‘Të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë kërkojnë trajtim të dinjitetshëm’
Duke kërkuar drejtësi, dinjitet, profesionalizëm dhe sinqeritet në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, shumë aktivistë, qytetarë e deputetë i’u bashkuan marshit në mbështetje të tyre.
Ky marsh ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti”, deri tek Kuvendi i Kosovës. Protestuesit kanë bërë edhe njëherë thirrje për dorëheqjen e deputetes Flora Brovina pas publikimit të fotografisë me të cilën pretendonte se paraqet kryerjen e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, por doli e pavërtetë.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare Rehabilituese të të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se i mbetët Kuvendit të Kosovës që të marrë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar.
Ajo ka cituar edhe disa nga fjalitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale, të cilat janë adresuar në këtë qendër.Ajo ka kërkuar nga institucionet e vendit që të mbijetuarit e dhunës seksuale të përkrahen në mënyrë të dinjitetshme.
Ky marsh është organizuar nga organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: Qendra Kosovare për rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Rrjeti i Grave të Kosovës, Medika Kosova, Medika Gjakova, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Shoqata Drejtësi për të Gjithë.
Marshit iu bashkua edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, deputetë të opozitës e shumë qytetarë të tjerë.
Pas marshimit, në shenjë solidarizimi, parulla me thirrjen “Më trajto dinjitetshëm”, është ngjitur në rrethojën e Kuvendit të Kosovës. /Ksp/