Të mërkurën diskutohet pakoja e projektligjeve për pagat
Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka mbajtur mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor, në të cilën shqyrtuar plani i punës për këtë sesion.
Këtë plan, para anëtarëve e ka prezantuar kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani.
“Një rend dite që e kam përcjellë është vetëm hapje. E kemi agjendën e projektligjeve që përfshin projektligjet që na kanë mbetur. Ministri i Administratës është thirr në takim për të shqyrtuar paketën e ligjeve të administratës që ata i kanë bërë. Ata e kanë ndarë nivelin e pagave për të gjitha kategoritë”, ka thënë ai.
Ndërsa deputetja Shqipe Pantina, nënkryetare e këtij komisioni, ka propozuar që në Projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale të punojnë bashkë me Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Për mbrojtjen e të dhënave personale propozoj që ne të punojmë bashkë me Komisionin për siguri”, ka thënë ajo.
Për të mërkurën është paralajmëruar takimi me Ministrinë e Administratës Publike, Mahir Jagcillar për të diskutuar pakon e projektligjeve për pagat.