Të ndalet linçimi brutal dhe diskreditimi im institucional dhe antikushtetues
Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, ka theksuar edhe një herë se shkarkimi i tij nga misioni diplomatik në Maqedoninë e Veriut ishte skandaloz, antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës.
Dedaj në këtë intervistë dhënë për “Epokën e re”, për shkarkimin e tij e ka fajësuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani që, sipas tij, në këtë pozitë e vendosi bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu.
Dedaj ka thënë se me këtë qeverisje vendi nuk ka përparim.
Sipas tij, në politikën e jashtme ka ngecje.
Përveç pandemisë, ish-ambasadori Dedaj ka theksuar se Kosovën e kanë goditur rëndë problemet sociale dhe ekonomike.
“Epoka e re”: Z. ambasador Dedaj, u bënë më shumë se tetë muaj nga shkarkimi juaj nga pozita e ambasadorit në Shkup. Na tregoni se çfarë jeni duke bërë tani?
Dedaj: Ç’është e vërteta largimi im nga kreu i ambasadës së Kosovës në Shkup nga presidentja Osmani ishte skandaloz, në kundërshtim me ligjin, antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës. Pra largimi im ishte brutal, linçim, tentim për diskreditim dhe puro hakmarrje mesjetare politike. Të dymbëdhjetë ambasadorët brilantë të Kosovës u shkarkuan politikisht në qendrat kryesore të vendosjes, gjë të cilin unë e vlerësova si një tentim për grushtshtet me metoda diktatoriale, mu për këtë njëmbëdhjetë ambasadorëve të tjerë iu dha afati prej tre muajve për ta kryer përmes procedurave të rregullta misionin e tyre diplomatik, kurse vetëm mua kundërligjshëm dhe në mënyrë ultimative, jonjerëzore, më është dhënë afat vetëm një ditë për ta liruar misionin. Ky ishte atak në personalitetin tim dhe në përfaqësinë e shtetit të Kosovës. Ky veprim i kreut të shtetit, e cila me Kushtetutën e Kosovës obligohet dhe personifikon unitetin qytetar, në fakt ishte kundërkushetues, përçarës dhe kundër unitetit qytetar. Ishte, thjesht, një hakmarrje politike e cila nuk ndodh në shtetet demokratike, por në vendet e diktaturave dhe huntave ushtarake. Zonja e parë, veç të tjerash, këtë e bëri për ta sjellë në krye të ambasadës “zotërinë e parë”, respektivisht bashkëshortin, praktikë kjo staliniste dhe nepotiste.
Një politikë e tillë përçarëse dhe keqpërdoruese ka sjellë edhe zhgënjimin qytetar. Jo rastësisht në sondazhin e fundit ajo ka vetëm 7 për qind të besueshmërisë qytetare dhe, nëse vazhdon kështu, nuk ka legjitimitet qytetar për të qenë në krye të Republikës së Kosovës, e për këtë duhet të mendojnë institucionet e shtetit tonë. Megjithatë unë këtë kohë sa jam pa punë angazhimin tim po ia kushtoj familjes sime, nipave, mbesave dhe miqve të mi, të cilët më kanë munguar shumë, si dhe po shkruaj për tri dekadat e angazhimit tim të përgjakshëm politik, që nga vitet e ’90, duke qenë kontribuues i drejtpërdrejtë dhe pjesë e të gjitha zhvillimeve historike të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në fakt, kam menduar sikur ta kisha kryer misionin tim të rregullt ligjor katërvjeçar në krye të ambasadës në Shkup, ndoshta edhe të tërhiqem nga politika, por tani kam vendosur t’i vazhdoj betejat e mia politike për të dhënë kontributin tim për demokratizimin e Kosovës, vlerat euroatlantike, perspektivën evropiane, respektimin e barazisë dhe drejtësisë qytetare, etnike, fetare, racore dhe gjinore, mbrojtjen e të drejtave njerëzore, sundimin e ligjit si dhe kundërshtimin e nepotizmit, fanatizmit partiak, diskreditimit, kapjes së shtetit, cenimit të partneritetit me ShBA-në, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si dhe dinamizimin e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Epoka e re”: A keni ende kontakte me liderët dhe korin diplomatik të Maqedonisë së Veriut?
Dedaj: Për gjysmë mandati sa isha në krye të misionit në Shkup, në kohë shumë të rënda nga pandemia e virusit Covid-19 dhe angazhimet e mia diplomatike në shtetin mik dhe fqinj të Republikës së Maqedonisë së Veriut, jam pritur shkëlqyer nga institucionet dhe forcat politike, kori diplomatik, shoqëria civile, pushteti lokal, komunitetet fetare, mediet dhe bota e biznesit. Për çka jam shumë mirënjohës dhe falënderues për të gjithë. Rregullisht mbaj kontakte dhe kam takime me personalitete dhe miq të shumtë në Shkup, me të cilët bisedoj për zhvillimet në Kosovë, për perspektivën euroatlantike të dy vendeve tona fqinje dhe të tërë rajonit. Natyrisht se i kam njoftuar edhe për tendencat e linçimit dhe diskreditimit tim, siç i kam njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare të Bashkimit Evropian, ato të Këshillit të Evropës, të të Drejtave të Njeriut, institucionet politike, partitë parlamentare, institucionet e drejtësisë, sigurisë, të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, si dhe korin diplomatik të akredituar në Kosovë.
