Të paktën 66 të vdekur nga një zjarr në një resort skijimi në Turqi

21 janar 2025 | 15:37

Një zjarr në një resort të njohur skijimi në pjesën veriperëndimore të Turqisë ka lënë të paktën 66 persona të vdekur dhe 51 të tjerë të plagosur, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.

“Jemi në dhimbje të thellë. Fatkeqësisht kemi humbur 66 jetë në zjarrin që shpërtheu në këtë hotel”, u tha gazetarëve Yerlikaya, pas inspektimit të vendit të ngjarjes.

Ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, tha se të paktën një nga të plagosurit ishte në gjendje të rëndë.

Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit në restorantin e hotelit 12-katësh “Grand Kartal” në resortin “Kartalkaya”, në provincën Bolu, raportuan zyrtarët dhe mediat lokale. Shkaqet prapa zjarrit janë ende duke u hetuar.

Dy nga viktimat humbën jetën duke kërcyer nga ndërtesa në panik, tha guvernatori Abdulaziz Aydin, për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu.

Televizioni NTV raportoi se disa persona u përpoqën të zbrisnin nga dhomat e tyre duke përdorur çarçafë dhe batanije.

Autoritetet turke i arrestuan katër të dyshuar, përfshirë pronarin e hotelit, në lidhje me këtë rast.

“Si pjesë e një hetimi të udhëhequr nga gjashtë prokurorë, janë arrestuar katër persona, përfshirë pronarin e hotelit”, tha ministri i Drejtësisë i Turqisë, Yilmaz Tunc, në X.

Në hotel ndodheshin 234 mysafirë, tha guvernatori Aydin. Ende nuk dihet asgjë për nënshtetësinë e viktimave.

Necmi Kepcetutan, një instruktor skijimi në hotel, tha se ishte në gjumë kur shpërtheu zjarri dhe doli me shpejtësi nga ndërtesa. Ai i tha televizionit NTV se më pas ndihmoi rreth 20 mysafirë të dilnin nga hoteli.

Ai tregoi se hoteli ishte mbuluar nga tymi, duke ua bërë të vështirë mysafirëve gjetjen e daljeve emergjente.

“Unë nuk mund të vë kontakt me disa nga studentët e mi. Shpresoj të jenë mirë”, tha instruktori i skijimit për televizionin.

Pamjet televizive tregonin çatinë dhe katet e sipërme të hotelit të përfshira nga zjarri. Dëshmitarët thanë se sistemi i alarmit të zjarrit në hotel nuk funksionoi.

“Gruaja ime ndjeu erën e djegies. Alarmi nuk ra”, tha Atakan Yelkovan, një mysafir në katin e tretë të hotelit, për agjencinë IHA.

“Ne u përpoqëm të ngjiteshim lart, por nuk mundëm; kishte flakë. Zbritëm poshtë dhe dolëm këtu (jashtë)”, shtoi ai.

Yelkovan tha se zjarrfikësit mbërritën pas rreth një ore.

“Njerëzit në katet e sipërme po bërtisnin. Ata po zbritnin me çarçafë… disa u përpoqën të hidheshin”, tha ai.

Qeveria caktoi gjashtë prokurorë për të udhëhequr hetimin mbi zjarrin. Televizioni NTV sugjeroi se fasada e jashtme prej druri mund të ketë përshpejtuar përhapjen e zjarrit.

Hoteli me 161 dhoma ndodhet buzë një shkëmbi, gjë që e bëri më të vështirë luftimin e flakëve, raportoi NTV.

Kartalkaya është një resort i njohur skijimi në malet Koroglu, rreth 300 kilometra në lindje të Stambollit. Zjarri ndodhi gjatë pushimeve mes semestrave shkollorë, kur hotelet në rajon janë të mbushura plot.

Zyra e Aydin njoftoi se 30 automjete zjarrfikëse dhe 28 ambulanca u dërguan në vendngjarje.

Hotelet e tjera në resort u evakuuan si masë paraprake dhe mysafirët u vendosën në hotele rreth Bolusë.

Ndërkohë, katër persona u lënduan nga shpërthimi i gazit në një hotel në një tjetër resort skijimi në Turqinë qendrore.

Shpërthimi ndodhi në Qendrën e Sporteve Dimërore “Yildiz Mountain” në provincën Sivas. Dy skijatorë dhe instruktori i tyre u plagosën lehtë, ndërsa një tjetër instruktor pësoi djegie të shkallës së dytë në duar dhe fytyrë, tha zyra e guvernatorit të Sivasit. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka gjetur një kamerë të kamufluar në…