Të jetosh në “kafazin” e quajtur Evropë
Nga Musa Sabedini
Evropa i ka borxh Kosovës dhe popullit të saj hapjen e dyerve. Evropa nuk duhet ta kërkojë të pamundurën nga Kosova. Nëse liberalizimi i vizave nuk ndodhë sivjet, për çka personalisht jam shumë skeptik, atëherë kosovarët mund të shpërthejnë me revolta dhe pakënaqësi ndaj Evropës dhe do ta humbin dashurinë për kontinentin e vjetër, që është një ëndërr e kahershme e këtij populli properëndimor.
Marrja tri vjet me temën e demarkacionit, gjithsesi e ka koston e vetë edhe në aspektin shtetëror dhe institucional për Kosovën, sepse është humbur shumë kohë, shumë mund dhe shumë energji për ta kompletuar një nismë të mëhershme, që në fakt nuk ndryshoi nga përmbajtja.
Por, kalimi i demarkacionit nuk zgjidhë të gjitha dilemat tona e aq më pak të gjitha telashet dhe hallet tona. Demarkacioni ishte vetëm test për politikanët kosovarë dhe lidershipin e saj në sytë e Evropës dhe politikanët e moshuar, që tek e fundit, vizitat në Kosovë i kanë vetëm për honorarë dhe mbijetesë në kolltukët e tyre.
Jam rritë me ndihmën e Evropës, sepse jam nga një familje mërgimtarësh qysh nga viti 1967 dhe e njoh mirë erën dhe aromën e mirë që kanë pasuritë e Evropës. Do ta ruaj akoma këtë ndjesi, por kjo Evropë nuk duhet të kërkojë të pamundurën nga qytetarët e Kosovës.
Evropa dhe evropianët i kanë borxh Kosovës dhe popullit të saj hapjen e dyerve dhe mundësinë e punësimit sezonal dhe gjithsesi të përzgjedhur. Evropa nuk duhet ta kërkojë të pamundurën nga Kosova. Nëse liberalizimi i vizave nuk ndodhë sivjet, për çka jam shumë skeptik, atëherë kosovarët mund të shpërthejnë me revolta dhe pakënaqësi dhe dashuria për një Evropë më ndryshe fillon të zbehet.
Edhe unë, mjerisht, mund ta humb këtë shpresë të fundit që në këtë moshë timen të shkojë në perëndim, jo për të punuar, por për të parë anën e mirë dhe pozitive që kanë këto shtete. Është e dhimbshme dhe e mjerueshme kur sheh qytetarë të humbur e të demotivuar teksa presin për një vizë, për një dokument para ambasadave të huaja. Nuk do t’ia lejoja kurrë vetes një përbuzje kaq të ulët, një përçmim ekstrem nga ato roje e sigurime që krijohen enkas për shqiptarët. ”Kafazi” i Evropës duhet të përfundojë njëherë e mirë për shqiptarët.
Liberalizimi është në pikëpyetje këtë vit. Evropa do ta vejë eksperimentin e radhës për Kosovën. Fillon lufta për ta përfunduar Asociacionin, që është shumë më i dhimbshëm se demarkacioni. Fillon kushti tjetër për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pra Kosova ka shumë teste tjera që duhet t’i përmbushë.
Evropa duhet ta kuptojë faktin se kosovarët janë në zemër të saj dhe rruga më e mirë dhe më prosperuese, është hapja e portave të saj. Në të kundërtën, qytetarët ikin nga vendet tjera dhe gjejnë rrugë për të mbijetuar e bërë biznes qoftë në Turqi ose në vendet e Lindjes. Dhe më e keqja dhe më ekstremja është se qytetarët zgjedhin edhe rrugën e vdekjes, duke shkuar në Siri e gjetiu, vende këto që asnjëherë s’e kanë lidhur Kosovën, as emocionalisht e as politikisht.
Pra, Evropa mund të jetë përgjegjëse në të ardhmen, nëse Kosova dhe kosovarët e humbin durimin dhe kërkojnë zgjidhje individuale për të mbajtur familjet e tyre.
Politikanët kosovarë janë gjithmonë pengesa dhe pengu i të gjitha zhvillimeve në jetën politike dhe institucionale. Kjo klasë, nëse nuk vetëdijesohet për ta luftuar të keqen në shoqërinë tonë dhe për t’i hapur rrugë së mirës, “kafazi” i Evropës kurrë nuk do të na largohet.