Të paktën 17 të vdekur nga përplasja e një treni në Iran
Të paktën 17 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një tren u përplas për një ekskavatorë dhe doli nga binarët në qytetin Tabas në Iran.
“Shtatëmbëdhjetë persona kanë vdekur dhe 37 persona të lënduar janë transferuar në spital”, ka thënë zëdhënësi i shërbimeve emergjente, Mojtaba Khaledi.
Sipas raportimeve të para, treni po udhëtonte nga qyteti Mashhad për në qytetin Jasd, kur goditi një ekskavator pranë shinave në qytetin Tabas, që gjendet afër 800 kilometra në lindje të Teheranit.
Pesë nga 11 vagonët kanë dalë nga shinat në aksidentin që ka ndodhur në mëngjesin e së mërkurës, kanë thënë zyrtarët nga Gjysmëhëna e Kuqe, raporton televizioni shtetëror iranian.
Zëvendëskryetari i kompanisë shtetërore të hekurudhave, Mir Hassan Mussavi, i ka thënë televizionit shtetëror (Irib) se treni po transportonte 348 pasagjerë.
Disa prej të lënduarve janë dërguar në spital me helikopterë.
Mediat iraniane kanë thënë se autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e aksidentit.