Të paktën 25 mijë sirianë janë larguar nga Idlibi gjatë dy ditëve të fundit
Të paktën 25 mijë civilë janë larguar nga rajoni veriperëndimor sirian, Idlib dhe janë nisur drejt Turqisë në dy ditët e fundit, ka raportuar sot media shtetërore turke, teksa forcat siriane dhe ato ruse kanë intensifikuar sulmet ajrore në këtë rajon.
Turqia aktualisht ka 3.7 milionë refugjatë sirianë në territorin e saj dhe ka frikë se një valë e re e refugjatëve nga rajoni Idlib. Në Idlib, rajonin e kontrolluar nga rebelët, jetojnë rreth 3 milionë sirianë.
Ankaraja vazhdimisht ka kërkuar nga aleatët e saj që të pranojnë refugjatët sirianë në shtetet e tyre.
Sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara, qindra persona janë vrarë gjatë këtij viti nga sulmet në zonat e banuara në Idlib. Në këtë zonë, që prej muajit prill, ushtria siriane dhe ajo ruse kanë nisur fushatën për të rimarrë kontrollin e këtij rajoni.
Presidenti sirian, Bashar al-Assad është zotuar se do ta rimarrë kontrollin e Idlibit, duke shtyrë më shumë njerëz që të largohen për në Turqi. Ditën e enjte, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se 50 mijë persona janë larguar nga Idlibi drejt kufirit me Turqinë.
Agjencia shtetërore e lajmeve turke “Anadalou” ka raportuar sot se që prej se presidenti Erdogan tha se 50 mijë persona janë nisur drejt Turqisë, edhe 25 mijë civilë sirianë janë larguar drejt zonave kufitare me Turqinë.
“Anadolu” ka raportuar se 205 mijë persona tashmë janë zhvendosur nga Idlibi, që prej fillimit të muajit nëntor, pas ofensivave të forcave siriane dhe ruse. Kjo agjenci tha se civilët janë larguar drejt zonave në Siri, që Turqia ka marrë nën kontroll gjatë një operacioni ushtarak, të kryer më herët gjatë këtij viti.
Turqia ka kryer tri operacione ushtarake përgjatë kufirit, në veri të Sirisë, për të larguar milicitë kurde të Njësive për Mbrojtjen e Popullit (YPG), të cilët i konsideron terroristë. Ankaraja ka marrë nën kontroll territore përgjatë kufirit me Sirisë dhe dëshiron që aty të ndërtojë kampe për të strehuar refugjatët sirianë.