“Të ndalen sulmet dhe linçimet”, KPK-ja i quan shantazhuese deklaratat e kryeministrit dhe ministrave ndaj prokurorëve
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dënuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të Qeverisë së tij kundër prokurorëve, të bëra të premten dhe të shtunën, pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë nën dyshimet për dallavere me rezerva shtetërore. KPK-ja i ka cilësuar këto deklarata si shantazhuese dhe nënçmuese.
Duke mbrojtur ministren e Industrisë, kryeministri Kurti të premten përfshiu gjykatat, prokurorët dhe mediat si mbështetëse të krimit. Po ashtu, të shtunën ministri i Financave, Hekuran Murati, akuzoi prokurorinë se po bën “spektakle nga asgjëja” e se sistemi i drejtësisë është i kapur.
Në një reagim pasdite, KPK-ja ka reaguar ndaj këtyre deklaratave duke thënë se janë bërë mbi bazën e paragjykimeve dhe hamendësimeve “duke tentuar të godasë sistemin prokurorial në çdo mënyrë dhe në çdo rast”.
“KPK-ja i bën thirrje Kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit. KPK-ja, thekson në mënyrë të qartë dhe të palëkundur se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagim.
KPK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë që të qëndrojë larg “larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta dhe të kota, që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Këshilli Prokurorial i ka quajtur këto deklarata si të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, “i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”.
Në fund, KPK-ja ka thënë se është e përkushtuar të luftojë presionet dhe ka thënë se deklaratat e tilla nuk do ta zbehin punën e prokurorëve.
“KPK-ja potencon se Prokurori i Shtetit, si pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, do të punojë intensivisht për ndriçimin deri në fund të të gjitha rasteve në punë, ndaj të gjithë atyre zyrtarëve të dyshuar dhe të veshur me pushtet, pavarësisht tentativave për ndërhyrje, duke vënë në pah përfundimisht dhe me konsekuencë se pavarësia e sistemit prokurorial është thelbësore dhe e rëndësishme në rrugën që kemi përpara”, përfundon reagimi i KPK-së.
Të premten, njësitet e Policisë arrestuan dy zyrtarë të MINT-it e një biznesmen, i përfolur në publik për afërsi me Vetëvendosjen, nën dyshimet për dallavere me rezervat shtetërore. Ministrja Rozeta Hajdari është deklaruar më pas dhe ka thënë se nuk ka dyshime për dy zyrtarët. Ajo ka deklaruar se janë mbi 20 lëndë që si ministri i kanë dorëzuar tek institucionet e drejtësisë qe dy vjet, e “s’ka pasur asnjë zhvillim për to”.