Të moshuarit kanë nevojë për pensione të dinjitetshme çdo muaj, jo një herë në vit
Sekretari i PDK-së për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi, ka thënë se të moshuarit kanë nevojë për pensione të dinjitetshme çdo muaj e jo vetëm për fushata zgjodhore.
Ai theksoi se kandidati për kryeministër Bedri Hamza ka plan konkret që pensionet bazë për të moshuarit ti rrisë në 200 euro çdo muaj, ndërsa pagat e punonjësve tjerë për 50%.
“Për katër vite, Qeveria Kurti nuk i rriti pagat e prindërve dhe as pensionet, por me vendimet e saj sot gjithçka është më shtrenjtë. Vetëm kujtoni shtrenjtimin e energjisë elektrike mbi 100% dhe shportën mujore familjare. Ju kujtohet se kur mësimdhënësit iu lutën si vëllaut për ndihmë nga 100 euro, Albin Kurti përbuzi kërkesat e tyre, ashtu siç përbuzi çdo kërkesë qytetare”, tha ai në një video në Facebook.
Sipas Gjoshit, këto shtesa janë të ndara pamjaftueshëm, pasi sipas tij, qytetarëve ju duhen të ardhura më të mira çdo muaj.
“Bedri Hamza është kandidati më i mirë për Kryeministër. Ai ka në programin e tij që pensioni minimal të jetë 200 euro, që pagat të rriten 50% dhe subvencion për fëmijët në çerdhe nga 100 euro në muaj. Prandaj, qytetarë të dashur, këto para merrni sepse janë të Buxhetit të Kosovës, janë nga taksat tona, e më 9 shkurt ndëshkojeni me votë Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen që për 4 vite nuk u kujtuan për gjendjen ekonomike të familjeve tuaja, dhe po kujtohen vetëm tani në fushatë zgjedhore”, tha ai.