Të paktën pesë të vdekur nga përplasja e trenit me autobusin në Sllovaki
27 qershor 2024
| 22:52
Të paktën pesë persona kanë vdekur kur treni ekspres është përplasur me një autobus në jug të Sllovakisë.
Aksidenti ka ndodhur në afërsi të qytetit Nove Zamky, rreth 80 kilometra në lindje të Bratisllavës.
Agjencitë e lajmeve kanë raportuar se të paktën pesë persona të tjerë janë lënduar.
Shërbimet emergjente kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të rritet.
Sipas mediave sllovake, në hekurudhë kishte sinjalizim dhe rampë, por ishte jashtë funksionit për shkak të stuhisë së shiut.
Treni po lëvizte nga Praga në Budapest.