit kombëtar. Nuk kam asnjë fije dyshimi, që pengesat kryesore kanë ardhur deri më tani nga kryetarët e partive politike të cilët si dje ashtu edhe sot kanë diktuar me partitë politike. Kjo logjikë, për fat të keq, po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Vazhdimi me këtë logjikë nuk mund të sjellë rezultate të tjera, veç atyre që i kemi parë e, fatkeqësisht, po i shohim edhe tani. Iniciativat e tilla do të duhej të kishin një përgatitje, mbase para se të dilnin në opinion. Iniciativa mund të jetë një vrap për merita apo ndonjë arsyeje tjetër, në këtë rast nuk duhet të merrem me gjëra të tilla. Një gjë dihet, krimet e gjenocidit serb nuk janë dënuar, ato duhet të dënohen. Kjo është ajo që duhet të merremi vesh jo vetëm ne në Kosovë, por edhe drejtësia ndërkombëtare.
“Epoka e re”: Dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LV-ja, të hënën lëshuan sallën e Kuvendit ku po diskutohej për krijimin e një komisioni për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj për këto veprime?
Krasniqi: Partitë opozitare mund edhe t’i kenë arsyet e tyre, që mua nuk më janë të panjohura, mund të kenë edhe ndonjë argument, gjithnjë sipas tyre por, për mua, nëse kihet parasysh rëndësia që ka për Kosovën e qytetarët tanë dënimi i krimit të gjenocidit, largimi nga Kuvendi është gabim dhe nuk është dashur të ndodhë. Kësaj i thonë: “Për inat të resë me vdektë djali!” Kjo logjikë na lë në labirintin pa shtegdalje.
“Epoka e re”: Me veprime të tilla a rrezikohet që të dërgohen mesazhe se Kuvendi i Kosovës nuk është unik as për krimet serbe në Kosovë?
Krasniqi: Mesazhe të tilla Kuvendi i Kosovës në opinion përcjell përditë. Krejt çështja është, si t’i dallojmë ato gjëra që janë të interesit partiak e cilat janë ato të interesit kombëtar. Sikur po harrojmë që partitë politike janë formuar për t’i mbrojtur e avancuar interesat kombëtare e jo e kundërta. Madje tek ne shkohet edhe përtej kësaj që u tha, gjithçka iu nënshtrohet interesave të individit (njëshave të partive politike). Një gjë duhet që ta dimë, partitë tona, anëtarësitë e partive tona dhe të gjithë qytetarët tanë duhet që ta dinë se pa u liruar nga despotet (të gjithëpushtetshmit) e partive politike, logjika e sundimit nuk do të kthehet në logjikë të qeverisjes demokratike.
“Epoka e re”: Pretendimet e LDK-së dhe të LV-së ishin se ky tribunal nuk mund të bëhet. Sa sfiduese për Kosovën do të jetë që të arrijë ta bindë bashkësinë ndërkombëtare për themelimin e një tribunali të tillë?
Krasniqi: Ne konsiderojmë se asnjë partie politike veç e veç, as marrë së bashku, nuk i takon të deklarohet mund apo nuk mund të bëhet një gjykatë që do të merret me dënimin e krimeve të gjenocidit serb. Është e vërtetë se Kosova ka pak mundësi për të ndikuar në themelimin e kësaj gjykate për dënimin e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë gjatë vitit 1998/99, por kjo nuk do të thotë se ka ndonjë alibi, që institucionet e Kosovës mos të punojnë për krijimin e dëshmive se: Serbia në Kosovë ka kryer krime të gjenocidit, se kriminelët jo vetëm se shëtitën të lirë, por drejtuesit e shtetit serb jo vetëm se nuk janë penduar e kërkuar falje për këtë, por ata kërkojnë edhe t’i mohojnë krimet e gjenocidit. Pra, ka shumë arsyeje që faktori politik shqiptar, pozitë-opozitë, për këto çështje duhet të jetë ë bashkuar.
“Epoka e re”: Nëse nuk arrihet të themelohet ky tribunal, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për ta vendosur drejtësinë për krimet e luftës në vend?
Krasniqi: Çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës? Ato duhet ta kryejnë përgjegjësinë e tyre institucionale. Duhet ta ndjekin rrugën e Kuvendit i cili miratoi rezolutën me të cilën, politikisht dënon krimet e gjenocidit serb. Pas këtij akti duhet të miratohet Ligji për dënimin e kryerësve të krimit të gjenocidit në mungesë. Kjo i mbetet sistemit të drejtësisë në Kosovë. pastaj vijnë veprimet e tjera. Këtë askush nuk mund t’ia mohojë Kosovës.
Muhamet KOCI