Të martën votohet për anëtarësimin e Kosovës në Interpol
Një prej pikave të rendit të ditës në agjendën e samitit të Interpolit të martën do të jetë edhe votimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.
Lajmin e ka bërë me dije të dielën zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Me këtë rast ai ka thënë se ky është një fillim i mbarë dhe, sipas Pacollit, lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është synim i Republikës së Kosovës.
Në prag të mbajtjes së samitit të Interpolit, liderët shtetërorë kanë shtuar përpjekjet për të lobuar në vende të ndryshme për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, shkruan “Epoka e re”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se këto ditë do të shkojë në Austri për të lobuar që vendi ynë të bëhet pjesë e Interpolit.
Ndërsa javën e kaluar kryeparlamentari Kadri Veseli ka qëndruar për vizitë në Finlandë, ku ka marrë mbështetjen e zyrtarëve finlandezë për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të sigurisë, Interpol.
Po ashtu, edhe presidenti Hashim Thaçi, në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore, është takuar me shumë udhëheqës botërorë, përfshirë edhe presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, nga i cili ka marrë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.