TË KTHJELLËT ZVARRITEN MËNGJESET
CEZARE PAVEZE
Të kthjellët zvarriten mëngjeset
të zbrazët. Kështu çeleshin
dikur sytë e tu. Mëngjesi
shkiste ngadalë, si një vorbull
e palëvizshme drite. Heshtte.
Ti e gjallë heshtje; çdo gjë
jetonte nën sytë e tu
(pa brenga pa afshe pa hije)
të kthjellëta si deti i mëngjesit.
Ku je ti, dritë, është mëngjesi.
Ti ishe jeta dhe çdo gjë tjetër.
Tek ti merrnim frymë zgjuar
nën qiellin që është ende brenda nesh.
Pa brenga pa afshe atëherë,
pa dritën e zymtë të kësaj dite
të mbushur e të ndryshuar. O dritë,
kthjelltësi e largët, frymëmarrje
gulçuese, hidhi sytë e kthjellët
e të palëvizshëm mbi ne.
I errët është mëngjesi që zvarritet
pa dritën e syve të tu.
NATËN QË TI FJETE
Edhe nata të përngjet,
natë e largët që qan
pa zë, brenda zemrës thellë,
dhe yjet kalojnë të lodhur.
Një faqe çik një tjetër –
është një rrëqethje e ftohtë, dikush
përpiqet e të përgjërohet, i vetëm,
i përhumbur brenda teje, në zjarrin tënd.
Nata vuan e ka mall për agun,
e shkreta zemër që gulçon.
O fytyrë e mbyllur, ankth i errët,
zjarr që trishton yjet,
ka nga ata që si ty presin agun
duke vështruar në heshtje fytyrën tënde.
Je shtruar përmbi natë
si një horizont i mbyllur i vdekur.
E shkreta zemër që gulçon,
një ditë të largët ishe agu.
NË MËNGJES TI GJITHMONË KTHEHESH
Feksja e lehtë e mëngjesit
merr frymë me gojën tënde
në fund të rrugëve boshe.
Dritë gri janë sytë e tu,
pikëza të ëmbla mëngjesore
mbi kodrat e errëta.
Hapi dhe frymëmarrja jote
si era e mëngjesit
përmbysin shtëpitë.
Qyteti ngjethet,
adhurojnë gurët –
je vetë jeta, rizgjimi.
Yll i përhumbur
në dritën e mëngjesit,
kërkëllima e flladit,
ngrohtësi, frymëmarrje –
nata mbaroi.
Je drita dhe mëngjesi.
VDEKJA DO TË VIJË E DO T’I KETË SYTË E TU
Vdekja do të vijë e do t’i ketë sytë e tu –
kjo vdekje që na shoqëron
nga mëngjesi në mbrëmje, syçelët,
e shurdhët, si një sëmbim i vjetër
a një ves absurd. Sytë e tu
do të jenë një fjalë boshe,
një klithmë e patreguar, një heshtje.
Të tillë i shikon çdo mëngjes
kur veç mbi veten përkulesh
në pasqyrë. O shpresë e shtrenjtë,
atë ditë do ta dimë edhe ne
se je jeta dhe hiçi.
Vdekja ka një vështrim për të gjithë.
Ajo do të vijë e do t’i ketë sytë e tu.
Do të jetë sikur heq dorë nga një ves,
si të shohësh në pasqyrë
teksa rishfaqet një fytyrë e vdekur,
si të dëgjosh një murmurimë të mbytur.
Memecë do të zbresim në vorbull.
(Përktheu nga italishtja: Renato Kalemi. Revista “Akademia”)