“Të mbys…”, u.d. sekretari në MKRS denoncohet për sulm dhe kanosje
Incidentet që nisin me fjalosje dhe pasojnë me kanosje e madje edhe me sulme fizike s’janë të rralla as në institucione. Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dyshohet se dje ka ndodhur një sulm fizik .
Siç ka mësuar Sinjali, ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri, Xheladin Krasniqi, është raportuar në polici për kërcënim nga një zyrtar i IT-së.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Miftar Latifin, u. d. i udhëheqësit të Divizionit të Teknologjisë së Informacionit, i cili është ankuar në polici për Krasniqin.
Sipas informacioneve të para, motivi i rastit lidhet me thashethemet për ligjshmërinë e vendimit që Krasniqi ka marrë.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Krasniqi e ka ftuar në zyrë Latifin, ku edhe kanë diskutuar për këto vendime – që dyshohet se u bënë mollë sherri.
Bazuar në dëshminë e Latifit, i cili është intervistuar si ankues i rastit, Krasniqi e ka kanosur dhe më pas e ka shtyrë dhe e ka kapur për krahu për ta larguar nga zyra.
Ai ka deklaruar se, ndër të tjera, Krasniqi i është drejtuar me fjalët “t’mbys” e “t’qkyj”, ku më pas ka pasuar fjalosja mes tyre.
Për gjithë rastin, Latifi ia ka mësyrë policisë dhe e ka denoncuar rastin, ndërsa u. d. Sekretari Krasniqi, po ashtu, ka dhënë dëshmi dhe e ka mohuar ta ketë sulmuar Latifin.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, tashmë është hapur hetimi dhe pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme.