TË LUMTË DR. MUSA KRASNIQI!

17 dhjetor 2022 | 16:36

Nga: Ibrahim Xhemajli

Gjinekologu dr. Musa Krasniqi është ekspert i përmasave ndërkombëtare, i cili ka sjell edhe risi në punën e tij operative, madje pritet që pajisjen operative të cilën e ka dizajnuar vet të dalë në treg me emrin “Krasniqi”. Procedura ka filluar në “Klinika e ideve” pranë Universitetit të Ålborg-ut në Danimarkë.
Ai thotë se kjo procedurë mund të marrë kohë deri në tri vite.
Musa në paraqitjen e tij teorike katër orëshe më 15 dhjetor nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë (i lidhur për mes telemedicinës me të gjitha spitalet në Kosovë) ka premtuar: “Ma gjeni një prodhues këtu në Atdhe. Kuptohet prodhuesi do të merrte pjesën e vet të fitimit ndërsa të tërën – pjesën time si ideator do ia dhuroja me kënaqësinë më të madhe Shëndetësisë publike në Atdhe”.
Siç dëshmohet dr. Krasniqi jo vetëm si profesionist por edhe si humanist e atdhedashës është i përmasave të mëdha.
Me eksperiencën e tij 30-vjeçare dhe shkathtësitë e tij inovative dr. Krasniqi dy javë (49 dhe 50) ishte në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë për t’i trajnuar kolegët e tij specialistë, duke bërë operacione të avancuara bashkëkohore laparoskopike e hysteroskopike (operacione në lëminë e Gjinekologjisë). Madje në ligjëratën që mbajti më 15 dhjetor dr. Musa shprehu, gjithashtu, gatishmërinë që t’i aftësojë 10 gjinekologë specializantë të Kosovës për operacione bashkëkohore laparoskopike e hysteroskopike.
Dr. Musa Krasniqi është i pari gjinekolog në Skandinavi që ka aplikuar Histeroktominë Endoskopike Vaginale (metodë laparoskopike përmes rrugëve natyrale vaginale).
Përkundër këtij suksesi e kontributi vullnetar të dr. Krasniqit dhe risitë e tij si dhe metodat operative që aplikoi në Repartin Gjinekologjik të Spitalit të Pejës (të papara/të pandodhura gjerë më tani në Kosovë), televizionet në Kosovë nuk e dhanë as edhe një lajm në emisionet e tyre informative.
Një injorim i tillë nuk duhet të bëhej së paku nga RTK-ja që është televizion publik e paguhet nga taksapaguesit e Kosovës!?
(Sikur ky kontribut të vinte nga ndonjë ekspert i huaj ndërkombëtar atëherë televizionet tona do të bënin gara se kush do ta jepte lajmin i pari, madje do të bënin edhe emisione speciale…)
Vlen të theksohet se dr. Musa Krasniqi ka tentuar që kontributin e tij profesional ta jep edhe shumë herë më parë në Kosovë por nuk qe e mundur për shkak të pengesave burokratike…
Kësaj here u bë e mundur falë angazhimit të shefit të Repartit të Gjinekologjisë-Obstetrike dr. Samoni Loxha, drejtorit të logjistikes Selman Kelmendi dhe drejtorit ekzekutiv të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës dr. Fazli Shala e besa edhe intervenimit të kryeministrit Kurti.

Dr. Musa Krasniqi,
të lumtë për kontributin tuaj të gjithmbarshëm, para, gjatë e pas luftës!
Respekt!
Je krenari kombëtare!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur familja e…