“Epoka e re”: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale, respektimin e të drejtave të njeriut, barazinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë?
Dedaj: Si promotor kampion dhe veteran i vlerave të liberal demokracisë perëndimore dhe euroatlantike, si ish-nënkryetar i Internacionales Liberale me seli në Londër dhe ish-kandidat për nënkryetar të Aleancës Liberal Demokratike të Evropës (ALDE), me seli në Bruksel, asnjëherë nuk kam qenë ithtar i pushtetit monist dhe njëpartiak. Në vendet në tranzicion siç është Kosova kjo nuk funksionon, duhet një gjithëpërfshirje, ndarje e përgjegjësive, unitet dhe ekspertizë në qeverisje dhe përvojë në legjislacion, ku shumica deputetëve janë praktikantë. Andaj lypset përvojë për shtetndërtim, në negociata me Serbinë, në anëtarësimet ndërkombëtare, në politikën e jashtme dhe kjo, në fakt, po ngec, nuk ka progres dhe vërehet një degradim institucional. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet debakël të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit dhe sondazhet për rënien drastike të besueshmërisë dhe legjitimitetit qytetar për institucionet e Kosovës. Njëkohësisht vërehet një rrënim i diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës. MPJD ngjan në një OJQ apo zyrë partiake, ndërkaq ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë mbushur me militantë partiakë dhe amatorë. Po ashtu, vërehet një ftohje e raporteve me ShBA-në, BE-në dhe Shqipërinë, e cila gjë në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk do të duhej të ndodhte. Partneriteti i thellë me këto vende është historik, strategjik dhe jetik për të ardhmen e Kosovës euroatlantike, demokratike si dhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Kushdo që cenon këtë partneritet rrënon lirinë dhe të ardhmen euroatlantike të shtetit të Kosovës. Zaten pavarësia e Kosovës është projekt i përbashkët me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n. Pra janë bërë sakrifica shekullore dhe pavarësia i ka rrënjët e saj të angazhimeve politike që nga vitet ’90, pastaj me luftën çlirimtare, të pastër dhe heroike të UÇK-së, konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, marrëveshjen e Kumanovës, planin e ish-presidentit Ahtisari, bisedimet në Vjenë dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Pretendimet dhe ambiciet narcisoide, të sëmura dhe të kota të rishkrimit të historisë, janë vetëm humbje kohe. Historia tashmë ka ndodhur dhe ajo e Kosovës është shkruar dhe vulosur. Pushteti aktual dhe pushtetet e tjera në vijimësi e kanë për obligim t’i respektojnë sakrificat, dëshmorët, martirët dhe invalidët e UÇK-së, pastaj Kushtetutën, ligjet, progresin ekonomik, barazinë qytetare, demokracinë, integritetin dhe sovranitetin e vendit, partneritetin me miqtë, si dhe integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës. Sa iu përket të drejtave të njeriut, ato janë të rrezikuara si kudo në Ballkanin Perëndimor, kanë një shpërfillje dhe disonancë mes asaj çfarë thuhet në fushatat elektorale, propagandat partiake dhe asaj së vërtetë me çka ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Përveç pandemisë, Kosovën e kanë goditur rëndë problemet sociale dhe ekonomike, rritja e pakontrolluar e çmimeve të energjisë dhe kostos ditore të jetesës, të cilat janë buzë shpërthimit dhe revoltës qytetare, pastaj sindromi i shpërnguljes së trurit dhe të rinjve, pozita e mjerueshme e pensionistëve, gjendja e rëndë në arsim e shëndetësi si dhe tendencat për kapjen e shtetit, të drejtësisë dhe kontrolli mbi ligjin, nepotizmi dhe synimet tendencioze për kontrollin dhe sulmin mbi lirinë e shtypit dhe mediet e lira, duke mos ngurruar që zyrtarët kosovarë t’i quajnë mediet “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, madje të kalojnë të pandëshkuar, me qëllim të cenimit dhe rrezikimit të vet gazetarëve dhe pavarësisë së medieve, e këto janë simptoma dhe sindroma të një shteti diktatorial.
“Epoka e re”: Kohë më parë ju kishit një përplasje mediatike me presidenten Vjosa Osmani dhe bashkëshortin e saj, i cili është edhe ushtrues detyre i ambasadorit në Shkup. Madje u tha se gjoja jeni edhe në kërkim nga Policia e Kosovës. Çfarë mund të na thoni për të gjitha këto?
