“Të lumtë ata që faqebardhë e kanë kryer detyrën ndaj atdheut”, Haradinaj komenton librin kushtuar Hashim Thaçit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka postuar në Facebook disa fotografi e një mbishkrim, nga organizimi i promovimit të librit “Shtet i ri, burrë shteti modern, Hashim Thaçi, një biografi”, kushtuar ish-Presidentit Hashim Thaçi.
Haradinaj ka pasur fjalë të mëdha për Thaçin, duke u shprehur se ai e ka kryer punën me nderë e faqebardhë ndaj atdheut.
Postimi i plotë:
Rruga e shqiptarëve të Kosovës deri tek liria e pavarësia, në secilën etapë të historisë sonë, ishte shumë e rëndë e me çmim të lartë.
Në prag të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, mora pjesë në promovimin e librit “Shtet i ri, burrë shteti modern, Hashim Thaçi, një biografi”, i autorëve Roger Boyes dhe Suzi Jagger, në librotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Të lumtë ata që me sukses e kanë kryer detyrën ndaj atdheut, faqebardhë e me nder. Përpjekjet kundër shqiptarëve dhe të vërtetës sonë gjithmonë kanë dështuar. Ata që sot mbahen në Hagë, fuqishëm besojmë në pafajësinë e tyre, sepse lufta jonë ishte çlirimtare.
Mirënjohës përjetë aleatëve tanë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hisedare në rrugën e lirisë sonë e të krijimit të shtetit e të ushtrisë sonë.