Të mërkurën promovohet libri “Kryemjeshtri” për Driton Kukën, trajnerin e famshëm të xhudos

20 shkurt 2023 | 20:57

Më 22 shkurt (e mërkurë) Arsim Maxhera do të promovojë librin “Kryemjeshtri”, i cili i dedikohet trashëgimisë dhe ndikimit të jashtëzakonshëm të trajnerit të madh të xhudos, Driton Kukës, që i solli aq shumë suksese Republikës së Kosovës.

Ceremonia e promovimit të librit do të mbahet në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në orën 12:00, shkruan “Epoka e re”.

Ky libër do t’i ketë 260 faqe plot histori, e sipas autorit të librit, lexuesit do të kenë mundësinë të dinë më shumë për karrierën e Driton Kukës. “Vepra e tij është madhore”, ka thënë Arsim Maxhera.

Për promovimin e këtij libri ka shkruar në “Facebook” edhe trajneri i xhudos, Driton Kuka, i cili ka theksuar se ky libër do të jetë udhërrëfyes për gjenerata të reja, sidomos të sportit por jo vetëm.

“Pas një pune të përkushtuar të Arsim Maxhera për karrierën time si garues e trajner drejt sukseseve, pasnesër në Institutin e Historisë ‘Ali Hadri’ në Prishtinë me fillim në ora 12:00 do të promovohet libri ‘Kryemjeshtri’. Libër që besoj fuqishëm do të jetë udhërrëfyes për gjenerata të reja, sidomos të sportit por jo vetëm! Rrugëtimi se si prej një lagje të vogël të Pejës u ndërtuan tri Kampione Olimpike, që u rritën në flakën e luftës por i treguam Botës se sa shumë e kemi merituar lirinë! I jam mirënjohës autorit dhe mikut tim për punën disavjeçare duke gjetur e hulumtuar informata në çdo kënd e skutë të veprimtarisë time”, ka shkruar në “Facebook” trajneri i xhudos, Driton Kuka.

Promovimi i këtij libri është pjesë e agjendës shtetërore për 15-vjetorin e Pavarësisë dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

May be an image of text

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ferhat Dinosha Zgjedhjet e 5 marsit për Komunën e Tuzit…