Të paktën 43 të vdekur nga zjarri në një fabrikë në Indi
Të paktën 43 persona kanë vdekur, pas shpërthimi të një zjarri në një fabrikë të çantave në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi.
Zyrtarët kanë thënë se shumica e viktimave në fabrikën gjashtëkatëshe ishin punëtorë, të cilët në momentin kur ka shpërthyer zjarri po flinin në dyshemenë e ndërtesës. Zjarri ka nisur rreth orës 5:00 apo 6:00 sipas kohës lokale.
Të paktën 16 prej 50 personave që janë shpëtuar janë në spital dhe po trajtohen. Shumica e tyre raportohet se janë në gjendje stabile.
Autoritetet kanë thënë se kanë nisur hetimet për të gjetur shkakun e zjarrit.
Zjarre të tilla janë të zakonshme në Indi, ku ndërtuesit, por edhe pronarët e bizneseve rregullisht injorojnë standardet e sigurisë kur ndërtojnë ndërtesat. Por, ky incident është ndër më vdekjeprurësit në këto vitet e fundit në Indi.
Kryeministri i Indisë, Narenda Modi, ka thënë se kjo është një tragjedi e madhe dhe ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.