Të mbijetuarat e dhunës seksuale kërkojnë të përfshihen në dialog

29 korrik 2020 | 14:12

“Shpresë e vdekur” është për të mbijetuarat e dhunës seksuale, se një ditë shteti serb do të pranojë krimet e përjetimet makabre që ua ka shkaktuar rreth 20 mijë kosovarëve.

Megjithatë, përfaqësues të 20 mijë zërave të padëgjuar të grave e burrave të cilët i kanë mbijetuar dhunës seksuale, kanë këmbëngulur që në tavolinën përballë Serbisë, Kosova të përfaqësohet nga kjo pjesë e dëmtuar e shoqërisë. Në të kundërtën, sipas tyre nuk duhet të arrihet asnjë marrëveshje me shtetin serb.

Pas rreth 20 muajsh, javë më parë ka rinisur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Në tavolinën e bisedimeve, Kosova është përfaqësuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përballë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Përfaqësues të organizatave të të mbijetuarve të dhunës seksuale, kërkojnë nga kryeministri Hoti që të mos harrohen 20 mijë zërat e padëgjuar përballë shtetit serb.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se prapa atyre viktimave fshihen me mijëra familjarë që për më shumë se dy dekada kërkojnë drejtësinë e mohuar.

“Prapa atyre 20 mijave fshihen edhe mijëra familjarë të cilët edhe sot rënkojnë për fatin e tyre. Edhe sot nuk ka drejtësi për kriminelët të cilat e kanë ushtruar këtë krim gjatë luftës. Prandaj mendojmë që dialogu është i mangët vetëm me adresim e disa grupeve, ndërsa të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës nuk paraqiten ose nuk diskutohen se si të procesohet me to”, ka thënë Rushiti.

Rushiti ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që të jetë në bashkëpunim të ngushtë me organizatat të cilat i përfaqësojnë dhimbjet e 20 mijë grave e burrave të cilat janë dhunuar gjatë luftës.

Kështu sipas saj, do të adresohen sa më qartë kërkesat e Kosovës në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“E para çka duhet të kërkohet është qasja në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale, dhe pa pasur një bashkëpunim të mirëfilltë mes të dyja këto shteteve ne e dimë mirëfilltë që nuk mund të realizohet drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Kërkesë kjo tani 20 vjet me radhë që vazhdon të jetë e të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre. Përtej kësaj është reperacioni duhet të jetë pjesë e diskutimit për faktin që ata ndërkombëtarisht janë të obliguar të paguajnë dëmet të cilat i kanë shkaktuar gjatë luftës dhe në veçanti për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Kërkim falja publike po ashtu duhet të jetë pjesë e diskutimit, për faktin që kjo do të thotë shumë për të mbijetuarat e dhunës”, ka thënë Rushiti për “Kosovapress”.

E drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave në Drenas, Kadire Tahiraj, ka thënë se kërkesë e përditshme e grave të mbijetuara, është që delegacioni i Kosovës mos të nënshkruajë marrëveshje me shtetin serb, pa u njohur faktet, e rrëfimet e viktimave të dhunës seksuale.

“Fatkeqësisht që 20 vjet këto gra kanë kërkuar drejtësi por fatkeqësisht deri më tani nuk kemi gjetur drejtësi. Edhe kërkojmë që të kemi drejtësi, por nuk guxojmë asnjëherë të kemi dialog me Serbinë pa u përmendur këto krime të luftës të cilat janë bërë që 20 vjet lëndojnë, me lot, rënkim, por mbi të gjitha kanë gjetur forcë për të mbijetuar”, ka thënë Tahiraj.

Në këtë tavolinë bisedimesh, Tahiraj ka thënë se duhet të jenë vetë të mbijetuarat. Megjithatë sipas saj, për këto të fundit është “shpresë e vdekur”, se një ditë shteti serb do të kërkojë falje për krimet e bëra.

“Nuk besoj, të mbijetuarat tashmë kanë një shpresë të vdekur, por po shpresoj në qoftë se kanë vullnet dhe me të vërtetë dëshirojnë të mirën Kosovës, të mirën e qytetarëve, duhet që këto krime të përmendën në çdo tavolinë, në çdo konferencë dhe çdo dialog”, ka thënë ajo.

Vasfije Krasniqi Goodman, është gruaja e parë që ka rrëfyer publikisht për këto krime. Vëllai i saj, Nafi Krasniqi vazhdon të kërkojë drejtësi për motrën, e cila ishte vetëm 16-vjeçare kur ishte marrë dhe dhunuar nga dy paramilitarë serbë.

Krasniqi, që është edhe drejtor i organizatës “Drejtësi për të gjithë”, ka thënë për “Kosovapress” se pala kosovare duhet të ketë një platformë shumë serioze kur flitet për krimet dhe dëmet e luftës që kanë bërë në Kosovë.

Ndërkohë në takimin që është planifikuar të mbahet të enjten ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, ne Bruksel, do të hartohet drafti i marrëveshjes finale për çështjen e personave të pagjetur. Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik ky proces ka rifilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është takuar me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi para finales së Kupës ndaj…