Të paktën 9 të vrarë nga një sulm ajror izraelit në Han Junis
Së paku nëntë njerëz janë vrarë nga një sulm ajror gjatë natës në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Han Junis, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë të martën.
Ky sulm ndodhi vetëm disa orë pasi ushtria izraelite urdhëroi palestinezët të evakuohen nga pjesa më e madhe e Han Junisit, i cili është qyteti i dytë më i madh i Gazës. Urdhri i së hënës ishte shenjë se ushtria izraelite mund ta nisë një ofensivë të re në këtë qytet.
Sulmi, që u krye gjatë natës, goditi një shtëpi pranë Spitalit Evropian, i cili ndodhet në pjesën për të cilin Izraeli tha se duhet të evakuohet.
Pas urdhrave fillestare për evakuim, ushtria tha se ndërtesa spitalore nuk u përfshi, por drejtori i saj thotë se shumica e pacientëve dhe mjekëve janë larguar tashmë.
Sam Rose, drejtor për planifikimin në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë, UNRËA, tha të martën se agjencia beson se rreth 250.000 njerëz ndodhen në zonën e evakuimit – që është rreth 10 për qind e popullsisë së përgjithshme të Gazës prej 2.3 milionë.
Ai shtoi se rreth 50.000 njerëz që jetojnë pranë zonës së evakuimit, mund të jenë larguar për shkak se ndodhen shumë afër luftimeve.
Të shpërngulurve u është kërkuar të kërkojnë strehim në një kamp pranë bregdetit, i cili është tashmë i mbipopulluar dhe ofron shumë pak shërbime bazike.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.
Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 37.900 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë. /REL