Dedaj: Bashkëshortët Osmani, siç po i quani zonja dhe “zotëria i parë”, është mirë ta ndalin linçimin dhe diskreditimin tim, madje është obligim i tyre ligjor dhe kushtetues të mos e keqpërdorin pushtetin dhe pozitat për denigrimin tim dhe të rivalëve të tyre politikë. Pas shkarkimit brutal dhe skandaloz të cilin ma ka bërë presidentja Osmani, ajo ka sjellë në krye të Ambasadës në Shkup bashkëshortin e saj, dukuri kjo e shteteve dhe tiranive monarkiste dhe diktatoriale. Duke qenë të vetëdijshëm se ndaj meje kanë bërë sulm të paramenduar, me urrejtje dhe fanatizëm. Ata për të justifikuar këtë konflikt interesi, këto shkelje flagrante kundër meje, nuk po pushojnë me shantazhe nder më të ulëtat. Më 17 janar të këtij viti në shumë portale dhe medie u lansua lajmi i trishtë dhe i rremë, siç i thonë, “fake news”, se gjoja unë jam në kërkim të Policisë së Kosovës, me shumë gjasa lajm i sajuar dhe i dirigjuar nga Ambasada e Kosovës në Shkup apo MPJD në Prishtinë. Përmes kësaj gënjeshtre institucionale, shpifjeve djallëzore, kishin për qëllim krijimin e hutisë në opinion për diskreditimin tim dhe justifikimin e të bëmave të tyre jonjerëzore dhe skandaloze me rastin e shkarkimit tim, për çka unë përmes avokatit kam ushtruar padi në gjykatë, nëse edhe ajo nuk është e kapur si shumë segmente të tjera në Kosovë. Pra bëhej fjalë për tabelat diplomatike të makinës sime private, të lëshuara nga RMV, të paguara nga vetë unë dhe me afat deri më 31 dhjetor 2021, si dhe për ID-në time personale diplomatike me afat deri më 31 dhjetor 2022, të lëshuar nga autoritetet e Shkupit zyrtar, të cilat, pas festave të fundvitit, i kam dorëzuar vullnetarisht tek autoritetet përkatëse. Policia e Kosovës më ka thënë se lajmi që ju jeni në kërkim është i rremë dhe se askush nuk po ju kërkon. I irrituar tej mase, i shantazhuar, në gjendje fyese emocionale, jam prononcuar dhe kam kundërshtuar ashpër këto tendenca djallëzore. Në njërën nga studiot televizive kam ftuar për kujdes dhe përgjegjësi ndaj meje, ndaj jetës sime, sepse ndihesha i rrezikuar, kërcënuar dhe i nxitur, gjë e cila rrezikonte jetën time, kam përkujtuar çdo individ i cili mendon të kërcënojë dhe rrezikojë jetën time, apo jetën e kujdo qoftë, nuk duhet të harrojmë se veç ligjit, te shqiptarët, fatkeqësisht, është edhe kanuni dhe secili duhet të kemi kujdes se si i trajtojmë njerëzit dhe jetën e tyre. Aty kam shtuar se unë jam një ndër kampionët e demokracisë në Kosovë dhe se çfarëdo kontesti me bashkëshortët Osmani apo me këdo tjetër do ta zgjidh vetëm përmes drejtësisë dhe rrugëve ligjore.
Shumë e pakënaqur për moskërkimin tim nga policia, presidentja Osmani vetëm pse unë e kam përdorur shprehjen kanun, pa ia drejtuar asaj dhe askujt në botë, sepse nga zhargoni im dhe edukata ime, kërcënimi nuk ka ekzistuar dhe as nuk është praktikë e imja tash dhe as në të ardhmen, madje as kur jam rrezikuar dhe kërcënuar me qindra herë gjatë karrierës sime politike. Presidentja Osmani duke keqpërdorur pushtetin dhe pozitën, për t’i arritur qëllimet e veta të frikshme për diskreditimin dhe linçimin tim, ka ushtruar kallëzim penal ndaj meje, së paku me qëllim të më ftojnë në polici. Policia e Kosovës, e obliguar dhe në mënyrë profesionale, me korrektësi dhe me përgjegjësi më ka ftuar të jap deklaratë. I kam kundërshtuar ashpër pretendimet shpifëse të presidentes. E kam kontaktuar avokatin nga i cili kam kërkuar të ushtrojë kallëzim penal kundër presidentes Osmani për shpifje, por avokati më ka thënë se ajo ka imunitet dhe nuk mund t’i bëni kallëzim penal. Pra ajo ka keqpërdorur edhe imunitetin, edhe pozitën, pushtetin dhe ndikimin e saj kundër meje. Kjo është shkelje kushtetuese dhe ligjore.
(Mal Qorraj / Epoka e re)