Të mërkurën Fitër Bajrami, BIK-u njofton qytetarët kur falet namazi
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka njoftuar qytetarët se Ramazani përfundon nesër (e martë).
Po ashtu, BIK-u ka njoftuar se namazi i Fitër Bajramit falet në ora 06:41.
Njoftimi i plotë i BIK-ut:
Dita e parë e Fitër Bajramit të mërkurën më 10 prill 2024
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se muaji i madhëruar Ramazan përfundon ditën e martë, më 9 prill 2024.
Dita e parë e festës së Fitër Bajramit është ditën e mërkurë, më 10 prill 2024.
Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Manifestimi fillon në orën 5:21, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga profesori i Medresesë, Shkelzen Hoxha.
Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:41, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.
Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 10 prill 2024, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.
Me fat festa e Fitër Bajramit!