
Të mërkurën nis numërimi i votave të diasporës, të personave me aftësi të kufizuara dhe atyre me kusht
Dje (e diel) janë bërë dy javë që kur në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme, mirëpo akoma nuk ka rezultate përfundimtare, derisa numërimi i votave të rregullta ka mbaruar të premten.
Të panumëruara kanë mbetur votat e diasporës, me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara. Numërimi i tyre pritet të fillojë të mërkurën. Kështu ka thënë për “Express” anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani.
Ai ka thënë se kjo është duke u bërë sipas afateve të parashikuara nga KQZ-ja.
“Është duke u pritur skanimi, nëse e shikoni planin e aktiviteteve të miratuar nga KQZ është sipas afateve”, ka thënë ai.
Nga KQZ-ja kanë thënë se numërimi i votave me kusht, të mërgatës dhe të personave me aftësi të kufizuara do të bëhet gjatë kësaj jave, mirëpo nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë.
Sa u përket votave me postë, nga 9 shkurti deri më 22 shkurt janë verifikuar 60 mijë e 997 pako, prej tyre janë refuzuar 4 mijë e 50 sosh. Këtij procesi do t’i nënshtrohen edhe 7 718 pako me fletëvotime.
Në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15 352 votues, ndërsa në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.
Vota me kusht janë 12 mijë e 801, ndërsa numri i personave me nevoja të veçanta është 2 597.