Të martën Prizreni e shpallë “Qytetar Nderi” Ali Ahmetin
Të martën në ora 11:00, Kuvendi Komunal i Prizrenit, pritet ta shpallë “Qytetar Nderi” Ali Ahmetin, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ardhjen e Ahmetit në Prizren e ka konfirmuar edhe kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj.
“Po, zotëri Ali Ahmeti do të shpallet qytetar nderi i Prizrenit të martën, në ora 11:00 fillon seanca”, tha Totaj shkurtimisht.
Ahmetin pritet ta shoqërojë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani.
Ndryshe, kreu i BDI-së kishte qëndruar për vizitë në Gjakovë gjatë vitit të kaluar, vetëm pak javë pas vizitës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë qëndrimit të Kurtit atje, nuk kishte takuar asnjë zyrtarë qeveritarë, as nga radhët e maqedonasve, por as nga ata shqiptarë, të cilët udhëheqin me një numër të konsiderueshëm ministrish, përfshirë atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Çairi dhe Tetova – dy komuna me shumicë shqiptare – kishin qenë vendet që kryeministri kosovar kishte qëndruar.
Atje, ai kishte takuar kryetarët e këtyre dy komunave, respektivisht Visar Ganiun dhe Bilall Kasami.
Ai kishte preferuar që të mos i takonte dy krerët e partive më të mëdha shqiptare – Ali Ahmetin e BDI-së dhe Arben Tarvarin e Aleancës për Shqiptarët.