Të kthyerit nga Siria, Tahiri: Për fëmijët, një shans i dytë për jetë, të dyshuarit do të dalin para drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në konferencë për media të mbajtur sot, ka njoftuar mediat dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për operacionin e realizuar në orët e para të mëngjesit përmes të cilit Qeveria e Republikës së Kosovës, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka kthyer 110 qytetarë të Kosovës të cilët kanë qenë në vatrat e luftës në Siri.
Tahiri ka bërë të ditur se që nga muaji tetor i vitit 2018 ka qenë në krye të një Task Force ndër institucionale e cila është angazhuar për një koordinim të plotë për realizimin e këtij operacioni.
Ministri Tahiri ka theksuar se përveç angazhimit në kuadër të Koalicionit Global Kundër Terrorizmit, për të parandaluar shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në konflikte të huaja dhe për të luftuar terrorizmin, aksioni i sotëm është ndërmarrë për të përmbushur detyrimet që Kosova ka përballë parimeve mbi të cilat funksionin rendi ynë kushtetues.
Ministri Tahiri ka potencuar se të gjitha pretendimet për kryerjen e veprave penale dhe krimeve me të cilat mund të ngarkohen personat që kanë qenë pjesëmarrës në vatrat e luftës, në zonën e konflikteve, si dhe që kanë qenë të përfshirë në çfarëdo kapaciteti në organizata terroriste, do të adresohet konform ligjeve në fuqi.
“Mesazhi ynë është i qartë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e sistemit të drejtësisë, do vazhdojnë akoma më fuqishëm parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Republika jonë nuk do lejojë që shtetasit e saj të paraqesin rrezik për sigurinë e vendit dhe sigurinë e vendeve tjera perëndimore” ka thënë ministri Tahiri.
Megjithatë, ministri Tahiri foli edhe për dimensionin tjerër rreth qytetarëve të kthyer pjesa më e madhe e të cilëve janë gra dhe fëmijë, të cilët meritojnë të rehabilitohen.
“Këto gra, meritojnë rehabilitim dhe shpresë për një jetë të qetë dhe këta fëmijë, në vend të zonave të konfliktit, e kanë vendin në shkollë, për tu edukuar mbi të ardhmen e tyre. Këta shtetas tanë, veçmas fëmijët, kanë kaluar një periudhë të rëndë traumatike dhe përballë tyre, ne do të marrim përsipër kujdesin në mënyrë që eksperienca e tyre e hidhur të tejkalohet” ka shtuar ministri Tahiri.
Sipas ministrit Tahiri, Republika e Kosovës dhe kushtetuta e saj nuk i mohon askujt të drejtat themelore, andaj premtoi se do të angazhohet që këta qytetarë të rehabilitohen, të integrohen dhe të bëhen pjesë e shoqërisë.
“Realizimi i këtij operacioni, për të cilin jemi shumë mirënjohës ndaj partnerëve tanë si dhe mekanizmave të sigurisë në vend, dërgon një mesazh i qartë se shteti ynë nuk do t’i braktisë qytetarët e vet, pavarësisht eksperiencës së tyre. Por po ashtu dërgon një mesazh të qartë se ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe terrorizmi nuk kanë të bëjnë asgjë me ne, as me traditën tonë, as me realitetin ku bëjmë pjesë, as me vizionin tonë shtetëror e shoqëror dhe si të tilla, do luftohen në çdo hap” ka përfunduar ministri Tahiri.
Në konferencën për shtyp në të cilën kanë marrë pjesë edhe drejtori i Policisë së Republikës së Kosovës Rashit Qalaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, mediat janë njoftuar për gjendjen e tyre dhe për masat që kanë ndërmarrë institucionet e vendit për të menaxhuar me kujdes rehabilitimin e këtyre qytetarëve.