Të nesërmen e lexova në kronikën e zezë
Faruk Šehić
Burri e ka ngulfatur gruan
era i bartte britmat e saj çnjerëzore
nëpër gjilpërat e ngrira të pishës para dritares.
Flaka kaltëroshe e gazit në stufë
përhapte ngrohtësinë pas shpinës sime.
Cigarja digjej në taketuken e xhamtë
akulli forcohej në rrugën që na ndante.
Burri i saj shkoi në wc dhe lau duart
në pasqyrën mbi sqoll e pa fytyrën e vet,
fytyra e gruas së tij e zhytur në tepihun e butë
merrte ngjyrën solemne të vdekjes.
Gjurmët e duarve të tij në qafën e saj
ishin si lytha bojë manushaqeje.
U mbështet në kolltukun prej pelushi dhe fiku dritën
dëgjonte si i kërciste mjekra në errësirë
e dinte se mjekra rritej edhe pas vdekjes.
Ai tjetri brenda tij e detyroi të qante
një çast para se të vdiste.
U ula pranë llaptopit dhe krejt këto i sajova
(Marrë nga numri i 12 i revistës “Akademia”. Përktheu: Fadil Bajraj)