“Të mjerët na për patriotë që paskemi pasë …”

24 prill 2025 | 08:43

Letra e Dom Lazër Shantojës (1891–1945) për Imzot Lazër Mjedën (1869–1935).

Nga: Kolec Çefa

Një prirje e brendshme, pothuaj, e papërmbajtshme, impulsonte Shantojën drejt artit epistolar ku shprehu qartë atë intimitet të sinqertë shantojan – plot shkëndija artistike, me merita njohëse, letrare, edukuese, ku shpesh vetëtinë ndonjë kritikë, satirë a sarkazëm për shoqërinë e kohës e për njerëzit e politikës, ndriçuar me humor të këndshëm, qesh e ngjesh. Në këtë epistolar lexuesi shijon meditacion e ndjenja të autorit, kontribut letrar e lexon për jetën e tij të trazuar si rrallëkush, se qe viktimë e fatit, e më shumë viktimë e armiqësisë politike dhe e veqilëve të diktaturës. Për fat të keq, letërkëmbimi i tij është i pambledhur, i panjohur, i pahulumtuar, bile rezulton mjaft i humbur.

Prandaj, na mungon ky letërkëmbim plot mall mërgimi, plot dëshirë të kthejë në atdhe, plot panorama të gjelbërta letrare të këtij stilisti të rrallë që vuajti e vuajti jo pak, deri për bukën e gojës: i shqetësuar prej thashethemeve; i torturuar në mënyrë çnjerëzore; i pushkatuar e mbetur ende pa varr. “Një libër kujtimesh”, shkruante Shantoja, “ka gjithherë … duken e një autobiografie”.

Me zemër të thyer e me dëshira të vrara braktisi zyrën, iku nga atdheu, “Kjeçë i shternguem me lanë atdheun e zyrën”. E jetoi me dhimbën e mërgimtarit e me shpresën e kthimit. Vokacioni i vërtetë “Unë jam e do të vdes meshtar”, e dashuria e ndezur i frymëzuan forcë të gjallë e shpresë të ngulur me mbajt vuajtjet në dhe të huaj, për të duruar nëpërkëmbjet e të huajit, mallin e njerëzve të dashur. “Kam shpresue se ma, apo vjen koha me kthye në atdhe të dashun e, me marrë aty shërbimin fetar tash sa vjet të këputun”.

Jetoi shije-prishur mes ëndrrës joshëse e realitetit të hidhur e shkroi: “As n’qiell, as n’tokë”; provoi mungesën e bukës së përditshme e mungesën e veprimtarisë shoqërore, duke kujtuar vargjet e poetit të pavdekshëm: “S’ka dhimbë ma të madhe se me kujtue kohën e lumtun, kur t’jeshë n’mjerim e n’vaj”. Mos e pastë kush fatin e tij!

***

Letra e Dom Lazër Shantojës nga Vjena për Imzot Mjedën

Vjenë, 31.I.1928

Fort i Përndritshmi e i dashuni Emzot

Edhe dy muej mbushen 3 vjet q’se kjeqë i shternguem me lanë atdhenë e zyrën që aty ushtrojshe. Gjasa për kthim asht tue u ba për ditë edhe ma e vështirë dhe e largët për mue. Unë, derisa të vijojë në Shqipni regjimi i soçem, e kam damun mos m’u kthye në asnjë konditë e me kurrnji garanci. Preferoj ma mirë me dekë rrugash se me kthye aty ku e dij se çka më pret. Nga ana tjetër, edhe kjo jetë që jam tue ba, asht tepër e rrezikshme, si për shpirt, ashtu për korp.

Nji luftë ma e gjatë kundër Zogut, po më duket tash krejt pa qellim, sidomos kur të konsideroj se kush, në rasën e fitimit tonë, do t’ja xanë vendin …! Të mjerët na për patriotë që paskemi pasë. Diziluzionet e mija janë kaq të mëdhaja e kaq të rranjosuna, që kam damun m’u shporrë fare prej politiket. Mendoj me lakmi të madhe rahatinë e pagjen që kam gëzue në Pulaj e në Sheldi. Shkëlqesi, do të keni ndie ndoshta gjithfarë lajmesh mbi jetën teme këtu.

Me ket letër nuk vi m’u rrëfye, por po i diftoj Shkelqesis s’Ue sa ma parë ket nderë e, do të më shkrueni nëpërmjet konsulatës italjane në Shkodër. Kur një D.N.T. ka gjetë famulli … kujtoj se mundem edhe unë me e pasë ket nderë? U lutem mos m’u mundue me më mbushë menden m’u këthye e me marrë ndonji deçizion tjeter, pse asht kot. Në kjoftë se Shkelqesia Juej, nuk doni me më dhanë dokumentat kishtare të nevojshme me ushtrue zyren t’eme atje, unë kam me kenë i ngushtuem, me shkue edhe pa ta. Kini dhimbë per nji që u ka nderue, u ka çmue, u ka dashtë e ka kenë dhe asht Jueji.

U puth unazën me poni

L. Shantoja

(AQSH, F.132/A, D.15, v.1928)

P.S. Si antizogist dhe mbështetës i Lëvizjes së Qershorit më 1924, pas kthimit të Ahmet Zogut në pushtet, Lazër Shantoja u arrestua janarin e vitit 1925. Mbas disa muajve burg u fal nga qeveria e Ahmet Zogut dhe u largua për në Jugosllavi. Më 1928 kaloi nga Jugosllavia në Vjenë ku filloi të botojë gazetën Ora e Shqipnisë të financuar nga Hasan Prishtina. Nga ndërrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipëri, Shantoja shkoi në Zvicër. Pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, u kthye në tokën e tij, ku bashkëpunoi me regjimin italian. Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943, u tërhoq prej skenës politike. Në dhjetor 1944 u arrestua nga komunistët të cilët e ekzekutojnë më 5 mars 1945.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 45 palestinezë vdiqën të mërkurën pas bastisjeve izraelite…