Të ngarkuarit e BE-së për dialogun nga dy shtete që nuk e kanë njohur Kosovën – cili mund të jetë efekti?

08 shkurt 2020 | 16:18

Bashkimi Evropian po tenton të rikthejë rolin e saj në përmirësimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ishte humbja e besimit në ish-shefen e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ajo që bëri BE-në të humbë kredibilitetin për ndërmjetësimin e këtij dialogu.

Mirëpo, Bashkimi Evropian duke parë angazhimin e fuqishëm të Amerikës, por edhe angazhimin tinëzar të Rusisë është angazhuar më fuqishëm në këtë pikë.

BE ka ngarkuar me këtë detyrë, ish-ministrin e jashtëm të Spanjës, Joseph Borell si shef për Politikë të Jashtme dhe Siguri e që do të merret edhe me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Përveç kësaj, në media është raportuar ditët e fundit se BE do të emëroj si të dërguar të posaçëm për dialogun, diplomatin sllovak, Miroslav Lajçek.

Joseph Borell dhe Miroslav Lajçak të dy të angazhuarit e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi vijnë nga shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën nga pesëshja e BE-së, Spanja e Sllovakia.

Sa mund të ndikojë kjo negativisht në mbarëvajtjen e dialogut Kosovë – Serbi deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare?

Analisti politik, Blerim Burjani për lajmi.net është shprehur se BE duhet të gjejë diplomat që të jetë neutral në raportet Kosovë – Serbi.

“Mendoj që BE duhet të gjejë një diplomat që mund të jetë neutral në raportet Kosovë – Serbi, këto janë bisedime teknike, por megjithatë kërkohet një ndërmjetësues për çështje teknike të jetë kredibil, pra i pranueshëm, meqenëse këto bisedime nuk janë thelbësore por janë teknike dhe duhet të mbeten brenda rezolutës së OKB-së që i është dhënë mandat taknik BE-së për të ndëmjetësuar”, tha Burjani për lajmi.net.

Më tutje, Burjani është shprehur se Lajçak është konstruktiv, por meqenëse vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën mund të hasë në mos-pajtueshmëri.

“Lajçak nuk është se ka mendim të kundër me pavarësinë e Kosovës, ai ishte konstruktiv në disa çështje por megjithatë meqenëse ai vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën atëherë më mirë të emërohet përfaqësues tjetër sepse mund të hasë në rezistencë dhe jo-pajtueshmëri në Kosovë, pra nuk mund të jetë përfaqësues i BE-së për dialog teknik Kosovë – Serbi, BE duhet të gjejë një personalitet kredibil për dialog”, tha Burjani më tutje.

Burjani është shprehur se BE deri më tani ka pasur shumë dështime në këtë pikë. Sipas tij, BE duhet të këndellet dhe të gjejë persona kredibil.

“Deri më tash BE po sillet më shumë ka dështim sesa ndërmjetësues efektiv, pra me këto emërime veç po shkon teposhtë serioziteti i BE-së. Kosova po vjen duke u ftohur nga BE në pozicionin e ndërmjetësuesit, kjo u pa edhe me rastin e vizitës së Borellit që nuk u mirëprit në Kosovë. Pra BE duhet të këndellet më shumë dhe të gjejë dikënd kredibil, më mirë të vjen nga Gjermania ndërmjetësuesi”, tha ai në fund.

E në anën tjetër, nga një aspekt pozitiv po e sheh këtë njohësi i çështjeve politike, Jeton Brajshori.

Brajshori për lajmi.net është shprehur se BE po dëshiron të marrë primatin e dialogut ose të paktën t’i barazojë forcat me SHBA-të në këtë proces.

“Me formimin e qeverisë së re tek ne, janë aktivizuar menjëhere mekanizmat ndërkombëtarë për vazhdimin e dialogut. BE-ja dëshiron të marrë primatin e dialogut ose të paktën të barazoj forcat me SHBA-në të cilët kanë të kyqur të dërguarin për Ballkanin Mathew Palmer dhe ambasadorin Richard Grenell. Mirëpo siç kemi parë nga përvojat e kaluara të konflikteve në Ballkanin Perendimor nuk është mundur të gjindet ndonjë zgjidhje pa ndërhyrjen dhe ndërmjetsimin e SHBA-ve”, tha Brajshori për lajmi.net.

Më tutje, Brajshori është shprehur se Lajçak do të jetë lehtësim për dialogun duke e parë aktivitetin dhe përvojën e tij dipomatike e politike.

Sipas Brajshorit, Lajçek gëzon respekt të madh në qarqet diplomatike dhe sipas tij as Borell e as Lajçak nuk përfaqësojnë shtetet prej nga vijnë, por politikat e BE-së.

“Emërimi i z.Lajçak nga BE me bekimin e kancelares gjermane Merkel, mendoj se do të jetë një lehtësim në dialog duke shikuar përvojen e tij që nga koha kur ishte ambasador në ish- Yugosllavi, pozita e tij në mbikqyrjen e pavarësisë së Malit të Zi deri në vitin 2018 ku ishte edhe president i asamblesesë përgjithshme të OKB-së, pra z. Lajçek gëzon respekt të madh në qarqet diplomatike ndërkombtare. z. Borell dhe z. Lajçek në momentin që janë zgjedhur për detyra të caktuara mbrenda BE-së, ata më nuk përfaqsojnë politikat e vendeve nga vijnë, këtë e ka dëshmuar z. Borell që vizitën e parë e ka bërë në Kosovë ashtu siç pati premtuar”, tha Brajshori për lajmi.net.

Në fund, Brajshori është shprehur se kjo qasje është pozitive sepse mund të ndikojë që 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e vendit, ta bëjnë këtë pas marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai gjithashtu ka këshilluar që pala kosovare assesi nuk duhet të hyjë në dialogun përfundimtar pa SHBA-të si pjesë e marrëveshjes.

“Të dy diplomatet angazhohen angazhohen në zgjerimin e politikave të BE-së. Unë këtë qasje e shoh më shumë pozitive sepse në rast të ndonjë marrveshjës mes Kosovës dhe Serbisë, do të hapej rruga për njohje nga 5 shtetët e BE-së të cilat ende hezitojnë ta njohin shtetin tonë për arsye të ndryshme. Presioni do të jetë së pari tek largimi i taksës të cilën edhe e paralajmruar kryeministri Kurti ku sot mori një përkrahje të fuqishme nga ambasadori Grenell. Mirëpo pala kosovare assesi nuk duhet të hyjë në dialog përfundmitar pa SHBA-të si pjesë e marrëveshjës.”, tha Brajshori.

Vlen të theksohet fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë gjithashtu dy diplomatë të fuqishëm të angazhuar në çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

Matthew Palmer është i dërguari i Posaçëm  i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe do të ketë impakt në dialogun. Përveç tij, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka emëruar si të Dërguar të Posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorin e SHBA-ve në Gjermani, Richard Grenell.

SHBA-të kanë filluar ofenzivë që të marrin rol aktiv në përmbylljen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, e ky angazhim i tyre ka sjellur një marrëveshje të aviacionit midis dy vendeve.

Në anën tjetër, vazhdimisht po bëhen thirrje nga politika ndërkombëtare që të largohet tarifa 100 për qind për produktet serbe si kusht që të rifillojë dialogu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në anën tjetër, ka paralajmëruar se kjo taksë do të largohet dhe do të vendoset masa e reciprocitetit ndaj Serbisë. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas shpalljes të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar…