Të jesh e mbyllur me abuzuesin është më keq se burg

16 prill 2020 | 10:17

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, qytetarëve të Kosovës u është drejtuar me një video-mesazhi dhe ka kërkuar prej tyre t’i raportojnë rastet e dhunës në familje.

Haxhiu ka thënë se qëndrimi në shtëpi, rritja e stresit dhe pasiguria kanë shënuar rritje të rasteve të raportuara të dhunës në familje kudo në botë dhe në Kosovë.

“Institucionet gjatë këtyre ditëve kanë bërë thirrje që të qëndrojmë në shtëpi. Thirrja e tyre duhet të respektohet. Në anën tjetër, në këto rrethana barra më e rëndë mund të bie mbi vajzat dhe gratë. Të jesh e mbyllur me abuzuesin është më keq se burg, sepse ata mund të përfitojnë nga situata e krijuar për të mos i lejuar partnerët të dalin jashtë dhe të kërkojnë ndihmë”, ka thënë Haxhiu përmes këtij video-mesazhi.

Ministrja në detyrë ka theksuar se Kosova ka marrë masa emergjente që të lehtësohet mënyra e raportimit. “Dhuna në kohë pandemie është pandemi e fshehur, dhuna në familje është vepër penale, është krim”, tha Haxhiu, duke shtuar se edhe në këtë kohë pandemie dhunuesit do të ndëshkohen.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të mos shfaqin dhunë ndaj askujt, duke njoftuar se vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2020 janë raportuar 481 raste të dhunës në familje.

https://www.facebook.com/100001824020047/videos/3554948907909208/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike…