Të paktën 23 të vdekur nga zjarri në një spital në Bagdad
Të paktën 23 persona kanë vdekur pasi një zjarr ka shpërthyer në një spital në Bagdad, ku po trajtoheshin pacientët me koronavirus.
Zjarri është shkaktuar nga shpërthimi i cilindrave të oksigjenit brenda spitalit, kanë njoftuar mediet lokale, të cilat kanë cituar burime shëndetësore.
Sipas këtyre burimeve mbi 40 persona janë lënduar.
Gjeneralmajori Kadhim Bohan, që është kreu i mbrojtjes civile të Irakut, ka thënë se zjarri ka shpërthyer në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin Ibn al-Khatib.
Autoritetet kanë thënë se zjarrfikësit kanë arritur që të shuanin zjarrin dhe të largonin pacientët nga spitali, përfshirë edhe 40 të lënduarit.
Bohani ka thënë se 90 persona janë shpëtuar nga spitali.
Iraku po përballet me rritje të rasteve me koronavirus. Mesatarja ditore e rasteve të reja është mbi 8 000, që është shifra më e lartë që prej se është shfaqur pandemia.
Ndërsa nga një zjarr në një spital në Indi, më 23 prill vdiqën 13 pacientë me Covid-19.